Anjshtain, një rebel plot me kontradikta
“Heretik për disa dhe reaksionar për disa të tjerë; një njeri që, si të thuash, i mbijetoi vetvetes: ja se si më përshkruajnë bashkëkohësit e mi”: pikërisht kështu, me një pamje rrufeje, Albert Einsteini – në një letër të 28 marsit 1949 drejtuar mikut të tij të shtrenjtë, Maurice Solovine, fizikan dhe matematicien rumun – e përshkruan portretin kontradiktor të vetvetes, të pikturuar prej bashkëbiseduesve.
“Ju imagjinoni – këmbëngul ai me autoironi – se unë shoh me kënaqësi veprën e jetës sime. Por, i parë nga afër, realiteti është shumë ndryshe. Nuk ka as edhe një ide të vetme për të cilën unë jam i bindur se do i qëndrojë kohës”.
E megjithatë, njëqind vjet pas zbulimit të të famshmes formulë të relativitetit të përgjithshëm, shkencëtari gjenial vazhdon të kujtohet si një prej mendimtarëve më të mëdhenj të historisë së njerëzimit.
Jo vetëm kaq, në vitin 1999, në një sondazh të kryer nga revista “Bota e Fizikës”, njëqind fizikanët më të rëndësishëm të botës e kishin zgjedhur në vendin e parë në historinë e kësaj disipline, përpara Njutonit dhe Maksuellit (në dhjetor të po të njëjtit vit, revista Time i ka kushtuar kopertinën, duke e quajtur “personalitetin e shekullit”).
Por gjatë Nëntëqindës, mbi të gjitha mbas marrjes së Çmimit Nobel në vitin 1921, miti i Einsteinit fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm në të gjithë fushat e kulturës: nga muzika (Beatles, Dylan, Clarkson, De Andre) tek kinemaja (Einstein i Liliana Cavanit), dhe letërsia (“Vajza dhe profesori” i Jean Claude Carriere, “Endrrat e Einsteinit” i Alan Lightman), që nga opera (“Einsteini në plazh” i Philip Glass) deri tek piktura (mendoni për serinë e portreteve të realizuar nga Andy warhol).
Dhe gjithmonë nga Einsteini, kanë marrë emrin, përveç shumë çmimeve të shquar shkencorë, edhe ndërtesa, rrugë, shkolla, laboratorë, një krater në Hënë, një asteroid, stacione metroje, lodra fëmijësh, lojëra elektronike, miniseri për fëmijë.
Në fakt, 2015-a do të jetë viti i Einsteinit. Studiues nga e gjithë bota, në fakt, janë mobilizuar për të përkujtuar njëqind-vjetorin e zbulimit të formulës së relativitetit: cikli i festimeve u hap në janar në Jerusalem, nga Fituesi i Çmimit Nobel për Fizikën, David Gross, ndërkohë që mbledhje dhe konferenca do të zhvillohen në universitete prestigjozë dhe qendra kërkimore në Cambridge, Berlin, Paris, Boston, Princeton, Romë, Vjenë, San Francisco etj.
Mistik dhe laik, pacifist dhe ideues i bombës atomike, konservator dhe progresist, realist dhe ëndërrimtar, vetmitar dhe njeri i shoqërueshëm, egoist dhe altruist, krenaria e Shteteve të Bashkuara dhe njeri i vëzhguar nga FBI, Einsteini ia ka dalë gjithsesi që të heqë nga vetja çdo lloj etiketimi të ngurtë.
Për pjesën tjetër, mjafton të këqyrësh me vëmendje albumin e fotografive të tij, për të gjetur edhe aty lojën e të kundërtave: shkencëtari serioz që zbardh formula mbi një dërrasë të zezë, apo që diskuton gjallërisht me kolegët e tij dhe shkencëtari shpërfillës i cili i lodhur, gjatë festës së ditëlindjes së 72, nuk heziton të flasë me fjalë të ndyra, një skenë që hyri në histori prej fotografisë së famshme të Arthur Sasse.
Një dëshmi e apasionuar e rrugëtimit të tij të pasur dhe kompleks njerëzor dhe intelektual është e dokumentuar në dy vepra shumë tërheqëse: Autobiografi Shkencore (1949) dhe Mendime për vitet e vështirë (1950).
