Argumentet e mjera juridike të Ramës kundër Presidentit
Nga Arian Starova
Prej një dialogu politik shumë shpesh të tejnxehtë, siç ka ndodhur përgjatë thuajse tridhjetëve vjetëve të shkuar në Shqipëri, sigurisht që nuk mund të pritej të ndodhte ndryshe, përveçse që të shkohej herë pas here edhe në krizë të rëndë politike. Përveç asaj të vitit 1997, kur vendin e përfshiu vala e revoltës së dhunëshme të mbështetur edhe nga forcat politike të majta, ndoshta kjo e sotmja është më e rënda.
Duke e lënë mënjanë përfshirjen në arësyetimet e gjatë mbi ligjshmërinë, arësyeshmërinë dhe moralitetin e veprimeve të Presidentit Meta dhe të Kryeministrit Rama, dua të ndaj me lexuesit dhe ndjekësit e politikës vetëm pak ide të cilat mua më duken fare të qarta.
Presidenti ka të drejtë të jetë shumë i shqetësuar për mundësinë e futjes së vendit në një rrethanë dhune. Presidenti ka të drejtë të ndërmarrë veprime të cilat Kushtetuta nuk ia ndalon dhe, në rastin tonë, ai vetëm ka shtyrë datën e zgjedhjeve, por nuk i ka ndaluar ato. Kushtetuta si ligj themeltar i vendit duhet respektuar në mënyrë të padiskutueshme, por krahasuar me qetësinë, harmoninë dhe paqen shoqërore të popullit, ajo nuk mund të mos i japë të drejtë Presidentit që të ndërmarrë një veprim i cili mbështetet nga fryma e saj dhe interesat madhorë të popullit dhe të vendit, pamvarësisht se krijon një precendent të ri. Veprimi presidencial synon t’u krijojë hapësirë kohore palëve politike të përfshira në marrëdhënie tejet të acaruara që të merren vesh ndërmjet tyre dhe, për këtë, edhe Bashkësia Ndërkombëtare ka kohë që bën përpjekje. Nëse, siç mendojnë Kryeministri dhe mbështetësit e tij të koalcionit qeverisës, Presidenti Meta nuk është nisur prej këtyre shtytësve të lartë ideorë, moralë dhe ligjorë, por prej interesave politikë opozitarë, gjithsesi, do të jenë zhvillimet politikë në Shqipëri të cilët janë aq të shpejtë, të vrullshëm dhe të pandalshëm sa që e vërteta do të shfaqet patjetër dhe shumë shpejt. Opozita ka si kërkesë të theksuar nga ajo si të pakundërshtueshme dorëheqjen e Kryeministrit për të mos qenë ai në krye të vendit në periudhën e zgjedhjeve [për shkak të fakteve të shumtë që dëshmojnë për shpërdorimin e rëndë të së drejtës së votës të qytetarëve]. Natyrisht Presidenti Meta nuk do të mund t’a mbështeste Opozitën në këtë kërkesë, përveçse nëse do të dorëhiqej.
Në anën e koalicionit qeverisës, Kryeministri Rama dhe shumë aktorë të tjerë politikë këmbëngulin në mohimin e veprimit presidencial që e shtyu datën e zgjedhjeve. Ata e mohojnë atë duke e cilësuar si “nul juridik”, por vazhdimi i debatit pambarim tregon se nuk kanë argumente të mjaftueshëm. Këtë fakt e provojnë edhe argumentet “e mjerë” që po jepen me sforcim për të treguar se Presidenti ka konflikt interesi, meqenëse gruaja e tij është kryetare e partisë opozitare LSI. As artikulimet qeveritarë me frikën e Presidentit dhe të Opozitës prej reformës në drejtësi nuk kanë mbështetje, përveçse dëshirave politike që shpërfillin drejtësinë e pamvarur. Atëherë, besoj se duket qartë se përpjekja për të nisur shkarkimin e Presidentit do të ishte jo vetëm diçka e pamundur, por edhe thelluese e mëtejshme e përçarjes politike të popullit, sepse Opozita ka treguar se po ecën drejt organizimit të mbështetësve të saj për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor. Kjo do t’a shqetësonte edhe më shumë Presidentin Meta duke e shtyrë atë për t’a çuar vendin në zgjedhje parlamentare të parakohëshme, në rast të mosarritjes së një marrëveshjeje ndërmjet palëve. Natyrisht, as Kryeministri Rama nuk do t’a dëshironte krijimin e kësaj rrethane të re, por deri tani me propagandë politike dhe me veprime institucionale [vendimi i KQZ-së për të mos e njohur aktin presidencial, dhe vënia në lëvizje e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Meta] ka treguar se ai po ecën në drejtim të acarimit të konfliktit politik dhe popullor.
