Arkivat dhe fondi kombëtar arkivor në rrezik!
“SHQIPTARËT DHE BARBARËT”
Mos vallë “Partneriteti Publik Privat (PPP)” po fut hundët edhe në Fondin Arkivor Kombëtar?
Nga Gjet Ndoj
Nisur nga disa ndryshime strukturore, ligjore e n/ligjore që mesova se jane bërë tashmë për Arkivat dhe funksionimin e tyre, mendoj se ka nisur nje proces i paprecedentë që pritet të sjellë për një kohë jo të largët pasoja te rënda në menaxhimin dhe ruajtjen e fondeve arkivore te Shtetit Shqiptar. Qëllimi i shtjellimit të kësaj problematike lidhet me përpjekjet për të ndaluar efektet negative që rrjedhin nga zbatimi i kësaj reforme…, si dhe me dëshirën për të kontribuar sadopak në dobi të interesit publik, pasi në këtë drejtim është seriozisht i rrezikuar.
Së pari:
Para pak kohësh është miratuar me VKM nr. 35, dt 24/01/2018, një rregullore për Arkivat private në Shqipëri. Është shumë mirë të krijohen arkivat private në Shqipëri, pasi fondkijuesit pranë enteve e institucioneve private përpunojnë dhe grumbullojnë e shërbejnë dokumentet tek Arkivat private, si pjesë e rëndësishme e rrjetit kombëtar arkivorë. Kjo ndihmon në plotësimin dhe pasirimin e metejshëm të FONDIT KOMBËTAR ARKIVOR, si pjesë themelore e trashëgimisë kulturore të Kombit Shqiptar. Ndërsa nenet e kësaj rregulloreje që kanë të bejnë me dhënien e së drejtës së Arkivit Privat për të kontraktuar me institucionet fondkrijuese shtetërore madje dhe me Arkivat Shtetërore me qëllim: përpunimin, asgjësimin apo dhe dorërimin e dokumenteve dhe fondeve dokumentare me rëndësi historike kombëtare, krijon premisa rreziku për të dëmtuar, shpërdoruar dhe humbur këto dokumente….
Nuk mund të ketë institucion privat qëllimi i të cilëve është fitimi, që të këtë përgjegjshmërinë dhe kujdesin për “ruajtjen, përpunimin dhe shërbimin” e dokumenteve, sesa institucionet arkivore shtetërore…Nga ana tjetër, përpunimi i dokumenteve dhe procese të tjera në Arkivat shtetërore, në kuptimin financiar, kushton shumë më tepër duke kontraktuar privatët të paktën 40% më shumë para sesa shpenzohet duke kryer të njëjtin proces pune me punonjës -specialistë të arkivave shtetërore. Nëse shteti ka nevojë të intensifikojë punën në arkivat tona shtetërore, le të rrisë edhe 40% të kapaciteteve të personelit në arkivat shtetërore, ndërkohë që koficienti i garancisë për të ruajtur fondet dokumentare gjatë procesit të përpunimit, ndarjes e veçimit për asgjësim, të shërbimit etj, është i pakrahasueshëm shumë më i lartë sesa ua jep sipërmarrësve privatë.
Së dyti:
Po në janar të 2018, është miratuar një reduktim strukturor radikal i Arkivave Shtetërore Vendorë (ASHV) nga 12 qarqe që kishim, në 5 qendra. Në fakt po ndodh procesi i shuarjes së plotë të këtyre arkivave vendorë, pasi as këta 5 qendra nuk e kanë misionin dhe statusin e Arkivave Shtetërorë Vendorë ASHV, çka do ta bëje të pamundur mbikqyrjen, përpunimin, trajnimin dhe inspektimin e gjithe fondkrijuesve prane enteve dhe institucioneve Shtetërore që ndodhen sipas qarqeve në të gjithe teritorin e Republikës tonë.
Padurimi për të luajtur me faktin e kryer ka sjellë një ngutje të “paarsyeshme” dhe përshtjellim total në evadimin e dokumentacionit duke bastisur e boshatisur vendruajtjet e 12 Arkivave Shtetërorë Vendorë. Është një proces i paligjëshëm, por dhe i parregullt në kuptimin teknik- profesional, proces i cili tashmë ka nisur.
Fillimi i kësaj praktike normative eshtë Urdhëri Nr 101, dt 23.2.2018 i Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, “Për përgjegjësine e materialeve gjatë procesit të ristrukturimit” është pa bazë juridike:
-Së pari, mbeshtetet në nje akt – urdhër i Kryeministrit nr. 27 dt.2.2. 2018, i cili nuk ka fuqinë juridike, pa u marrë si vendim në Kshillin e Ministrave, per të lejuar ndryshime të tilla strukturore në Organigramen e Drejtorisë Përgjithshme të Arkivave.
