Angazhimi i komuniteteve fetare në shërbim të paqes
Dialogu mes besimeve dhe kulturave” që u zhvillua në Tiranë, bashkoi përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare, të cilët janë të përfshirë në misionin e njëjtë për bashkëjetesë e tolerancë për mirëqënien e njerëzimit.
Fillimi i kësaj jave i dha Tiranës ngjyrat e “kryeqytetit” botëror të religjoneve. Mbi 300 klerikë, zyrtarë, ekspertë e studiues të kulturës nga vendet evropiane, si dhe Lindjes se Mesme, Afrikës, Azisë, Amerikës së Jugut, ishin së bashku në një dëshmi publike të gjurmëve dhe plagëve të panumërta të konflikteve të armatosura dhe ushtrimit të dhunës në rajonet nga erdhën, duke u përpjekur që të ngrenë ura të bashkëpunimit për sinergji në dobi të paqes dhe prosperitetit. Domethënës ishte fakti se trupa organizatore e Takimit ndërkombëtar “Paqja është gjithmonë e mundshme – Dialogu mes besimeve dhe kulturave” kishte në përbërje krahas inciatorëve, Komunitetin Sant' Egidio, dhe nga Kisha katolike e Kisha ortodokse autoqefale e Shqipërisë, si dhe përfaqësues nga institucione të ndryshme të krishtere e islame. Siç dhe theksoi njëri prej organizatorëve të Takimit, Andrea Riccardi, kjo edhe sepse “besimet fetare konsiderojnë të shenjtë vetëm paqen, për të cilën luten dhe për të cilën kontribuojnë”.
Kriza e refugjatëve në fokus
Formati i Takimit ishte i hapur, duke harmonizuar diskutimet në panele brenda sallave të konferencave në tubime apeluese me pjesmarrjen e publikut, në shumëfishimin e zërit të apelit për komunitetin ndërkombëtar për të ndalur me çdo kusht krizat me luftëra e konflikte të armatosur,a që rrënojnë popujt, që shkaktojnë eksode biblike të njerëzve të pambrojtur, në kushte të mjerimit dhe të pashpresë për të nesërmen.
Në mënyrë organike një nga temat më të diskutuara nga pjesmarrësit ishte fati dhe kujdesi për refugjatët. Nga shkaqe të konflikteve, të mungesave ekonomike e sociale, të kufizimit të lirisë dhe mosrespektimit të të drejtave të njeriut – të gjithë, u tha në takim, duhet të ndjejnë dhe të marrin kujdes dhe mbështetje. Apeli i oratorëve ishte dhe për vendet e zhvilluara që të mendojnë më shumë dhe të veprojnë me masa konkrete në zgjidhjen e problemeve humanitare.
Bashkëveprimi në nivel kombëtar, rajonal dhe global krijon hapësira më të mëdha për të ngritur infrastruktura të dobishme për njerëzit në nevojë, jep shpresë dhe mirëqënie për komunitetet që janë në kujfijtë e mbijetesës, u nënvizua në seancat e diskutimit. Qeveritë e insticionet drejtuese duhet të jenë më të përgjegjshëm në luftimin e varfërisë, papunësisë, analfabetizmit e plagëve të tjera, duke treguar angazhim konkret në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe terrorizmit në cilindo formë e nivel që paraqitet.
Bashkëjetesa nuk është pasiviteti por ndërtimi
Ilir Dizdari, kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet e vlerëson këtë aktivitet si një model mbarëbotëror për harmoninë dhe bashkëjetesën fetare. Ai thotë për Deutsche Welle-n se në thelb ky është vetë kuptimi esencial i të gjitha feve, pikëtakimi më i madh i të gjitha religjoneve, të cilat thellë sublimimin më të madh e kanë bërë në përpjekjet e tyre për të bërë të mundur paqen.
“Simbolika e zhvillimit në Shqipëri të këtij aktiviteti është se bashkëjetesa në rrugëtim e saj nuk është pasiviteti por ndërtimi me kontributin e përbashkët i një shoqërie të tillë. Pa pikën e mëdyshjes sakrifica shqiptare në shekuj për të ndërtuar një shoqëri në këtë model shërben si një rast unik e mbarëboteror, një shembull që duhet ndjekur, përkrahur e inkurajuar për të ndërtuar një rend të paqtë.”
Kryeredaktori i së përditshmes 'Koha Jonë', Qamil Xhani, mendon se një aktivitet i tillë është në kontekstin e zhvillimeve globale, ku vitet e fundit bota po përballet me rikthimin në skenë të radikalizmit fetar. Jemi në kushtet kur keqinterpretimi i fesë po cënon ekuilibrat gjeopolitikë në Lindjen e Mesme, thotë Xhani për Deutsche Welle-n.
“Nxitja e urrejtjes fetare dhe ushqimi i ndasive mes besimeve ka sjellë eksode të paimagjinueshme në zonat e konfliktit në Lindje, me pasojat e së cilës po përballet sot Ballkani dhe Europa. Konfliktet kanë koniunktura rajonale, politike, ekonomike, por gjithnjë e më tepër po bëhet e qartë, se zjarri që i mban ndezur dhe i ushqen ato ka për bazë ekstremizmin fetar. Radikalizmi dhe terrorizmi tashmë nuk janë më një problem rajonal, por një kërcënim global. E në një botë që ndryshon me shpejtësi, as vende si Shqipëria që e kanë traditë bashkëjetesën fetare, nuk janë të imunizuara”.
Xhani vlerëson si shumë të rëndësishëm rolin e komuniteteve fetare në ruajtjen e harmonisë, që sipas tij paraqitet edhe më i rëndësishëm se ai i institucioneve shtetërore. “Shembujt e fundit të ekstremizmit fetar dhe organizatave terroriste janë ‘leksione' për mënyrën sesi keqinterpretimi i librave të shenjtë nga një komunitet i caktuar fetar mund të sjellë kaos dhe krijimin e konflikteve të paimagjinueshme. Në raportet mes shteteve, për aq kohë sa besimi fetar do të identifikohet me kombin, krerët e besimeve janë jo vetëm predikuesit e fjalës së Zotit, por kanë në dorë edhe luftën apo paqen mes vendeve. Sekreti, nëse mund të ketë një të tillë, mbetet vetëm tek komunikimi mes të ndryshmëve, njohja e tjetrit dhe pranimi i kulturave të tjera, gjithmonë në funksion të paqes”.
Presidenti Bujar Nishani duke përshëndetur tubimin përmbyllës të këtij eventi ndërkombëtar, nënvizoi se përzgjedhja e Shqipërisë në një aktivitet të këtyre përmasave nuk mund të jetë rastësore, si për të sotmen ashtu dhe për historinë e vendit. “Krishtërimi dhe Islami, Katolicizmi dhe Ortodoksia, Sunitët dhe Shiitët janë realiteti ynë i bërë histori e si e tillë, vetëdija e gjithsecilit. Historia në këtë rast me plot gojë mund të thuhet se është mësuese e jetës. Ndër shekuj shqiptarët që u identifikuan me këto fe kanë dhënë një kontribut cilësor në historinë e civilizimit dhe të religjioneve, kontribut që përmbledh emra shenjtorësh e martirësh, papësh e patriarkësh, hoxhallarësh e shehlerësh, dijetarësh e shkencëtarësh, shkrimtarësh e historianësh”.
Marrë nga Deutsche Welle