Në këta tekste – dhe në shkëmbimet me Michele Besso, Max Born, me Maurice Solovine, me Sigmund Freud dhe shumë shkencëtarë dhe intelektualë të tjerë bashkëkohorë – mund të gjenden temat e mëdha që kanë qenë gjithmonë në qendër të ekzistencës së tij: marrëdhënia mes shkencës dhe dijeve të tjera (letërsia, filozofia, arti), kundërshtimi i dogmave, dyshimet për mekanikën kuantike, dialektika mes eksperiencës dhe teorisë, refuzimi i nacionalizmit, horrori i shkaktuar prej shfarosjes së hebrenjve nga ana e nazistëve, vëmendja për edukimin e të rinjve dhe shkolla, nevoja për krijimin e një qeverie botërore, shqetësimi për masmediat që i shërbejnë pushtetit, roli i intelektualëve në ndërtimin e paqes, ndërfutja e rrezikshme e militarizmit në kërkimet shkencore dhe në zgjedhjet politike të shteteve, shqetësimi për dekadencën morale, lufta e pandalur për lirinë.
Einsteini zbulon se dashuria për dijen i ka rrënjët që në fëmijërinë e tij, kur, rreth moshës katër apo pesë vjec, i ati i kish treguar një busull: “Fakti që ajo shigjetë sillej në atë mënyrë nuk përputhej aspak me natyrën e fenomeneve që mund të gjenin vend në botën time konceptuale të asokohe, e gjitha e bazuar në eksperiencën e drejtpërdrejtë të “prekjes”. Nga ajo eksperiencë, e ngritur mbi përplasjen mes “një bote të koncepte të qëndrueshëm” dhe diçkaje të re që i kundërvihej, vogëlushi Einstein kuptoi që në krye të herës se “prapa gjërave duhet të kishte diçka thellësisht të fshehur”. Dhe pikërisht nga “mrekullia” – ndoshta në shkrimet e tij, shkencëtari aludonte për pasazhet e famshëm të Metafizikës së Aristotelit: “njerëzit kanë filluar të filozofojnë për shkak të mrekullisë” – lind nevoja për të kërkuar më shumë dije.
Mendimtar i lirë
Kështu, në moshën 12 vjeç, përmes leximit të “librave të divulgimit shkencor”, Einsteini u bind se “shumë histori që rrëfente Bibla nuk mund të ishin të vërteta”. Dhe pikërisht ai “shumë fetar” – ndonëse “bir i prindërve (hebrenj) tërësisht jofetarë” – bëhet një “mbështetës shumë i flaktë i mendimit të lirë, duke bashkuar me fenë e re, përshtypjen se të rinjtë gënjehen qëllimisht nga shteti me mësime të gënjeshtërt”. Në fakt, pikërisht në këta vite maturohet një refuzim i “makinës edukuese tradicionale” deri sa përshtat një “qasje dyshuese kundër çdo lloj autoriteti”.
Mbi këto baza solide – të karakterizuara nga lufta kundër çdo lloj dogme dhe autoriteti – i riu Einstein hedh bazat e pasionit për studimin e të vërtetës, që do të jetë shenja dalluese e të gjithë jetës së tij.
Faqet që i kushtohen mësimit dhe shkollës meritojnë që të mësohen përmendësh nga ligjvënës dhe profesorë.
Mbi të gjitha nevoja për të ruajtur “kuriozitetin hyjnor që çdo fëmijë i shëndetshëm e zotëron, por që shumë shpesh, me kalimin e moshës, mbytet”.
Përdorimi i “frikës, i forcës dhe autoritetit fals është sistemi më i keq i mësimdhënies, sepse shkatërron ndjenjat e shëndetshme, sinqeritetin dhe besimin në vetvete të nxënësit”, dhe përfundon duke prodhuar “thjeshtë njerëz të nënshtruar”. Nuk nevojiten mjete detyrues, sepse “respekti i nxënësit duhet të lindë vetëm prej cilësive njerëzore dhe intelektuale të vetë mësuesit”.
Reflektimet mbi efektet negativë të specializimit të programeve shkollorë tingëllojnë si një paralajmërim shumë aktual kundër zgjedhjeve të një klase politike miope, e cila shtyn gjithnjë e më shumë drejt “profesionalizimit” të shkollave të mesme, deri sa të shkatërrohet tërësisht roli i arsimit klasik dhe vlera thelbësore e dijes në vetvete.