-Së dyti, mbështetet në Vendimin nr. 4 të Kshillit të Lartë të Arkivave, dt 19.12. 2017, i cili në fakt nuk arriti ta merrte një vendim të tillë në mbledhjen e asaj date;
-Së treti, për rrjedhojë kjo veprimtari nuk bazohet as në ligjin Nr. 9154, datë 6.10. 2003 “Për Arkivat”, në të cilin presupozohen Arkivat Shtetërorë Vendorë ASHV, si pjesë e rëndësishme e Rjetit Arkivor të Vendit, por që tani kanë nisur të suprimohen totalisht.
Nga ana tjetër edhe sikur formalisht, në kuptimin e respektimit te legjislacionit dhe akteve nënligjore e normative të ishte korrekt, ky proces nuk i shërben kurresesi interesit të mbarëvajtjes së veprimtarisë arkivore në vendin tonë.
Kemi bindjen se këto dy vendime:
1-Vendimi për miratimin e “Rregullores së Arkivave Private”, në nenet e së cilës presupozohen kontrata e koncesione të Arkivave Private me institucione shtetërore për të ruajtur, përpunuar dhe asgjësuar dokumente e fonde arkivore, pjesë të Fondit Kombetar Arkivor;
2- Suprimimi i Arkivave Shtetërorë Vendorë, si dhe tendenca per ta ndryshuar Ligjin Nr 9154, datē 6. 10. 2003, janë pjesë e një REFORME, që do të krijojë klimën në favor të shtrirjes së interesave të biznesit privat në Fondin Kombëtar Arkivorë, duke dëmtuar rëndë MEMORJEN HISTORIKE E KULTURORE TË SHQIPTARËVE. Partneritei Publik Privat PPP, po bëhet gati të hyjë dhe në arkiva. Ky do të ishte precedenti më shkatërrimtar në historinë e Arkivave Shqiptare.
I bëj thirrje Kryeministrit z. Edi Rama, Presidentit z. Ilir Meta dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave z. Ardit Bido, të frenohet menjëherë sa s’është vonë ky proces i paprecedentë i dëmshëm, duke e rikthyer Institucionin e Memorjes Kombëtare në normalitet.
A ka ekzistuar më përpara korrupsioni dhe rreziku i dëmtimit të dokumenteve në Arkivat Shqiptare?
Natyrisht po, ndërsa unë gjatë ushtrimit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm pashë bashkë me stafin dhe bëmë sa mundëm për ta luftuar atë. Mendoj se është me vend të informoj publikun nëpërmjet këtij shkrimi ashtu sikundër e kam informuar më hollësisht edhe në librin tim që sapo është botuar: “ARKIVAT SHQIPTARE”, botuar e promovuar me 2 shkurt 2018..
I-Egoizmi dhe verbëria e individit shqiptar për tu pasuruar pa fund, duke mos u ndaluar përballë asnjë dhimbjeje që i shkaktojnë popullit, pjesë e të cilit janë, e ka bazën pikërisht tek kjo histori. Shembujt e shfaqjes së korrupsionit dhe egoizmi idendifikohet lehtësisht tek individët politikanë, drejtues të Administratës Publike, gjykatës e prokurorë, pronarë mediesh etj, të lidhur në një aleancë te habitëshme me njëri- tjetrin. Pasuritë e tyre janë marramendëse në sytë e një populli, të varfër në çdo kuptim (material e moral).
-Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa, do të investojë kaq sa investoi Perandoria Turko-Aziatike për ta asimiluar kulturën dhe mënyrën europiane të jetesës së shqiptarëve, atëhere janë të gjitha mundësitë për rikthimin e shqiptarëve në Europë, në shtëpinë e tyre të parë. Në arkiva korrupsioni është si kudo gjetiu, veçse dokumentet që janë “thesari” i tyre, ndryshe nga bankat apo thesari financiar i shtetit, kur merren dhe përvetësohen nuk zëvendësohen më. Kështu, përvetësimi abuziv i parave sado që shkaktojnë dëm, prapë zëvendësohen, ndërsa përvetësimi apo fallsifikimi i dokumenteve sjellin pasoja përjetësisht të pariparueshme, duke dëmtuar memorjen historike, për rrjedhojë, duke ndikuar në shtrembërim e të vërtetave historike të një shteti a kombi. Kjo është dhe arsyeja që përveç nevojës për para, në vjedhjen dhe falsifikimin e dokumenteve ndikojnë duke investuar dhe “shërbimet e interesuara të shteteve të tjera” kundër atij shtetit dhe kombi përkatës.
