Arsyet e prishjes së Tom Doshit me Ramën
A është real kërcënimi me vrasje ndaj Tom Doshit? Dhe mbi të gjitha a është ai shkaku kryesor i konfliktit mes tij dhe Edi Ramës? Këto pikëpyetje po mundojnë opinionin publik së paku prej dy ditësh. Në fakt në mjediset politike në kryeqytet, prej kohësh qarkullonte në formën e thashethemnajës një nga variantet e historisë, sipas së cilës Tom Doshi ishte kërcënuar me vdekje. Njëherë thuhej se porositësi ishte Meta, një herë se e keqja mund t'i vinte nga Saimir Tahiri dhe njëherë nga një aleancë e papritur e të dyve këtyre bashkë. Ajo që dihej me siguri në Tiranë (përpos takimeve me Metën dhe kryeprokurorin që janë marrë vesh së fundi) ishte se deputeti i veriut, kishte shtuar shumë badigardët rreth tij dhe kishte ndërruar makinën e vjetër të blinduar me një Audi të ri, që këtë herë ishte projektuar për t'i rezistuar edhe atentateve me predhë. I ngjashëm me atë të Anxhela Merkelit thoshin njerëzit rreth tij.
Pra një gjë është e sigurtë. Nga diçka, Tom Doshi ruhej.
Por pyetja e dytë, pra ajo nëse ky kërcënim me vrasje ka qenë në thelbin e prishjes së tij me Ramën, është e vështirë të besohet. Së pari nga këndvështrimi logjik. Nëse prej 5 muajsh Tom Doshi ndihej i kërcënuar për t'u vrarë nga Ilir Meta dhe Rama nuk e kishte marrë në mbrojtje, ajo qe një arsye e mjaftueshme për prishje mes të dyve. Nëse ky do të kishte qenë shkaku real, Doshi nuk kishte pse shkonte drejt një përshkallëzimi gradual akuzash. Fillimisht ndaj ministrave, pastaj ndaj drejtoreshave të korruptuara, pastaj për merakun e socialistëve të zhgënjyer dhe premtimeve të pambajtura. Vetë mënyra sesi Tom Doshi i artikuloi akuzat e tij, të bënin të mendoje më shumë për një presion ndaj kryeministrit, sesa për një problem real të jetës së tij. Dhe vetë fakti që ai vendosi ta nxjerë historinë e vrasjes (megjithëse pa treguar motivin pse ish gjendur në këtë hasmëri) vetëm pas përjashtimit nga PS, tregon se ajo nuk përbën shkakun real të prishjes me Ramën.
Pikërisht në vijim të kësaj logjike shkon edhe kronologjia e ngjarjeve. Fërkimi i parë i deputetit Doshi me këtë qeveri, veçanërisht me ministrin e Brendshëm, ndodhi më 22 korrik 2014, kur ai deklaroi në Komisionin e Ligjeve se tepelenasit po mbushnin radhët e policisë. Ai e akuzoi atëhere Tahirin se nuk kish bërë asgjë për kapjen e atentatorëve të bankierit të vrarë Santo dhe se nuk kishte ndonjë meritë të veçantë në aksionin e Lazaratit. Këto akuza të bëra edhe nga opozita, rimerreshin për herë të parë nga një përfaqësues i kësaj mazhorance. Si të mos mjaftonin ato, Doshi organizoi edhe një grup deputetësh të fortë, në verën që kaloi, gjoja për të festuar ditëlindjen e deputetit Mark Froku, duke i bërë shantazhin e parë shumicës. Ai pengoi për një seancë votimin e reformës territoriale. Por qe ndërhyrja e Ilir Metës, që shkoi me këmbët e tij në këtë ditëlindje fallco, që i bëri më të arsyeshëm deputetët rebelë. Gjë që tregon se ende gjatë verës, marrëdhëniet e Doshit me Metën ishin të mira. Ata e kishin kaluar tashmë krizën e videopërgjimit Meta- Prifti dhe atë të 21 janarit. Pikërisht në këtë kohë marrëdhëniesh të mira, Ilir Meta pretendon sot se Doshi i ka folur për herë të parë në zyrën e tij, për një tentativë vrasjeje me pagesë. Meta thotë se Doshi i ka përmendur (në mënyrë absurde) emrin e kunatit të Berishës. Një tjetër variant i pavërtetuar që qarkullon, është ai se ka qenë Ilir Meta ai që e ka thirrur Tomën për t'i thënë se duan ta eleminojnë. Dhe pasi ka verifikuar gjërat, deputeti i Shkodrës ka arritur në përfundimin se pas gjithë kësaj loje fshihej kreu i Kuvendit. Por këto hipoteza do të mbeten edhe për shumë kohë të pasqaruara.
