Artan Fuga: Po ikin të gjithë, a ka vesh të dëgjojë PD apo do mbytet me deklarata inatçore?!
Profesori dhe akademiku Artan Fuga, në një shkrim të tijin botuar në FB, shkruan për situatën që po kalon PD-ja.
Fuga shpreh keqardhjen për largimin e Besnik Aliajt nga PD dhe ngre alarmin se intelektualët po largohen çdo ditë e më shumë nga partitë politike.
Për kë bien këmbanat?!
Profesor Besnik Aliaj largohet nga funksionet e tij në departamentin që drejtonte në partinë demokratike.
Profesor i njohur, urbanist i talentuar, njohës i shkëlqyer i problematikave të menaxhimit të territorit, thuajse i përplas derën politikës.
Sikur të ishte i vetmi. Numuroni se sa profesorë, arkitektë, shkencëtarë keni aktivë në politikë.
Nuk janë indiferentë jo, por i përzë ajo që shohin, përjetojnë dhe mjedisi.
A ka vesh të dëgjojë partia demokratike? Apo do të mbytet në dhjetra deklarata njera më inatçore se tjetra, njera më pa logjikë se tjetra!
A ka vesh të dëgjojë politika?
Ndani postet, votat, pushtetet, pasuritë, intelektualët e kanë braktisur gjithnjë e më shumë politikën.
Ndani postet, votat, pushtetet, pasuritë, qytetarët vijnë gjithnjë e më pak në votime.
Ndani postet, pushtetet, pasuritë, votat, mediat, tenderat, koncesionet, pallatet, rinia braktis atdheun.
Merrini të gjitha, grinduni se kush e kishte fajin, bëni marrëveshje, mosmarrëveshje, përleshje, leshje, mallkoni, lavdëroni, hani, pini, qeshni, gjithçka është tuaja!
I keni të gjitha.
I gëzofshi!
Intelektualët, si votuesit, si rinia, si emigrantët po ikin !
I fundit të fiki dritat në Koman!”, shkruan Fuga ne rrjetin social.