II-Korrupsioni në arkiva dhe masat që morëm për ta goditur sa mundëm atë.
Tendencat për të përfituar në mënyrë të paligjëshme ekziston si kudo edhe në Arkivat Shqiptare, si në DPA, Arkivat Shtetërorë të Sistemit, apo dhe në sekretari –arkivat e institucioneve qëndrore e vendore (fond-krijuesit). Korrupsioni vërtetë ndihmon në pasurimin e pamerituar të disa drejtuesve ,apo punonjësve, por nga ana tjetër sjellë pasoja shpeshherë të rënda për funksionimin institucional të arkivave dhe vecanërisht pasoja të pa riparueshme kur vihet dorë tek dokumente me rëndësi historike kombëtare. Pas një njohjeje dhe verifikimi të përgjithshëm të gjendjes në arkiva ne arritëm të verifikonim disa aspekte të shkeljeve korruptive në arkiva si:
1- Fenomeni i korrupsionit në sektorët e shërbimit ndaj qytetarëve.
Shërbimi i dobët (kohëzgjatja dhe zvarritja e dhënies së përgjigjeve për qytetarët, mungesa e impenjimit të punonjësve për tu shërbyer atyre, etj), nga njëra anë dhe nevojat që kishin qytetarët për të marrë shërbimin tek sportelet e shërbimeve tona nga ana tjetër, përbënin dhe bazën më të qenësishme për të abuzuar dhe për të fituar në mënyrë të pamerituar në kurriz të qytetarëve. Për këtë situatë ne ulëm shkurtuam gati 8 herë kohën e kthimit të përgjigjeve për qytetarët (nga 90 ditë, në vetëm 12), forcuam sa mundëm disiplinën e shërbimit për studiuesit e qytetarët, ulëm tarifat e shërbimit ndaj tyre (sikurse e përshkruam më lart në këtë libër), duke vendosur një sistem ku nuk kishte nevojë më për miq dhe sekserë për të marrë shërbim në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Korrupsioni (abuzimi i drejtuesve e punonjësve me qëllim përfitimi), në arkiva shfaqet edhe në shpërdorimet apo dhe përvetësimi i dokumenteve me interes pronësie, apo dhe bërjen hyrje të dokumenteve false të pronësisë, raste të cilat i kemi evidentuar dhe i kemi bllokuar duke ja dhënë prokurorisë për ndjekje penale. Kishte dhe raste që dokumente të falsifikuara dhe të shpallura të tilla nga Prokuroria e gjykatat , shërbeheshin në arkivat tona, në Vlorë, AQSH etj. Nga ana jonë ne nuk kemi hezituar për të shkarkuar nga funksioni personat përgjegjës- punonjës të Arkivit , si dhe i kemi dërguar për ndjekje penale.
2-Fallsifikimi dhe korrupsioni në universitete dhe në shkollat e mesme në qarqe të ndryeshme.
Universitetet dhe Shkollat e mesme , në periudhën pas viteve 1990 , u bënë burim fallsifikimi e korrupsioninga ku u siguruan diploma false, duke u shoqëruar ky process me korigjime të shumta në amzat e këtyre shkollave. Nga një sondazh paraprak prej titullarëve të ASHV-ve, u informova se në shumë shkolla shqiptare (të Arsimit të Lartë dhe ato të Arsimit të Mesëm) rezultonte të “kishin kryer studime” shtetas shqiptarë nga zona të largëta banimi me shkollat përkatëse, madje dhe shtetas të huaj si serbë, malazezë, grekë, kosovarë, maqedonas, madje dhe italianë, etj. Pasoja negative nuk kishte të bënte thjeshtë me fallsifikimin e dokumenteve arkivore, me qëllim fitimin e drejtuesve e punonjësve të Arsimit, por se kjo pasojë ishte e rëndë dhe me pasoja afatgjata për shoqërinë shqiptare e cila , ndër të tjera do të administrohej e drejtohej nga persona të paaftë, në vend të atyre që e meritonin por që mbetën gjithmonë në rrugë (të papunë).
