Artur Zheji: Shqipëria me një këmbë dhe me shumë koka të nxehta…

Nga Artur Zheji –Shpesh shumë kush shprehet se vendi ynë, nuk bëhet, megjithëse Zoti na ka dhënë shumë bukuri natyrore, shumë pasuri mbi e nëntoksore, klimë të mirë dhe të shumëllojshme, pozicion të favorshëm gjeografik.
Jemi një popull i vjetër, me histori krenare dhe me gene të forta e të mira, por…
Por në më të shumtën e herës na mbizotëron pesimizmi, për të sotmen dhe të nesërmen dhe me rrënjosjen e bindjes se megjithatë, ka diçka të madhe që nuk shkon, ka diçka negative dhe të pandreqshme në mënyrën se si vetëqeverisim burimet dhe energjitë tona, natyrore e pasurore dhe pse jo edhe energjitë shpirtërore e psikologjike.
Kush e ka fajin që në Shqipëri, mbizotëron mosbesimi dhe pesimizmi?
E kaluara e mbushur plot zhgënjime dhe konflikte, e mbizotëruar nga udhëheqës politikë arrogantë, egoistë, pa dhimsuri për njerëzit dhe pa vlera të mirëfillta atdhedashëse?
Një vend i vogël, e megjithatë i coptuar, i përçarë, me disa fe dhe besime, në më të shumtën e rasteve në konflikt me pushtetin e vet dhe krejt mosbesues ndaj shtetit të vet, që është sjellë shpesh me popullin e tij, më shumë si armik e shfrytëzues, se sa, si mbrojtësi i interesave kombëtare e popullore?
Por si krijohet dhe nga lind dhe si mund të zhvillohet energjia pozitive, në këtë vend dhe në këtë bashkësi njerëzore, ku mbizotëron depresioni, mosbesimi, urretja dhe fatalizmi?
Energjia pozitive është një fjalë në ajër, apo një gjë e prekshme, një gjë e rëndësishme që ushqen dhe përcakton të përditshmen tonë?
Kemi pra shanse të vetëkorigjohemi dhe të rizgjojmë një Shpresë të re, njerëzore, kombëtare, vëllazërore më sa më pak urrejtje dhe me sa më shumë energji pozitive?
Mision i pamundur? Apo ska asgjë të pamundur kur egziston një vullnet i fortë dhe i kthjellët?…
Jemi ne që pjellim një klasë politike të shëmtuar apo është politika që përcakton varfërinë dhe shëmtinë tonë të përditshme?
Apo jemi të vetëpushtuar nga pjesa më e pakulturuar, nga njerëzit më të shtirur, nga individët më pavlera dhe që shkelin dhe nëpërkëmbin besimin naiv dhe fëminor të shqiptarëve që vijojnë të besojnë te gjërat dhe njerëzit e gabuar?
Shumë pyetje, pak përgjigje dhe gjithmonë e më pak shpresa!…
Por dukshëm Shqipëria e sotme, edhe më shumë se sa Shqipëria e djeshme, ngjan si një krijesë e plagosur për vdekje, që qëndron me një këmbë dhe që mbi trupin e saj, ka shumë koka të nxehta, gënjeshtare, në konflikt të parreshtur për pushtet, që na dërgojnë drejt greminës…

SHKARKO APP