Artan Fuga: Ministria t’u kërkoj falje studentëve për gabimin e bërë
Me anë të një postimi në Facebook, akademiku Artan Fuga ka dalë në mbështetje të studentëve të mjekësisë, pasi sipas tij të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara agjencive publike. Fuga thekson se ministria e Arsimit duhet t’u kërkoj falje studentëve për gabimin e bërë.
‘Nëse kërkesa e studentëve të mjekësisë është që ata që kanë ardhur nga privati të paguajnë po aq sa studentët e tjerë, ata kanë plotësisht të drejtë në kërkesat e tyre.
Ministria duhet menjëherë t’ua realizojë dhe të kërkojë falje për gabimin e rëndë të bërë.
Qytetarët janë të barabartë përpara agjencive publike. Pa një e pa dy. Përndryshe është diskriminim i rëndë. Do të ishte turp për Avokatin e Popullit po të mos e deklarojë këtë menjëherë.
Nuk mund t’u thuhet studentëve se ju e kishit përgjegjësinë që ishit regjistruar në universitetet e mbyllura.
Jo, përgjegjësinë e kishte shteti, ai i mori në qafë studentët, administrata e atëhereshme, që i la hapur ato kioska mashtrimi. Sikurse administrata e tanishme ka lënë hapur kioska të tjera që bëri sikur do t’i mbyllte dhe nuk pati këllqe.
Nuk mund t’i thuash një të përmbyturi që e strehon në hotel se ti meqë vjen nga shtëpi tjetër e përmbytur dhe je në hall do të paguash një çmim më të lartë për dhomën e hotelit sesa klientët e rregullt.
Shteti nuk bën ndere, “ja të bëra nder që të regjistrova te publiku”, jo, shteti bën detyrën, dhe detyrën e bën duke qendruar drejt e gatitu para parimeve kushtetuese të barazisë.
Nuk u bën nder studentëve që dolën gjallë nga përmbytjet e kioskave arsimore, por vetëm detyrën, aq më pak mund ta shkëmbejë “nderin” me parà. Hiqeni dorën nga xhepat e studentëve të shkretë!
Lërini historitë me taksapaguesa, sepse taksat paguhen fillimisht për të mos lënë mashtruesit e djeshëm dhe të sotëm të ngrejnë firma piramidale me investime shumë të dyshimta të shesin diploma pa asnjë vlerë.
Shteti mos keqpërdori taksat duke mos ushtruar autoritetin e tij kundër kioskave kanceroze universitare’ shkruan Fuga.