Dokumentet e sekretari Arkivave të shkollave, përfshi edhe Amzat, që janë me rëndësi historike, dorëzohen Brenda 10 viteve në ASHV e qarkut ku ndodhet shkolla, sipas nenit 22 dhe 43 të “Ligjit për Arkivat”. Ndërkohë që kanë kaluar mbi 30 vjet që këto dokumente ndodhen në Sekretaritë e shkollave. Me sa kemi konkluduar , arsyeja e shkeljes së afateve të dorëzimit të këtyre dokumenteve lidhen ndër të tjera edhe me abuzimin me këto dokumente për të lëshuar dëftesa (diploma) fallso. Shkëndijën e parë e një lëvizje tonën në emër të respektimit të Ligjit për Arkivat”, por me tendencë goditjen e kësaj veprimtarie falsifikimi e korrupsioni e dha Pashk Alia- Titullari i ASHV Lezhë. Falë investigimit dhe përpjekjeve për ta njohur mirë këtë fenomen të trashëguar në vite, duke patur mbështetjen time të plotë, ndërmorëm disa veprime, jo vetëm në Qarkun e Lezhës, por në të gjithë ASHV e qarqeve të tjera të vendit. Kjo dëshmohet në relazionet e qarkoret tona, ku shprehet qartë edhe bashkëpunimi ngushtë me Ministrinë e Arsimit, Universitetet, Drejtoritë Rajonale të Arsimit etj.
3-Fallsifikimi dhe vjedhja e dokumenteve me rëndësi historike kombëtare.
Më e rënda ishte se në AQSH, kemi idendifikuar dhe raste të përvetësimit të dokumenteve me rëndësi historike kombëtare. Ishin dëmtuar duke marrë disa faqe nga ditari i klerikut Pal Dodaj. Kishte raste ku ishin marrë dokumente origjinale e në vend të tyre ishin lënë dokumente të fotokopjuar etj. Rasti më i rëndë kishte ndodhur gjatë procesit të shpërbërjes së fondeve, për ti kaluar dokumentet e këtyre fondeve në fonde të tjera. Për këto tre fonde që kishin nisur të zhbëheshin, unë ngrita një komision vlerësimi i përbërë nga drejtues dhe specialistë të cilët , pas verifikimit relatuan humbje (përvetësim) të disa dhjetëra dokumenteve me rëndësi historike kombëtare etj. Këto shkelje janë të pasqyruara në process-verbalet dhe në relacionet përkatëse, të cilat gjenden në Sekretari- Protokollin e DPA.
Për këtë situatë dhe situata të ngjashme me to ne kemi dërguar në Prokurori dosje për kallzim penal, por që nuk ka marrë rrugë duke na i kthyer mbrapsht “në mënyrë të pakuptimtë”.
Së fundmi shqetësime të tilla , me të dhëna konkrete i kam shtruar dhe në mbledhjet e fundit të Këshillit të Lartë të Arkivave (Në shkurt dhe në qershor 2016).
4-Fenomeni i hyrjes së dokumente fallso, ose në mënyrë selektive në Arkivat Shtetërore, me pasoja të rënda për Fondin Kombëtar Arkivor.
-Dështimi i përpjekjeve dhe i presionit, për të bërë hyrje në mënyrë selektive në AQSH dokumente nga Arkivi Otoman “I Kryeministrisë” i Stambollit.
Të pasurosh arkivat duke bashkëpunuar me arkivat e huaja është një mision atdhetar. Ndërsa të marrësh dokumente me informacion të selektuar dhe të njëanshëm (jo të balancuar) , ndihmon në fallsifikimin e historisë dhe natyrisht nuk i shërben këtij misioni atëdhetar, përkundrazi.
-Një përpjekje që kishte të bënte me fallsifikimin e kamufluar të historisë tonë, lidhej me planin e një personaliteti shqiptar bashkë me një funksionar të rëndësishëm të Partisë në Pushtet (të Erdoganit), në Turqi, për të sjellë në Shqipëri dokumente të përzgjedhura në mënyrë selektive. Natyrisht mu kërkua të pranoja dhe të konfirmoja bërjen e një stafi që do të përzgjidhejprej tyre, staf i cili do të përzgjidhte dokumente në Arkivin Otoman “të Kryeministrisë” të Stambollit, do ti përkthente dhe pastaj do të vinin për tu bërë hyrje në AQSH e Shqipërisë. Fondet financiare për mbështetjen e një projekti të tillë, sipas tyre ishin të mjaftueshme (pa limit) dhe gati , etj.
