Arben Ahmetaj: E vërteta e ekonomisë me shifra dhe fakte

Vetëm nga kjo lëvizje janë 110-120 milionë dollarë në vit, që me taksën e sheshtë, nuk do të ishin në xhepat e shqiptarëve. Në katër vite, është afërsisht 480 milionë dollarë dhe jam gati ta bëj llogarinë kategori më kategori, për ta verfikuar dhe sfiduar nëse doni, si statistikë…

Nga Arben Ahmetaj*

Kur flasim këtu duhet t’i referohemi të vërtetës në mënyrë që asnjë nga ne këtu të mos thotë gënjeshtra, ose kur zgjedh të thotë gënjeshtra, sigurisht të përballet me të vërtetën zyrtare, se e vërteta përtej shifrave nuk është e vërtetë.

Do t’i referohem rritjes së pagave dhe pensioneve dhe ftoj këdo nga ju të shohë në retrospektivë cfarë ka ndodhur me rritjen e pagave dhe pensioneve dhe do të ndalem në dy aspekte të rëndësishme për publikun shqiptar.

E para dhe mbi të gjitha është taksa progresive. Do t’ju bëj një llogari aritmetike të gjithë kolegëve, që ka të bëjë me të vërtetën jo vetëm statistikore, por me të vërtetën sesi një alenacë e majtë bën një lëvizje fiskale e cila i kursen qytetarëve shqiptarë të punësuar, 540 milionë dollarë në katër vite, llogari aritmetike.

Një vit pasi ne aplikuam taksën progresive në 2014, verifikojeni, në Objektivat e Mijëvjecarit nga Kombet e Bashkuara është sugjeruar se progresivitetië shtë një nga instrumentat më të shëndetshëm të shpërndarjes së pasurisë dhe uljes së varfërisë, ku një I pasur në të dejtë të vetë po edhe në të drejtë të shtetit, taksohet më shumë.

Vetëm nga kjo lëvizje janë 110-120 milionë dollarë në vit, që me taksën e sheshtë, nuk do të ishin në xhepat e shqiptarëve. Në katër vite, është afërsisht 480 milionë dollarë dhe jam gati ta bëj llogarinë kategori më kategori, për ta verfikuar dhe sfiduar nëse doni, si statistikë.

E pra, kur bëjmë pyetjen pse është rritur konsumi, ky është një nga faktorët e parë pse është rritur konsumi. Ne jemi një Aleancë e majtë që fokusohet tek shtresat në nevojë dhe shtresat e mesme, pa cënuar asnjë të drejtë të sipërmarrjes, apo të pasurve të kërtij vendi, që janë aset kombëtar.

E dyta, janë 100 milionë dolarë, që nuk ka ndodhur kurrë, të shkojnë në një vit për rritje pagash dhe pensionesh. Mos u tallni me pensionistët kur I kujtoni filxhanin e kafesë; 3% është nga 4-8 mijë lekë të vjetra në muaj për shtresa të ndryshme; janë 643 mijë pensionistë në Republikën e Shqipërisë, 1% rritje është 12 milionë dollarë; është vend që ka një raport 1 me 1 të punësuar me pensionistë. 4-8 mijë lekë sigurisht që nuk janë kurrë mjaft, por janë të rëndësishme dhe dua t’I kujtoj kolegut parafolës që është kjo mazhorancë që solli pensionin social.

E dini I nderuar miku im (z. Blushi) që në nga kolegët e djathtë tha “nuk meritojnë të kenë pension social ata që nuk kontribuojnë”?! Në logjikën dhe botën e tyre kjo mund të ishte gjëja e duhur. Në botë tonë, ne nuk I braktisim njerëzit në nevojë dhe ato 75 mijë lekë të vjetra në muaj që janë pension social, ështe e vërteta e kësaj mazhorance, kujdesi për ata në nevojë. E dini cfarë është pensioni social? Një e moshuar 70-vjeçare, në ditën e parë të vitit të 71 të jetës, për shkak se nuk ka kontribuar për arsye të drejta apo të padrejta, e gjen veten në mes të rrugës. Në botën tuaj, ju e lini në mes të rrugës. Në botën tonë, ka minimalisht një pension social, që gjithsesi nuk është mjaft, por ka një pension social. Këtë bëri kjo mazhorancë dhe e bëri kjo qeveri dhe u votua nga kjo mazhorancë.

Debate për koncesionet, jam gati ta mbaj debatin me ju për koncesionet gjithë ditën. Dhe po ju sqaroj, mjafton ta lexoni relacionin e Buxhetit 2017 dhe duhet ti jepni kredite relacionit se për herë të parë është i detajuar. Ka një rregull atje dhe e kemi vënë ne. Koncesionet brenda tavaneve buxhetore, nuk financohen më shumë se 5% e të ardhurave tatimore. Është e rëndësihme, s’ka ndohur kurrë kjo.

Së dyti, po ju marr një koncesion. Ndërtimi, operimi, transferimi i HEC mbi lumin Devoll. Rimbursimi i ndërtimit të rrugëve zëvendësuese është 12-13 mln USD. E dini çfarë është apo jo? Është një koncesion i dhënë drejtë para 6-7 vitesh. I dhënë drejtë dhe në kontratën e vet, ka një kondicion për Qeverinë shqiptare, kondicion kontraktual, të ndërtojë rrugën lidhëse e cila kushton 49 mln Euro nëse nuk jam gabim me 2-3%. Po çfarë doni ju? Të ndërtojmë një hidrocentral dhe të lemë një territor të tërë të palidhur?

