Artur Zheji: Mark Frroku, personi që sajoi farsën ndaj Metës
Artur Zheji shkruan sot se Mark Frroku, sipas të gjitha gjasave, është personi që qendron pas frasës së vrasjeve të porositura nga Ilir Metë. Për Zhejin, Tom Doshi me sa duket është viktimë e Frrokut. “Simbas të gjitha gjasave, është Mark Frroku, personi kyç i kësaj historie. Ndoshta është ai, arkitekti i kësaj farse dhe Toma, viktima, që duhet të shërbente si detonator shpërthyes për të shkatërruar Ilir Metën. Publikisht dhe politikisht. Kuptohet, së bashku me Ilir Metën, edhe shumicën qeverisëse sigurisht”, shkruan Zheji te Mapo.
Ai thotë se Berisha u përpoq ta shfrytëzonte këtë, për të përçarë dyshen Rama-Meta. Por, sipas tij, këta të fundit e kaluan me sukses këtë sprovë. “Përmes një kompromisi të pashkruar dhe të papërfolur. Rama dominoi tundimet e pushtetit absolut. Gjithmonë nëse ka pasur të tilla. Ndërsa Meta është “zgjuar” këto ditë shumë më socialist sesa ishte më parë, dhe më agresiv ndaj Opozitës. Mirëpo thuhet se jo çdo e keqe vjen vetëm për të keq. Votimi plebishitar i së enjtes me 113 vota për rastin Frroku, bashkimi i votave PS-LSI-PD dhe të tjerë, solli një hop pozitiv dekriminalizues. Dhe kështu, ata që u përdorën për të endur rrjetën me të cilën do të “kapej” Ilir Meta votim pas votimi parlamentar, ndodhen vetë brenda kësaj rrjete. Të përdorur. Të braktisur. Të harruar. Të flijuar”, e mbyll Zheji shkrimin e tij.
Lexoni shkrimin e plotë të Artur Zhejit:
Farsa kundër Ilir Metës dhe votimi me nr. 113