As 5 minuta nuk e pranoi për lider!
Nga Mero Baze
Protesta e së hënës e opozitës meriton të përshëndetet, jo për ndershmërinë e saj, dhe as për moralin që ka kjo opozitë të flasë për çmimin e naftës, por për shpresën se më në fund Lulzim Basha do të vendoste vetë se si duhej të protestonte opozita e tij. Më shumë se sa një sprovë kundër qeverisë, protesta ishte një sprovë e Bashës për të lënë mbrapa shkollën e protestave të Berishës dhe për të prodhuar një model të ri opozitarizmi, i cili vërtitet mes gjesteve të dikurshme të Mjaftit, që Basha vazhdon ta adhurojë, dhe një opozite që prek më shumë qytetarët se sa militantët e vet.
Nuk ka shumë rëndësi sa vet ju përgjigjën. Mund të bëjmë humor plot me mundimin e një partie kaq të vjetër në rrugë për të bërë një tip proteste që se ka bërë kurrë. Mund të mbajmë mend Genc Pollon e vitit 1997 kur hipur në një furgon çau gardhin e policëve për të shkuar tek grevistët pranë TVSH dhe Genc Pollon e sotëm me një makinë luksoze, që bënte seflie tek makina e ndaluar para Kryeministrisë. Është pak e sfrocuar, por nuk ka pse t’ia marrim për ters. Si një provë gjenerale nuk ishte keq.
Nuk kishte shumë rëndësi sa vetë do bllokoheshin në rrugë apo sa qytetarë ju përgjigjën vullentarisht gjestit. Mjafton të bllokoje disa kryqëzime, dhe vargu i makinave që i binin borive formohej vetë.
Por, ajo që i druhej Basha ndodhi. Diku pas pesë minutave, kur gjithçka dukej se më në fund u bë, u shfaq Ai. I hakërryer nga ideja që po ndodhte diçka që nuk kishte ndodhur më parë, iu afrua mikrofonit si të ishte pronari i protestës, dhe filloi të derdhë përroin e tij psiqik. “E paralizum, e mbytëm, e bëmë të drogum….” një lumë fjalësh, të cilat më shumë se sa kundër Edi Ramës, ishin një pshurrje për përpjekjen e Lulzim Bashës për të dalë nga shkolla e tij e protestës.
Ai duhet të jetë ndjerë shumë i fyer kur ka marrë vesh këtë skenar kalamajsh proteste, dhe me siguri që ka pritur të mos ndalë asnjë makinë. Por, kur pa që disa kryqëzime u bllokuan dhe opozita nxorri shoferët e saj për të ndalur trafikun, ai nuk mund të rrinte mënjanë.
Përpjekja për të nxjerrë nga moda modelin e tij të protestave, është një përpjekje që ai e lexon si nxjerrje në pension të gjithë shkollës së tij politike, dhe kthimin e tij në një njeri të panevojshëm në ndërtesën e SHQUP. Ai më shumë se kurdoherë tjetër ka ashpërsuar gjuhën e tij, ka vulgarizuar fjalorin, ka banalizuar replikat, dhe ka degraduar logjikën politike në komunikimin publik. Ai po sillet si një bishë e plagosur, që nuk do të japë shpirt. Bërtet, sokëllin, shan, mallkon, pasi vetëm kështu beson që është ende gjallë dhe që mund të trembë ata që i rrezikojnë pasardhësit për shkak të bëmave të tyre. Ka indoktrinuar gjithë familjen e tij deri tek nipat e mbesat 5 vjeç, duke u treguar përnatë përrallat e pushtetit të tij, duke ua ndarë botën në Ata dhe armiqtë. Biles dhe gazetarët që deri dje i ka përdorur si shërbëtorë të tij, tani i akuzon se janë prostituta të Edi Ramës dhe kushedi. E ka fjalën fiks për të njëjtët.
Befas të hënë ai pa që selia ku ai ka shpresën që ta përdorë për përmbysje, tentoi ti iki shkollës së vet, të heqë dorë nga modeli i protestave të tij, të mos flasë për militantët, por për qytetarët e këtij vendi, edhe pse pa shumë moral në atë çëhstje…dhe nuk duroi dot. U afrua tek mikrofoni, pshurri protestën dhe iku.
Nuk mund të mos e bënte. Nuk mund ta pranonte që ka dhe një rrugë tjetër veç modelit që ai ofron për të udhëhequr opozitën. Nuk mund ta linte Lulzim Bashën të provonte kënaqësinë për të qenë qoftë edhe 5 minuta kryeopozitar.
I doli natyrshëm nga brenda vetes nevoja për t’u dëshmuar të gjithëve, se edhe kjo protestë ka nevojë për një të sharrë nga nëna në fund. Nuk mund të ishte diçka që nuk lidhej më me të. Kjo do të ishte fundi i tij. Ai nuk ka hall nëse protestuesit kur janë në rrugë e kanë në shënjestër apo jo kryeministrin. Ai ka hall nëse e kanë atë në mendje si idhull të tyre apo jo. Ndaj dhe nuk mund të mungonte. Nuk mund ta linte as 5 minuta kryetar të opozitës!
Marrë nga gazeta "TEMA"