“Shkolla – vazhdon Einsteini – duhet të ketë si qëllim formimin e personaliteteve të harmonishëm, jo të specialistëve”. Dhe kjo është e vërtetë edhe “për shkollat teknike, në të cilat studentët dedikohen për të marrë një profesion të caktuar”. Objektivi parësor i mësimdhënies, pra, duhet të përkojë me “zhvillimin e sjelljes së përgjithshme, për të menduar dhe gjykuar në mënyrë të lirë, dhe jo për përftimin e dijeve të specializuara”. Sepse nëse “një person zotëron parimet themelorë të sektorit të tij dhe ka mësuar të mendojë dhe punojë në mënyrë të pavarur, me siguri që do ta gjejë rrugën e tij, dhe po kështu do të jetë në gjendje të përshtatet me progresin dhe me ndryshimet, më shumë se sa një person, arsimi i të cilit konsiston kryesisht në përftimin e një dijeje të specializuar”.
Përballë dilemës së famshme – “duhet të dominojë kultura letrare, apo formimi teknik dhe shkencor?” – Einsteini përgjigjet duke e konsideruar si dytësore për nga rëndësia këtë pyetje.
“Nëse një i ri ka stërvitur muskujt e tij dhe rezistencën fizike me gjimnastikë dhe me ecje të gjata, më vonë ai do të jetë i përshtatshëm për cdo lloj pune fizike”. Kjo gjë “është e vërtetë edhe për stërvitjen e mendjes. Për këtë arsye, nuk kam aspak dëshirë që të marr një pozicion në luftën mes atyre që mbrojnë arsimin klasik, historiko-filologjik, dhe atyre të një formimi më të prirur tek shkencat natyrore”.
Praktikimi i dialogut
Einsteini e njihte mirë rëndësinë e dialogut mes filozofisë dhe shkencës. Dhe studiuesit e tij e dinë mirë se sa peshë kanë patur në formimin e tij, netët e gjata të kaluara me COnrad Habichtin dhe Maurice Solovine, për të diskutuar mbi fizikën, letërsinë, mendimtarët e mëdhenj klasikë dhe modernë.
Pikërisht në ata vite në Bernë – në brendësi të të famshmes Akademia Olimpia, palestër e diskutimeve të lirë antiakademikë, e themeluar në vitin1902 – do të maturoheshin farat e një bindjeje që do ta shtynte që të mendonte se është themelore për një shkencëtar që të kuptojë “vlerën edukuese të metodologjisë, të historisë dhe të filozofisë së shkencës”. Njohja e sfondit historik dhe filozofik e ndihmon njeriun e shkencës që të clirohet nga paragjykimet: “Kjo pavarësi e analizës filozofike – shkruante në vitin 1944 në një letër drejtuar fizikanit Robert Thornton – është, sipas gjykimit tim, shenja dalluese mes një artizani të thjeshtë dhe një kërkuesi origjinal të të vërtetës”.
Por ka edhe më: “Kërkuesi origjinal i të vërtetës ndjek pa kufizime interesat e tij, i vënë në lëvizje, mbi të gjitha, prej kënaqësisë së të menduarit: Kur unë nuk kam ndonjë problem të veçantë të cilit t’i kushtohem, argëtohem duke rindërtuar provat e teoremave matematikore dhe fizike, të cilat i njoh prej kohësh. Nuk ka asnjë dobi kjo: bëhet fjalë vetëm për përftimin e kënaqësisë së të menduarit”.
Dhe në një letër drejtuar Carl Seeligut në 11 mars 1952, Albert nuk heziton të shprehë në mënyrë eksplicite pasionin e tij për kuriozitetet (“Nuk kam asnjë talent. Jam thjesht një kurioz i apasionuar”). Ja përse qëllimi i atyre që duan kërkimin shkencor, nuk mund të jetë ai i fitimit të parave: “Edhe mua më duhej të bëhesha inxhinier. Por mu duk e patolerueshme ideja e aplikimit të gjenisë krijuese, për qëllimin e trishtë të fitimit të parave. Duhet të mendosh thjeshtë për kënaqësinë e të menduarit, si në muzikë”.