Ajo çka duket më e rëndësishme është se për opinionin publik, në pamje të parë, duke sikur ka një përputhje ndërmjet veprimit opozitar dhe veprimit presidencial. Megjithëse kjo duket se përbën një rrethanë politike nxitëse për Kryeministrin që ai të vazhdojë me kokëfortësi në rrugën e tij për të mbajtur zgjedhje me çdo kusht në 30 qershor, e vërteta e thellë e pamohueshme është krejt e ndryshme.
Kjo e vërtetë lidhet me të metat e mëdha të qeverisjes së vendit gjatë këtyre gjashtë vjetëve. Pa i mohuar aspak përpjekjet e mira që mund të jenë bërë nga kjo qeveri dhe disa arritje të saj edhe të vlerësuara nga aktorë të paanshëm ndërkombëtarë, lista e gjatë e të metave të saj e mbushur me shumë veprimtari të tilla si vjedhja e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin, korrupsioni i tejskajshëm, rritja e barrës së taksave mbi bizneset dhe qytetarët, rënia e dukshme e investimeve të huaja, largimi i gjithnjë dhe më shumë shqiptarëve prej vendit, rritja e pesimizmit shoqëror mbi të ardhmen e vendit, shpërdorimi dhe tejzgjatja e reformës për drejtësi për interesa politikë, mosrespektimi i Opozitës, përdorimi politik i mediave, etj.
Në anën e Opozitës politike, bien në sy artikulimi politik që mohon gjithshka duke e thelluar hendekun e vjetër të madh të marrëdhënieve me koalicionin qeverisës [të paktën në dukje], krijimi i një kundërshtie të pavend me faktorin ndërkombëtar [që nuk mund të mbulohet me sofizmat e dalë boje të njerëzve të propagandës partiake zyrtare dhe jojzyrtare], gabimet e shpeshtë në vendimmarrjen politike dhe, si rrjedhojë, venitja e bashkimit opozitar të qendrës së djathtë për shkak të largimit ose mosafrimit të dhjetra mijë njerëzve mbështetës të cilët qëndrojnë me padëshirë në “zonën gri” të zgjedhësve shpërfillës.
Duke i përmbledhur katër faktet e mësipërm, pra, drejtësinë e veprimit presidencial për të shtyrë zgjedhjet, gabimin kryeministror për të nisur shkarkimin e presidentit, keqeverisjen gjashtëvjeçare dhe gabimin opozitar, vijmë domosdoshmërisht në përfundimin sipas të cilit politika shqiptare vazhdon të jetë e sëmurë rëndë nga vënia e interesave të ngushtë partiakë për pushtet mbi interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë.
Është kjo edhe arësyeja që në politikën shqiptare nuk ka idealizëm dhe moral por vetëm pazare dhe llogari për pushtetmarrje.
I kam shkruar këto rrjeshta me dëshirën e mirë që ato të shërbejnë sadopak për të arësyetuar për rrugëzgjidhje politike kokëftohta dhe në interes të të gjithë shqiptarëve.