Antonio Gramshi, jeta e një intelektuali
Nga Eridion Gjetja –
Më 22 janar të 1891 lindte nga një familje me origjinë Arbëresh – në Ales provincën e Oristanos, në Sardenjen perëndimore – Antonio Gramshi. Politikan, mendimtar dhe gazetar, konsiderohet si një nga intelektualët më të rëndësishëm të shekullit të XX në Itali. Zgjuarsia dhe intelekti i tij, dukshëm mbi mesataren, e vendosin në qëndër të vëmendjes së një nga profesorëve të tij i cili e ndihmon të publikojë artikullin e parë në gazetën l’Unione Sarda. Në moshën njëzet vjeçare Gramshi fiton një bursë pranë Universitetit të studimeve të Torinos ku do transferohej për vitet në vazhdim. Ishte koha e shpërthimeve të ideve politike, të rritjes së kërkesave për më shumë të drejta nga ana e punëtorëve. Ardhja në qytetin më të industrializuar të Italisë e vendos Gramshin në kontakt me realitetin dhe vështirësitë e klasës punëtore. Pikërisht këtu do të gjente terren pjellor për t’iu përkushtuar aktivitetit politik. Janë vitet e para te militancës socialiste, fillon të shkruaj për gazeten Il Grido del Popolo, frekuenton qarqet punëtore ku shpesh here merr edhe fjalën. Lajmet e revolucionit bolshevik të 1917-ës do të ndikonin drejt për drejt në zhvillimin e një fryme rebelimi të punëtorëve italianë. Në këto kushte Gramshi, që ndërkohë kishte avancuar në hierarkinë e partisë socialiste italiane, do të fillonte ti afrohej rrymës së ekstermizmit të majtë me në krye Amadeo Bordigën. Kontraditat dhe fryma konfliktuale brenda Partisë Socialiste do të çonin në themelimin e partise komuniste italiane dekretuar në kongresin e Livornos më 1921. Kjo ndarje u bë e mundur edhe nga mbështetja që Internacionalja komuniste me në krye Leninin i dha partisë komuniste italiane në të cilën tashmë militonte edhe Antonio Gramshi. Pesha e tij brenda partise së re u duk qartë kur u ftua për të marrë pjesë në kongresin e tretë të internacionales në Moskë ku dhe u zgjodh anëtar i bordit ekzekutiv të saj. Këtu njohu dhe Julia Schucht e cila do të bëhej dhe bashkëshortja e tij më vonë. Ardhja në pushtet dhe forcimi i Benito Musolinit do të detyronte të gjithë opozitarët e pabindur të vepronin në klandestinitet ose të arratiseshin. Gramshi që ndërkohë ishte zhgjedhur deputet do kthehej nga Viena më 1924 i mbrojtur nga imuniteti i parlamentarit.
Arrestimi i tij do të vinte në nëntorin e 1926-ës me akuzat e agjitacionit, kospiracionit dhe nxitjes së urrejtjes ndaj klasave. Dy vite më pas do të dënohej me 20 vite heqje lirie nga të cilat vetëm 4 do ti kryente në burg. Për shkak të gjendjes së tij shendetësore do të transferohej në një shtëpi kure ku dhe do gjente vdekjen më 1937.
Aktiviteti i tij i palodhur, politik por dhe editorial, e vendos Gramshin në olimpin e mendimtarëve dhe intelektualëve italian të shekullit te kaluar. Disa nga shkrimet e tij më interesante janë Letrat nga burgu dhe Fletoret nga burgu të publikuara pas vdekjes së autorit. Simbol i antifashizmit Gramshi për shumë aspekte duhet konsideruar si një idealist. Ëndrrat dhe vizioni e tij janë shumë larg sistemeve diktatoriale që u instauruan pas vdekjes së tij në shumë vende të botës. Qeveritë jo liberale “ku ekziston një parti e vetme totalitare” janë të destinuar te dështojnë thoshte ne fletoren 17. Gramshi deklarohej hapur kundër politikave represive pikërisht si mospajtim me mohimin e të drejtës për të pasur një opinion ndryshe.