Arian Çani shkruan Lulzim Bashës:Mos u tut nga USA dhe thuaj “JO”!

Nga Arian Çani*

Janë orët e fundit përpara se të mësojmë nëse bastin e fitoi Edi Rama apo Lul Basha. Nga rezultati  i këtij basti varet pothuajse totalisht dhe fati i zgjedhjeve politike vitin e ardhshëm. Shoh me kërshëri gjithë këto ditët e fundit nëpër media që të gjitha palët bëjnë sikur dhe të gjithë mundohen të mos duken sikur e kanë hallin me ndërkombëtarët. Ndërsa loja tashmë duket se nuk ka më të fshehta.

Jemi në orët apo ditët e fundit të dilemës: A do kalojë kështu siç është sot drafti i reformës në drejtësi apo jo? Takimi Rama-Basha nuk dihet ende nëse do të bëhet por kjo s’ka pikë rëndësie. Tashmë dihet që miratimi i draftit siç është aktualisht, është në favor të Edi Ramës dhe kjo me dijeninë dhe mbështetjen e plotë të administratës aktuale në Washington.

Pra Rama është në pozita shumë të forta në raport me opozitën dhe faktorë të tjerë të cilët kanë të drejtë të ndihen të rrezikuar nga rezultatet e kësaj reforme. Rama po provon nga dita në ditë se është një lojtar i fortë, shumë i fortë që nuk e di me çfarë lobimesh dhe miqsh në Washington e Bruksel, është duke iu afruar kaq shumë qëllimit te tij politik: Eliminimit me prangat e ndërkombëtarëve të rivalëve të tij politikë brenda dhe jashtë koalicionit.

Ndaj ka vetëm një rrugë për ta ndaluar këtë super kryeministër të ketë në duart e tij një super kryeprokuror. Nëse opozita dhe të tjerë bashkë me të, janë të bindur se miratimi i kësaj reforme në drejtësi do të kthehet në një mekanizëm jakobin për të prerë kokat e tyre, ata duhet të tejkalojnë friken dhe t’u thonë Jo prerazi dhe pa asnjë mëdyshje amerikanëve të Edi Ramës. Pasoja do të kenë por të paktën do ndjehen të respektuar dhe të drejtë në vendimin e tyre. Amerikanët janë ende superfuqi dhe ata vazhdojnë të diktojnë politikat e tyre në vende edhe më të forta se Shqipëria.

Por tutja (frika) nuk është opsioni i duhur. Qofte dhe me riskun e zvarritjes në opozitë të gjatë… Lul Basha me të vetët duhet të ketë kurajën t’i thotë Jo Donaldit dhe Viktorias. Më mirë të thonë JO se sa të shkojnë me këmbët e tyre dhe të zbythur në ‘gijotinë’. *Shkruar për Express

SHKARKO APP