Arben Golemi dhe poetika agresive e pikturës së tij
Nga Luan Rama*
Profile artistësh: Arben Golemi dhe poetika agresive e pikturës së tij
Poetika agresive e pikturës së Arben Golemit, por edhe përjetimet romantike dhe brishtësia e natyrshme, lirizmi dhe spontaneiteti i beftë, por edhe kontrastet e përthyerjet përmes ngjyrash që të imponohen ti kundrosh vëmendshëm e gjatë sipas mënyrës tënde të perceptimit, me gjasë për të kuptuar se ç’ka dashur të shprehë piktori, na shfaqen të ndërthurura natyrshëm me guximin prej krijuesi novator, ç’ka i jep veprës së tij një përmasë dhe vlerë universale.
Punët e Arben Golemit kanë një dinamikë mahnitëse dhe ekspresivitet befasues.
I gjendur përballë kompozimesh që përgjithësisht na vijnë në përmasa të mëdha, ndjen lirinë ta “lexosh” pikturën sipas mënyrës tënde dhe të gjesh në të, atë që ti percepton, i pakushtëzuar nga ajo që ka dashur të shprehë piktori.
Arben Golemi është sot ndër piktorët e rendit të parë mes përfaqësuesve të brezit të vet, që ia ka mbërritur të ketë luksin të identifikohet prej veprës, pa patur nevojë të nënshkruajë në të e pa i shtyrë admiruesit e pikturës së tij të pyesin: e kujt është kjo?…
Nëse do ta besojmë si të vërtetë thënien e Pablo Pikasosë se “një vepër arti është një rrëfim”, atëherë Arben Golemi me profilin e vet autentik e të përveçuar bindshëm prej kohësh përmes një stili sa agresiv aq edhe imponues, ia ka dalë mjeshtërisht të na rrëfejë me vërtetësi universin e shpirtit të tij krijues e të na grishë të bëhemi pjesë në të.
*Zëvendëskryetar i LSI