Megjithatë vera kaloi dhe dukej sikur tensionet u fashitën. Në një investigim të saj, faqja Respublica.al dëshmon madje se Tom Doshi ishte kthyer të bënte rolin e aktorit të mirë socialist. Kjo mund të vihet re edhe nga fakti se në profilin e vet në “Facebook”, z. Doshi më datën 10 janar ka postuar këtë status: “Falenderoj të rinjtë shkodranë për mbeshtetjen që i japin Partisë Socialiste. Kjo strukturë do të jetë edhe baza jonë për fitoren e bashkisë, gjë e cila është e sigurt. Me një strukturë rinie të fortë sfida e bashkisë do kapërcehet me shumë energji. Së bashku drejt fitoreve të mëdha”. Është pra një mesazh që flet për normalitetin politik brenda radhëve të PS-së, madje për shpresën e deputetit socialist se PS-ja do të fitojë edhe Shkodrën.
Por kjo periudhë nuk do të zgjaste shumë. Fjalët për një eleminim të mundshëm të deputetit të Shkodrës filluan të përhapen dhe si gjithmonë zëdhënësi i tyre u bë Sali Berisha. Ai do t’i drejtohej Doshit në Parlament me deklaratën se “t'i ke mbyllur gojën se të ka kërcënuar Shullazi”. Nuk dihet se nga e kishte ish kryeministri këtë informacion. Por ajo që bënte përshtypje qe fakti i nxjerrjes së emrit të Shullazit. A e kishte kërcënuar Doshin personi që opozita e akuzon për lidhje të ngushtë me ministrin e Brendshëm? Apo kërcënimi vinte nga një linjë tjetër ashtu sikurse pohojnë sot njerëz pranë Doshit? A dinte fakte Berisha, apo ngatërrohej qëllimisht?
Ajo që dihej me siguri është se pas këtij fakti të bërë publik në parlament, Tom Doshi i është afruar Berishës në sallën e Kuvendit dhe i ka folur edhe në sy të dëshmitarëve të tjerë të PD. “Mos gënje o Sal”, i ka thënë. “Ti e di mirë se kush ka dash me m’vra, por po je burrë eja të bashkohemi ta rrëzojmë Tahirin”.
Nuk vonoi shumë dhe gjërat precipituan me shpejtësi. Kështu, pas insinuatave të Berishës, gazeta “Sot” citonte deputetin të shprehej i pakënaqur me qeverisjen. “Populli po vuan dhe vendi ka nevojë për politika zhvillimi dhe jo kafshatë. Ekonomia nuk bëhet me klientelizëm dhe energji negative. Partia Socialiste duhet të mbajë premtimet ndaj popullit. Nuk jemi në rrugën e duhur". Më tej në Grupin Parlamentar, ku mungonte kryemimistri, Doshi do të rëndonte akuzat: “Qeverinë duhet ta analizojë grupi parlamentar ai që e ka votuar. Por, këta ministrat tanë nuk i përfillin më deputetët, madje nuk i hapin as telefonin sepse u duhen deputetët vetëm për fushata që të mbledhin vota. Këtë arrogancë, nuk e kanë pas as ministrat e Berishës. Ata ministra që nuk kanë mbështetjen e grupit parlamentar duhet të ikin. Drejtoresha e tatimeve, Griselda është bërë si “Vejusha e zezë” e Eskobarit e cila ka vënë nënën, motrën dhe vëllain si sekserë që punojnë për përfitimet e tyre. Drejtoresha e doganave ka burrin e saj sekser. Kjo është e vërteta”. Deklarata këto që kaluan në heshtje, ose u panë si kërkesa personale nga kryeministri, i cili udhëtoi drejt Rumanisë, në një vizitë ku ishte i pranishëm edhe kreu i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi.
Më 26 shkurt Doshi doli hapur para mediave me deklaratën e fortë me të cilën shpalli luftën me kryeministrin. Dhe ku duhet thënë se ka brenda edhe qëndrime mirëfilli politike: “nuk ka dhënë asnjë investim për Shkodrën. I gjithë buxheti është përqendruar në jug… Do t’ia bëj me dije Edi Ramës që që sot e tutje, mes meje dhe tij nuk ka më paqe dhe do ta shohin se kush është i humbur prej kësaj situate. Kur të flas unë, do t’i dridhen themelet mazhorancës dhe qeverisë. Unë përfaqësoj të gjithë elektoratin e Shkodrës. Kam 10 vjet që jam në politikë, kam drejtuar të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe lokale dhe dihet se çfarë fitoresh ka pasur PS në Shkodër, por Edi Rama është mosmirënjohës, bukëshkelës për mua dhe ata që e votuan në Shkodër dhe do ta shohë edhe në zgjedhjet lokale”.