Einsteini, i cili ashtu si një cigan ka përshkuar gjithë botën, fton që të përshkohet pikërisht si ciganë, aventura e dijes. Arti dhe shkenca “kanë për qëllim fisnikërimin e jetës së njeriut, duke e lehtësuar individin nga sfera e ekzistencës së pastër fizike dhe duke e shtyrë atë drejt lirisë”. Pikërisht në “bukurinë e krijimit artistik dhe të zhvillimit logjik të mendimit, qenia njerëzore gjen kënaqësitë më të holla e të rafinuara”.
Pikërisht ai – shkencëtari hebre, që denonconte mizorinë e nazistëve – kishte shprehur në mënyrë kurajoze, në emër të refuzimit të tij plot bindje ndaj çdo forme të nacionalizmit, dyshime në lidhje me krijimin e një shteti hebre: “Unë do të konsideroja më të arsyeshme – shkruante në 1938 – një marrëveshje me arabët mbi bazën e një marrëveshjeje paqësore, se sa krijimin e një shteti hebre… Vetëdijësimi im për natyrën e veçantë të judaizmit i kundërvihet idesë së një shteti hebre me kufij, me një ushtri… Kam frikë për dëmin e brendshëm që buron prej judaizmit, sidomos në zhvillimin e një nacionalizmi të ngushtë”.
Shkencëtar militant
Në brendësi të këtij horizonti moral – ku bazohen kërkimi për të vërtetën dhe nevoja për t’u ndjerë në shërbim të njerëzimit – shkenca dhe jeta e Einsteinit shkrihen dhe bëhen një e vetme.
Militantizmi i shkencëtarit për njohjen e sekreteve të natyrës përkon me militantizmin e njeriut për ndërtimin e një njerëzimi më human.
“Shqetësimi për njeriun dhe fatin e tij – shpjegonte Einsteini – duhet të përbëjë gjithmonë interesin parësor të të gjithë përpjekjeve të krijueshmërisë shkencore. Mos e harroni asnjëherë, në mesin e diagramave dhe ekuacioneve tuaj”. Kështu, shkenca bëhet jetë dhe jeta bëhet shkencë.
Nuk e kujtojmë Einsteinin vetëm për zbulimet e tij të jashtëzakonshëm shkencorë. E kujtojmë – tani që erërat e luftës kërcënojnë zemrën e Europës – edhe për thirrjet e tij në favor të paqes dhe për kritikat e forta kundër tregtarëve të armëve, të etur për para (“Shtetet kishin marrë premtime për liri dhe drejtësi. Por ne kemi qenë dëshmitarë të spektaklit të trishtë që ofrojnë ushtritë e ‘çlirimit’, që qëllojnë kundër popujve që duan pavarësinë e tyre dhe barazinë sociale”).
E kujtojmë – tani që pabarazitë ekonomike po shtyjnë drejt urisë miliona qenie njerëzore – për betejat e tij kurajoze në mbështetje të drejtësisë dhe të barazisë sociale (“Bota kishte marrë premtime për clirim nga nevoja, por shumë njerëz gjenden në mjerim, ndërkohë që të tjerë jetojnë në bollëk”).
E kujtojmë – tani që korrupsioni dhe lufta për pushtet përhapen gjithnjë e më shumë në parlamente dhe në shoqëri – për kritikat e tij të ashpra kundër dekadencës morale (“Pjesa tjetër e botës është mësuar dalëngadalë me këto simptoma të dekadencës morale. Kemi humbur aftësinë elementare të reagojmë kundër padrejtësisë dhe për drejtësinë, një reagim ky që në fund të fundit përbën të vetmen mbrojtje që ka njeriu ndaj rënies në barbari”).
E kujtojmë – tani që antisemitizmi, diskriminimet racore dhe urrejtja kundër imigrantëve janë bërë instrumente të propagandës elektorale – për dënimin e vendosur që i bënte cdo forme racizmi dhe paragjykimi (“Unë besoj se të gjithë duhet të vetëdijësohemi sa më shpejtë se sa i padenjë dhe fatal është paragjykimi tradicional ndaj zezakëve”).
Por do ta kujtojmë mbi të gjitha – tani që egoizmi dhe përçmimi i të mirës së përbashkët dominojmë pa asnjë kundërvënie – për atë që na këshillonte në gazetën New York Times, në 20 qershor të 1932-shit: “Vetëm një jetë e jetuar për të tjerët është një jetë e denjë për t’u jetuar”.
NS-Bota.al