Në fakt qëllimi ishte që të përzgjidheshin dokumente që tregonin “marrdhënien vllazërore” mes Perandorisë dhe shqiptarëve dhe jo realitetin pushtues dhe shfarosjen masive të shqiptarëve (genocidin), vecanërisht në periudhën e “Okupimit të rreptë” gjatë viteve 1479-1550.
Kjo histori shfaq hapur në fundin një takimi zyrtar (shkurt 2016), që pata unë në Arkivin Otoman “të Kryeministrisë” të Stambollit, nga ku në një moment të caktuar përkthyesi im osmanolog më tërhoqi vëmendjen duke më thënë qëllimin e projektit , që po komunikohej mes bashkëbiseduesve turqë, duke cituar dhe dakordësinë e personalitetit të rëndësishëm shqiptar me ta.
Pasi erdha në Tiranë , një funksionar tjetër shumë i lartë “më këshilloi” që të punohej për të marrë fonde dokumentare nga arkivat turke, duke më thënë që “Personi” në Turqi po bënte një punë të madhe dhe ja vlente bashkëpunimi me të….” .
-Duhet të ju kujtoj të dashur lexues , se ishin këto dhe të tjera rrethanat kur unë u bëra target i sulmeve të një “sekti” antishqiptar, i përbërë nga persona me histori familiare e personale të dyshimtë, bashkëpunëtorë të Sigurimit famëkeq të Shtetit, madje dhe të shërbimeve të fshehta të shteteve të Rajonit, shtete të cilat kanë investuar fort dhe gjithmonë, për të mos u bërë Shqipëria.
Kundërvenia e tyre ishte shfaqur deri dhe në presion të drejtpërdrejtë ndaj meje, nga një personalitet shumë i lartë, nëpërmjet një deputeti dhe letrave anonime, që unë i ruaj në arkivën time personale.
Unë nuk pranova asgjë nga këto, madje sa më shumë vihesha në presionin e “Sektit” antishqiptar, aq më shumë ndjehesha krenar që nuk e pranova një fallsifikim të tillë.
*Nga ana tjetër edhe në vijim të përmbylljes së një procedure për tia kaluar Prokurorisë dhe gjykatave për kompetencë,gjithmonë nën presionin e “Sektit”, qëlloi që unë u lirova nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave.
Gjithësesi nuk doja të besoja të ketë qenë kjo rrethanë, që të ketë ndikuar drejtpërdrejt tek Kryeministri për largimin tim, përndryeshe unë duhej të ikja jo vetëm nga detyra , por dhe nga Shqipëria.
Në fakt sot e kësaj dite vazhdoj të jem nën presionin e mbijetesës, pasi “Klubi i Bizantit”, nuk më lejon të jem në një punë, qoftë edhe për të siguruar vazhdimësinë e një jete minimale për mua dhe familjen time.
Presioni vazhdon aq sa më ka mbetur vetëm rruga e largimit diku jashtë vendit. Por në fund të fundit c’rëndësi ka sakrifica me të cilën unë përballem, pasi nuk është gjë e re, që kur je pjesë e sojit shqiptar katolik, pjesë e atij soji i cili ka qenë e vazhdon të jetë i ekspozuar përjetësisht ndaj “pushtetit të barbarëve”, të paktën prej 550 vitesh me të gjithë pasojat më të rënda për të jetuar në atëdheun tonë, ndonëse për të ka bërë gjithmonë, pa kursyer asgjë.
Problemi dhe dëmi real është në kurriz të një populli, kombi e shteti; është në kurriz të Shqipërisë tonë që po e bëjnë gati ta dorëzojnë në Europë “pa inventar”, të c’veshur, të varfër nga pasuritë natyrore, kulturore dhe memorja e saj historike…., si një produkt pa idendidet të qartë, produkt “pa yndyrë e palcë”.
Në këtë kuptim Europa do të bënte mirë që ta pranonte sa më shpejt Shqipërinë në gjirin e saj, sa nuk e kanë shkatërruar e rrenuar tërësisht, pasi kjo do ti shërbente edhe asaj (Europës) si një vlerë e shtuar në të dhe jo si dicka e shkretuar dhe e zbrazët. Cdo vonesë e integrimit të Shqipërisë në Europë i shërben vetëm “Elitës Politike dhe aristokrate” të vendit dhe aspak Shqipërisë dhe Europës. Barbarët nuk lodhen duke na varfëruar e mbajtur peng në atdheun tonë, ndërsa shqiptarët etnikë të lodhur prej tyre, detyrohen ta braktisin panërprerë atë.
Na liro zot prej “barbarëve” dhe jo Shqipërinë prej shqiptarëve!