Pikërisht përshkallëzimi i këtyre deklaratave solli deri në vendimin e Ramës për ta përjashtuar "shokun e tij të ngushtë” të viteve të opozitës, me të cilin nuk fliste më që prej katër muajsh. Po ç'kishte ndodhur? A ishte në themel të kësaj prishjeje “historia me killera” apo thjesht gjithçka kishte të bënte me një histori lufte për pushtet ekonomik dhe politik. Më teper gjasë ka të besohet e dyta. Burimet e Lapsi.al thonë se kur Rama krijoi qeverinë e tij, ai ishte ende në muaj mjalti me Tom Doshin. Ai madje besohet se i ka thënë Doshit se ministër Shëndetësie po caktonte Ilir Beqen dhe me këtë akt qe i larë me të. Dihen interesat e mëdha që Doshi, pronar i Profarmës, ka me biznesin farmaceutik në vend. Ndaj dhe një ministër Shëndetësie me bekimin e tij, qe një dhuratë tejet e majme. Të njëjtën gjë Rama bëri edhe me Kokëdhimën duke i “falur” atij Albetrolin. Pra paktet ishin bërë dhe pushteti i ri dukej se do të vazhdonte në paqe. Por nganjëherë oreksi është më i madh sesa arsyeja njerëzore. Dhe sipas burimeve brenda qeverisë, interesat e Doshit ishin tejet më të mëdha. Argumentin e interesave personale në këtë prishje, Edi Rama e përdori edhe gjatë tentativës për neutralizimin e grupit të të fortëve të PS-së, të cilët i mblodhi me urgjencë, menjëherë sapo Toma filloi sulmin. Pra versioni i interesave të prishura nuk duhet neglizhuar në të gjithë këtë histori. Zëra pranë qeverisë kanë pohuar tani së fundi disa incidente të tij me ministrat. Sipas tyre Doshi i ka kërkuar ministrit Bushati futjen e disa qytetarëve të huaj të paregjistruar në vend. Dhe vetëm pasi kjo kërkesë nuk i është plotësuar, ai ka dashur ta godasë fizikisht ministrin e Jashtëm në kafen e parlamentit. Po të njëjtat burime tregojnë edhe për një bisedë telefonike, tejet të rëndë të Doshit me ministren e arsimit Lindita Nikolla. Pasi ajo nuk i ka plotësuar disa nga kërkesat e deputetit për qarkun e Shkodrës, ajo i është nënshtruar një fjalori banal me libër shtëpie.
Këto arsye, pra ato të një “kryeministri të fortë” që i mbivendosej kryeministrit real, ka mundësi të kenë qenë shkaqet e vërteta të prishjes Rama- Doshi. Ka pasur një moment që Rama ka ndjerë se pesha e Doshit brenda shumicës së tij po rritej më tepër se duhej dhe ai ka vendosur t'i thotë ndal. Pikërisht me të njëjtën logjikë shpjegohet edhe konflikti i fundit, ai se kush do të jetë kandidati i PS-së për bashkinë e Shkodrës. Duke zgjedhur opsionin e gruas biznesmene, Keti Bazhdari, e cila ishte larguar nga lista e zgjedhësve në vitin 2013 vetëm sepse ajo do të kryesohej nga Tom Doshi, Rama kish hedhur edhe një hap tjetër. Ai tanimë nuk po i mbyllte Doshit vetëm rubinetat e pangopsisë, por ai po e sfidonte edhe atje, në pashallëkun e tij, në Shkodër, ku ndihej i plotfuqishëm dhe fitimtar.
Kaq ka mjaftuar që i rrethuar nga të gjitha anët, me mundësi të kufizuara dhe sedër të prekur, Tom Doshi të shpërthente. Duke menduar se do ta shantazhonte Ramën. Duke u gënjyer si shumë të tjerë dhe duke menduar se Rama në hall, është i njëjti njeri edhe kur vjen në pushtet. Dhe ndoshta ka qenë kjo llogari e gabuar, që ndikoi në prishjen përfundimtare Rama- Doshi, më shumë sesa akuzat halucinante me killera.