Arlind Qori: Gaztori që kemi për kryeministër

Nga Arlind Qori –
Gjatë konferencës së sotme për shtyp Edi Rama tha se përligjjen e dhunës së protestuesve ndaj institucioneve nuk e ka hasur as në mendimet e filozofëve francezë të ekstremit të majtë. Nuk kam pasur ndonjë dyshim se në jetën e vet gaztori që kemi për kryeministër nuk ka lexuar asnjë filozof, lere më francez të ekstremit të majtë. Për ta ndihmuar në daljet e tjera televizive – pavarësisht se kundërshtar politik, helbete, mbetet kryeministri i Shqipërisë dhe na e merr fytyrën të gjithëve me dokrra – po rreshtoj disa ide historike të përligjjes së rezistencës ndaj qeverive tiranike e të padrejta. Asnjë prej të mëposhtëmve nuk ka qenë komunisto-anarkist, por mendimtar klasik ose liberal.
Në të largëtin shekull të trembëdhjetë, teologu e filozofi Thoma Akuin shkroi “Summa Theologica”-n, mes mijëra faqeve të të cilës gjente vend edhe për çështjen e qëndrimit që duhet të mbajë populli ndaj tiranisë. Duke i konsideruar urdhrat e tiranit të paligjshme (një ligj i padrejtë nuk është fare ligj – thoshte ai), madje vetë tiranin kryengritës ndaj shoqërisë, Akuini përligjte përmbysjen me dhunë të tij nga populli.
Në shekullin e shtatëmbëdhjetë John Locke-u, i konsideruar nga shumëkush si figura themeltare e liberalizmit politik, trajtonte në “Traktatin e dytë të qeverisjes” rrethanat kur sundimtarët e zgjedhur e keqpërdornin prerogativën kushtetuese dhe shkelnin të drejtat natyrore të qytetarëve. Këta të fundit, na thotë Locke-u, kanë të drejtë të revoltohen sepse një shtet që abuzon me të tilla të drejta e ka humbur funksionin e vet.
Një shekull më vonë proto-jakobini Jean Jacques Rousseau shkruante se në rast despotizmi, kur sundimtari sundon veç përmes forcës, duke i trajtuar qytetarët si kryefamiljari i gjithëpushtetshëm i antikitetit greko-romak fëmijët, qytetarët kanë të drejtën t’i kundërvihen atij përmes forcës.
Nëse dikush mendon se këto ide i përkasin të shkuarës së largët, kur lufta politike bëhej me shpata e pushkë, mund t’i referohemi një mendimtari liberal të urtë e të butë si qengj, figurës më të rëndësishme të filozofisë politike bashkëkohore, John Rawls-it, i cili në zulmëmadhen “Teori e drejtësisë” trajton mënyrat se si një qytetar apo grup qytetarësh mund t’i kundërvihen shtetit. Kur ky i fundit është themelisht i drejtë ose thuajse i drejtë, atëherë në emër të parimeve të ligjshmërisë që janë në themel të sistemit qytetarët mund të kundërvihen vetëm paqësisht – mosbindje civile. Ama në rastin e sistemeve politike që janë larg të qenit të drejta çdo trajtë militantizmi dhe rezistence është e lejueshme.
Sa më sipër nuk trajtojnë rastet e thyerjes së xhamave të kryeministrisë, por ato të revolucioneve të mirëfillta që ndryshojnë nga themelet shtetet e shoqëritë, çka në rastin e Shqipërisë nuk shtrohet në rend të ditës, qoftë edhe ndaj një qeverisjeje fund e krye të korruptuar si ajo e Edi Ramës. Kjo e tija, shërbëtore kokulur e oligarkëve dhe abuzuese arrogante e më të varfërve, mund të meritojë shumëçka. Po përpara se të gjykohet moralisht, kundërdhuna duhet trajtuar strategjikisht. Dhe, nga pikëpamja strategjike, dhuna më çarmatosëse që mund të ushtrohet ndaj këtij regjimi është bashkimi i qindra mijëra qytetarëve në protesta paqësore, greva, bojkotime dhe mosbindje civile.
Jo se nuk e meriton ndryshe, por ne nuk denjojmë të biem në nivelin e tij.

SHKARKO APP