Armando Duka në stadium, përtej urrejtjes së kritikëve dhe dashurisë sezonale të brohoritësve
Nga Lorenc Vangjeli –
Janë të rrallë njerëzit në Tiranë, qëndrimi ndaj të cilëve vendoset jo prej tyre vetë, por nga rasti, vullneti apo fati që qëndron në këmbë të huaja. Ata i duan dhe i urrejnë brenda çastit. I mallkojnë në një moment, dhe i bekojnë në momentin pasardhës. I adhurojnë dhe i përbuzin. I vrasin dhe i ngjallin.
Sepse kjo është magjia e futbollit.
Ky është horoskopi i futbollistëve, me të cilët, në një mënyrë të pabesueshme, lidhet edhe fati i trajnerëve dhe presidentëve të federatave. Armando Duka, president i federatës shqiptare të futbollit, është shembulli që ulërin si vërtetim i kësaj aksiome. Do të mjaftonte një gol i shënuar nga Shqipëria në Stamboll pak javë më parë dhe ai do të ishte shpallur pamëdyshje hero kombëtar në Tiranë.
Do të mjaftonte dhe madje do të tepronte, siç ndodhi katër vjet më parë, kur udhëtimi i ëndrrës që kombëtarja shqiptare bëri për herë të parë në kampionatin Evropian, e shndërroi Armando Dukën në arkitektin e një ëndrre kombëtare. Edhe pse ai nuk kishte qenë në fushë. Edhe pse ai nuk kishte shënuar asnjëherë dhe as nuk kishte shpëtuar portën nga golat. I tillë është futbolli dhe magjia e tij që çmend të mençurit dhe zgjon indiferentët. Por kur koha të kalojë dhe pasionet të kenë fatin e thëngjijve të ushqyer nga zjarri i pasionit të zakonshëm shqiptar, Armando Duka do të duhet të bëjë bilancin e tij në krye të federatës shqiptare të futbollit përballë atyre që e duartrokasin dhe atyre që e kritikojnë. Përtej vijës së padukshme mes dashurisë dhe urrejtjes, përtej gjithë debateve të diskutueshme për çdo gjë tjetër, Duka do të afrojë një bilanc të pabesueshëm: Shqipëria është bërë me tre stadium evropiane.
Elbasani në fillim, Shkodra dhe së fundmi Tirana, kanë stadium normal që mund t’i gjesh njëlloj edhe gjetkë në Evropë. Ishte fati i tij që u ndodh në kohën e duhur në vendin e duhur apo ishte edhe koincidenca e kësaj kohe me qeverisjen e një kryeministri atipik si Rama, kjo ka pak rëndësi. Tre stadiumet e ndërtuar në këtë periudhë, do të mbajnë në shkallët e tyre të gjithë ata që në fund të fundit, as nuk do të duan t’ja dinë se kush është Armando Duka. Një figurë plot dritëhijë, nga të paktët në Tiranë qe për shumë arsye duket simpatik kur tallet me arrogancë me qeveritarë dhe të bën t’i ulërish kur duket se mer me të mira tifozët sepse dashuritë hipokrite vrasin më shumë se urrejtjet e sinqerta.
Shumëkush do të donte të ishte sot në vend të Armando Dukës, i cili është personazhi që shënjoi emrin e tij në ndeshjen e parë të kombëtarës shqiptare në stadiumin e saj të ri. Fiton apo humb ka pak nevojë të diskutohet. Eshtë statistikë. U ndërtua si u ndërtua stadiumi, sa kushtoi dhe kush e projektoi, si u pagua apo si u ideua, këto jane cështje qe pak do të kujtohen nesër dhe pak kanë të bëjnë me atë cfarë do të ndodhë duke nisur me nesër në stadium. E rëndësishme është që përballë francezëve në tribuna, do të qëndrojnë qytetarë evropianë, në një stadium evropian, me pasaportë shqiptare.
Javanews.al