Anti-Korrupsioni si vigjilencë revolucionare

Nga Mero Baze

Një infermiere e filmuar duke pranuar një bakshish 200 lekësh, u bë viktimë e një gjykimi të pamëshirshëm publik dhe ndaj saj u morën masa të menjëhershme pezullimi dhe nisi procesi hetimor. Fatkeqes, i ndodhi kjo gjëmë ditën që kryeministri po prezantonte një platformë anti-korrupsion, që në thelb ishte një soft denoncimi online, i cili kërkon ndihmën e qytetarëve për të denoncuar korrupsionin.

Në thelb, ajo që i ndodhi infermieres është ajo çfarë kërkon dhe platforma online e korrupsionit, që populli të denocojë korrupsionin. Nuk kam gjë me këtë thirrje, e cila ka të bëjë më shumë me edukimin e masave se sa me betejën reale kundër korrupsionit. Të bësh partner qytetarët kundër abuzimeve është një prioritet që i jepet një administrate, e cila presupozohet që është e pastër, por që ia degradojnë imazhin ca njerëz poshtë.

Kjo formë është një betejë kundër rryshfeteve të vogla dhe bashkisheve. Në të vërtetë, format më malinje të korrupsionit në Shqipëri nuk janë rryshfetet e vogla dhe bakshishet. Rasti i infermieres ishte një rast klasik bakshishi, i cili në kulturën tonë si shoqëri është thuajse legjitim. Kur dikush të lë 200 lekë bakshish dhe për më tepër kur atë nuk ia ke kërkuar, më shumë se sa korrupsion është një kulturë orientale e shpërblimit. Nuk jam partizan që ta pranojmë, por as që të shtiremi si heronjë kur kapim viktima të tilla, pasi ato më shumë se sa na imponohen janë krijesa tonat.

Korrupsioni në Shqipëri, format e tij më malinje i ka në infrastrukturën e pushtetit. Forma më e lartë dhe e hidhur e korrupsionit që ende nuk ka sukses të luftohet, është kapja e shtetit. Kapoja e shtetit në Shqipëri është një fenomen, i cili pas viteve 2000 u përsos. Të kapësh shtetin,d.m.th ta kthesh atë në një shërbëtor të bizneseve të tua duke përdorur politikën dhe ligjet në Kuvend, nuk është shkelje formale. Të gjithë e mbajmë mend Berishën që thoshte se e bija e tij ka të drejtë t’i kërkojë 3 milionë euro për një firmë biznesmenit nga Pakistani se është avokate, duke injoruar fjalinë që ato lekë jepeshin, se ajo i siguronte firmën e babait Kryeministër. Pra, kishte kapur shtetin. Të gjithë e mbajmë mend Sandër Frangajn, që për të marrë dhe për të kthyer në pronë private Kinostudion ndërroi tre herë VKM-të e qeverisë për ligjin e afiteozës, ku gjashtë muaj kishin të drejtë pronarët të ishin të parët pastaj nuk kishin të drejtë pronarët, pastaj kishte të drejt t’i privatizonte ai që i kishte marrë sipas VKM-së së parë. Pra zyrat e shtetit prodhonin ligje për një njeri që donte të rrëmbente një pronë. Ia kishte vënë syrin, e rrëmbeu dhe për këtë përdori ligjet që prodhoi vet. Po kështu bën plot biznesmenë të tjerë afër Berishës, të cilët e kthyen shtetin në shërbëtor të tyre. Ligjërisht këta biznesmenë nuk janë hajdut dhe nuk kanë bërë asnjë shkelje. Ata thjesht kanë detyruar pushtetin tu vërë shtetin në dispozicion.

Rasti më flagrantë i kësaj historie është kompania “Bechtel Enka”, dy gjigand ndërkombëtar, të cilët detyruan pushtetin e Sali Berishës me shumë dëshirë të prodhonte për të një procedurë ekstra ligjore, që ata të ndërtonin 60 km autostradë me një çmim 1,2 milardë euro, sipas parimit sa të dalë kostoja e një kilometri. Ministri i Transportit që firmosi këtë skandal u mor i pandehur, por ia doli, që nga lekët e tepruara nga ky pazar t’i shmangej gjykimit me procedure. Dhe sot është kryetar i opozitës duke u ankuar se qeveria nuk ka çuar asnjë zyrtar të lartë para ligjit. D.m.th ka harruar që vet ia ka mbathur nga dyert e gjykatës.