Doni një koncesion tjetër? RAPISCAN. 9 mln USD paguan qeveria për skanimin në doganë. Por çfarë doni ju, të lëmë fasonin, gjithë industrinë të falimentojë?!  Jo, nuk e bëjmë as atë.

Doni për dializën, që të vdesin rrugës njerëzit në nevojë? Jo! E doni koston? Kosto është e njëjtë me atë që e ka buxheti i shtetit. Mos bëni politikë populiste të gabuar se ju vjen mbrapsht dhe nuk ju beson njeri tek koncesionet. Njerëzit që kanë nevojë për dializë, janë njerëz në nevojë dhe kur ju dëgjojnë ju të flisni për dializën, është e rëndë, por shpresoj të mos ju mallkojnë. Iu është ofruar shërbimi me koston e shtetit dhe është e njëjtë me atë kosto që dikur shërbimi jepej me prokurim. Dhe sot shërbehen më shumë njerëz, dhe shërbimi ofrohet më afër tyre. Doni një parti të majtë, një aleancë të majtë? Kjo është.

Doni koncesionin tjetër? iu referuat laboratorëve, është e njëjta kosto që sot laboratorët e spitaleve të QSUT harxhojnë për operimin e tyre, e njëjta kosto  dhe me të njëjtën sasi parash, ofrohet dyfishi i analizave. Me të njëjtën njësi parash, kemi shërbim më të mirë dhe në finale e gjithë teknologjia e investuar, pas 10 vitesh i ngelet prapë shtetit shqiptar.

Unë e kuptoj që teza e koncesionit, e keqtrajtuar, mund të përdoret si të doni. Është e gabuar. Po jua them se çfarë vjen nga koncesioni përtej kujdesit social.  Janë gati 460 mln USD të sjella nga investimet në koncesione, pa iu referuar Devollit. 460 mln USD që nuk do mund të ishin; ato shërbime nuk do të ishin, ata qytetarë nuk do të shërbeheshin dhe janë qytetarë në nevojë shumica e tyre.

Po check-up-it për çfarë i referoheni? Eshtë domosdoshmëri! Çfarë keni me parandalimin e sëmundjes? Check up është parandalim i sëmundjes! Po, një parti e majtë, një Aleancë e majtë, merr një kosto përsipër, se nuk ua transferojmë qytetarëve. Doni t’jua transferojmë qytetarëve koston, të rrisim çmimet? Jo.  I kemi ulur çmimet e ilaçeve të paktën me 30%.  Nuk ndodh më të fitohet në kurriz të të sëmurëve dhe nuk ka më të sëmurë të pashërbyer. Kjo është diferenca e koncesionit për ju që vini e bëni politikë edhe me sëmundjen.

Ajo që është bërë me koncesionet, merrini një nga një, ju sfidoj madje t’i auditoni të gjitha, të auditoni dhe Rapiscan dhe HEC Devoll. Ta auditoni kontratën. Do kishte HEC po të mos kishte rrugë? Do kishte një HEC dhe do kishtë një popullatë të tërë, të palidhur, të izoluar nga pjesa tjetër e territorit. Prandaj do t’ju sugjeroja modestisht, miqësisht, të lexoni relacionin, se relacioni i buxhetit të shtetit ka të vërteta të mira, ka të vërteta të vështira dhe në finale, prandaj e kemi marrë relacionin fije për fije për ta ndarë me ju, se kjo është trupa që duhet të ndajë edhe hallin, edhe vështirësinë, edhe suksesin. Dhe suksesi ka një shifër: ka rritjen ekonomike, ka reformat që bëjnë të mundur edhe rritjen e pagave dhe pensioneve.

(Replika me z.Astrit Patozi)

Opozitës dhe z. Patozi patjetër, që më bëri një pyetje të qenësishme, do t’i tregoj se çfarë ka ndodhur me të ardhurat për tre vite. Do t’ju sjell paketën e thjeshtësimit të proçedurave që kemi kaluar në parlament me aprovimin e opozitës, në Komision, se këtu s’kishin…. si quhet, s’kishin guxim. S’kishin guxim që ta votonin.

Çfarë i kemi bërë sipërmarrjes? Mos harroni Doing Business, hajde ndonjëherë flisni për Doing Business që u përmirësua gati 32 vende, se i bëni nder Shqipërisë, flisni dhe për këtë siç jeni në kujdes të Integrimit Europian dhe s’e dyshoj.

Vetëm këtë vit, z.Patozi, thjesht për të të informuar, janë 240 milion dollarë të mbledhura më shumë se viti i kaluar. Ndërkohë dua t’ju rikujtoj në respekt të pyetjes që vetëm brenda Doing Business jemi përmirësuar me 45 vende në “paying taxes” pra pagesën e taksave.

Dua t’ju kujtoj që kemi bërë taksën e biznesit të vogël zero. Dua t’ju kujtoj që nëpërmjet taksës progresive kemi ulur taksën për 97% të të punësuarve, në respekt të pyetjes.

Përfundimisht dua t’ju them që ne e morëm me 1% rritje ekonomike dhe në informacionin tuaj kur rritja shkon 1%, aktivizohen masat kundër ciklike për të mos kaluar në recesion dhe sot e kemi 3.4%-3.5% sot dhe shumë shpejt vitin tjetër do ta kemi 3.8%. Do të jemi jo të dytët pas Gjermanisë, do të jemi të dytët në vendet ish-komuniste pas Rumanisë.

*Fjala e plotë e Ministrit të Financave, dje në Parlament

SHKARKO APP