Kapja e shtetit vazhdoi dhe pas 23 Qershorit, në mos si një traditë që evoluonte, si një traditë që ruajti dhe nuk preku në thelb askënd nga ata që kishin kapur shtetin. Asnjë koncesion i rëndësishëm apo proces korruptiv privatizimi nuk u anulua nën ndikimin politik, çka do të thotë se në oborrin e të njëjtit pushtet mbërritën klinetët e vjetër. Ky është korrupsioni i nivelit më të lartë, nga të cilat vuajnë shtete me demokraci të përzier si Shqipëria dhe ku liria ekonomike është një term i diskutueshëm për shkak të kapjes së shtetit.

Në këtë pikë nuk ka nevojë për denoncime online, por ka nevojë që Kryeministr të ulet seriozisht në tavolinën e punës dhe të shikojë se si është kapur shteti dhe si ç’montohet ai nga këto tentakula. Mund t’i mjaftojnë një grup ekspertësh të zot ta bëjnë këtë, ose qoftë edhe një prokuror që nuk bën qoka.

Forma e dytë, më e hidhur e korrupsionit janë abuzimet me prokurimet publike. Shteti është punëdhësi më i madh dhe investitori më i fuqishëm në vend dhe mënyra se si ai shpërndan fondet publike, është një shembull me efekt të madh për ndershmërinë dhe betejën kundër korrupsionit. Kjo betejë ka nevojë për rregulla të qarta dhe transparencë maksimale por dhe për reforma të forta të ligjit, që ta bëjnë realiste garën mes kompanive që konkurrojnë për t’i shërbyer shtetit. Edhe kjo nuk ka nevojë për denoncime online.

Niveli i tretë i korrupsionit janë rryshfetet e zyrtarëve të vegjël dhe të mesëm, atyre shushunjave që kur u shkon në zyrë dhe u thua hallin, thjesht u ke dhënë një mundësi që ta blesh me lekë hallin tënd. Këtu besoj bën punë kjo historia e denoncimeve online apo vetëpërgjimeve popullore siç po ndodh në çdo vend. Zyrat e këtij shteti janë plot me njerëz të tillë dhe është mirë që ata të monitorohen nga shoqëria edhe përmes kësaj platforme. Por më lehtë se sa nga kjo platformë, e cila I jep shans vetëm 10 për qind të popllsisë që përdor internet, ata do ta kishin të vështirë të korruptoheshin, nëse nuk do të ekzistonin format e mësipërme të korrupsionit, ato të kapjes së shtetit dhe përvetësimit të fondeve publike. Ata thjesht e shikojnë atë zyrë si një copë të vogël që u ka rënë në dorë, ndryshe nga shefat e tyre. Dhe bëjnë “kërdinë aty”, duke filluar nga 200 lekëshi deri tek 2 mijë lekëshi. Ky ishte dhe targeti kryesor I kësaj platforme. Nuk është gabim, por nuk është e plot, dhe aq më tepër nuk është një ndërhyrje në system. Është një monitorim I vesit dhe jo një prerje mundësie për ta ushtruar atë. Dhe sic ka thënë Edi Rama dikur, këtu problem është sistemi, jo veset e njerëzve. Ai duhet rregulluar. Atje ku ai është rregulluar, priten vetë shanset për korrupsion. Nëse vazhdojmë të merremi me veset e njerëzve, do krijojmë një perceptim kriminal për cdo profesion që ka mbetur brenda sistemeve të pareformuara. Kështu gjithë bluzat e bardha do na duken faqezinj për shkak të 2 mij lekshave, gjithë mësuesit do na duken si Luiza për shkak të ryshfeteve dhe kështu me rradhë. Në të vërtet kjo është cështje e reformimit të sistemeve ku shërbejnë dhe misioni I këtij pushteti nuk është të rris vigjilencën revolucionare ndaj hajdutëve, port ë mbyll mundësitë ligjore dhe faktike që ata të jenë të tillë.

Nuk jam kundër që këtë kategori, këta po ja hedhin si një kërm popullit, që  t’i shqyej dhe të kënaqet, por puna jonë si shoqëri dhe së paku si gazetarë është të drejtojmë gishtin aty ku është kapur shteti dhe ku firojnë miliarda, jo ku futet ndonjë 2 mijë lekësh i vjetër në xhepa infermieresh dhe i turremi asaj të gjithë si histerikë.  Se pastaj na ndodh siç ndodhi sot, që kur ne ishim duke copëtuar një infermiere për 2 mijë lekëshin e vjetër, del Lulëzim Basha që ka zhdukur 200 milionë euro dhe thotë nuk ka shkuar asnjë ministër para ligjit. Dhe s’ka faj. Ndoshta dhe ai e ka marrë në fillim seriozisht këtë qeveri dhe ka pritur ta çojë edhe atë përsëri para gjykatës që iu fsheh!

Marrë nga gazete "Tema"

SHKARKO APP