Asimetritë midis dialogut të brëndshëm dhe dialogut me fqinjët
Nga Prof.Lisen Bashkurti /
Një proces dialogu ka përfshirë vëndet e Ballkanit Perëndimor ndërmjet tyre. Mirëpo, në të njëjtën kohë ky rajon po përfshihet në një valë protestash masive. Shkaqet e protestave, me ndonjë perjashtim të rallë janë pak a shumë të njëjta. Krizat ekonomike dhe pasojat sociale, krizat politike nga qeverisjet e dobëta dhe prirjet autoritariste, korrupsioni dhe krimi i organizuar në nivele të larta, mungesat e shtetit ligjor dhe të sistemit të drejtësisë, dobësitë në funksionimin e demokracisë, shkeljet e të drejtave të njeriut, injorimi i opozitave politike dhe kapja e mediave. Këto procese të trazuara të brëndshme po kërcënojnë procesin e dialogut rajonal.
Ballkani Perëndimorë vazhdon të jetë në tranzicion. Tranzicionin, sic merret me mënd e zgjatë mos adresimi në kohë i problemeve ekonomike e sociale që kanë sjellë akumulimin e tyre, rritja e pakënaqësisë së masave, rënia e besimit tek qeverisjet dhe fryma perjashtuese e aktorëve politikë dhe jo-shtetëror në politikë-bërje dhe vendim-marrje.
Mbi të gjitha në vëndet e Ballkanit Perëndimor verëhet një polarizim i skajshëm politik mazhorancë-opozitë, sikundër edhe midis aktorëve shtetëror dhe jo-shtetëror. Mungon gjithëpërfshirja si një prej vlerave më të rëndësishme të demokracisë. Pjesëmarrja në politikë-bërje, draftim-ligjesh, vendim-marrje është e kufizuar në fare pak faktorë, të cilët janë të lidhur dhe shpesh të varur nga grupe të caktuara interesi, me fije korruptive dhe kriminale. Sjellja politike në Ballkanin Perëndimorë vazhdon të jetë me dy standarte: ndërkohë që flitet për dialog ndërkombëtar, injorohet tërësisht dialogu i brëndshëm. Kjo asimetri ka shumë pasoja të rrezikshme.
1.Mungesa e dialogut të brëndshëm rrënon themelet e demokracisë
Në Ballkanin Perëndimor mungon dialogu institucional, politik dhe shoqëror. Mungesa e dialogut është e pranishme thuajse në të gjithë demokracitë dhe shoqëritë Ballkanike. Kudo vërehen mazhoranca që përdorin, shpërdorin dhe abuzojnë fuqinë e kartonit në lëgjislative, për rrjedhojë edhe në politikë-bërje, vendim-marrje dhe projekte dhe financime publike.
Opozitat ndjehen përgjithësisht të margjinalizuara. Participimi i tyre në jetën politike e institucionale është i paralizuar ose perjashtuar. Opozitat trajtohen nga mazhorancat si djalli i shoqërisë, si pengesa serioze përparimi, si faktorë të dështuar nga humbjet e së kaluarës dhe si armiq kërcënues të së ardhmes. Për cdo problem dhe sfidë opozitat fajësohen nga mazhorancat si shkaktaret kryesore. Për cdo arritje dhe sukses mazhorancat mburren dhe propogandohen si forcat e vetme progresive.
Kjo sjellje politike mazhorancash ka provokuar reagime në jo pak raste të skajshme edhe të opozitave. Duke u ndier të shpërfillura, të perjashuara nga proceset, madje edhe të damkosura dhe baltosura pafundësisht, opozitat po përdorin forma politike radikale, sic janë bojkotet parlamentare, protestat e rrugëve dhe pakënaqësitë e shtresave te ndryshme shoqërore.
Marrëdhëniet mazhorancë-opozitë po sjellin polarizim të skajshëm politik në Ballkanin Perëndimor. Thellimi i këtij hendeku mazhorancë-opozitë po krijon përcarje politike kombëtare, mungesë të kohezionit social dhe përplasje në koabitacionin midis institucioneve shtetërore, qeveri-qëndrore dhe qeveri-vendore. Në këtë situatë konfrontuese shoqëria civile, grupet e interesit dhe media ose po bëhen shtojca të mazhorancave ose po zhyten në kaos me paqartësi në mendimet, qëndrimet dhe veprimet e tyre.
Mungesa e kulturës dhe vullnetit për dialog të brëndshëm ka dobësuar së tepërmi komunikimet midis aktorëve shtetëror, politik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimorë. Për rrjedhojë nuk ka pjesëmarrje demokratike. Strategjitë, politikat publike, platformat qeverisëse, ligjet, buxhetet hartohen dhe miratohen në mungesë të plotë dialogu. Për rrjedhojë, strategjitë, politikat publike, platformat qeverisëse, ligjet, buxhetet dhe projektet e ndyshme ndeshin në kundërshtime të mëdha, cka pamundëson ose vonon zbatimin e tyre, ose sjellin zbatimin e pjesëshëm të tyre.
Polarizimi politik, mungesa e kohezionit social dhe e koabitacionit institucional ka bërë që shumë aktorë politik, social dhe institucional në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor t’i kundërvihen haptazi zbatimit të ligjeve, platformave qeverisëse, projekteve publike e publike-private të miratuara njëanshmërisht nga mazhorancat. Mungesa e dialogut konstruktiv dhe permanent ndërmjet gjithë aktorëve shtetëror, politik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor po dëmton seriozisht zbatimin e ligjeve, vendimeve, politikave dhe projekteve të ndryshme. Fryma perjashtuese në politikë-bërje dhe vendim-marrje po provokon frymë kundërshtuese dhe moszbatuese të ligjeve. Baza e ngushtë në politikë-bërje dhe vendim-marrje po kundërshtohet nga baza e gjërë opozitare, shoqërore dhe grupet e interesit. Ligjet nuk implementohen. Shteti ligjor nuk po funksionon. Shteti i së drejtës është i cunguar dhe i kërcënuar.
2. Mungesa e dialogut të brëndshëm rrezikon dialogun fqinjësor
Shtetet e Ballkanit Perëndimorë ballafaqohen me problematika të shumta ndërmjet tyre. Në themel të këtyre problematikave janë marrëdhëniet fqinjësore. Dhe në agjendat problematike fqinjësore qëndrojnë probleme kufijsh dhe pretendime territoriale, probleme pakicash dhe tendenca separatiste, probleme historike dhe politizime të tyre, probleme sigurie për shkaqe kontrabandash, krimi, trafiqesh të paligjshme, pastrime parash dhe rreziqesh terroriste, probleme kulturore e konfesioni fetar dhe fobitë ndaj tyre.
Gjithë kjo gamë e gjërë problematikash fqinjësore është thirrje serioze dhe emergjente për dialog midis shteteve të Ballkanit Perëndimor. Formalisht ka nisur dhe vazhdon një dialog ndërshtetëror. Por, ky dialog ndërshtetëror ndërkombëtar po ngrihet mbi mungesën e dialogut të brëndshëm edhe për këto qështje.
Dialogu Kosovë-Serbi po ngrihet mbi perjashtimin e opozitave si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Opozitat në Prishtinë dhe në Beograd si dhe grupe të caktuara politike, shoqërore dhe interesi po kundërshtojnë dialogun me arsyetime të ndryshme. Ndërkohë, mazhorancat në vënd që të bëjnë gjithë përpjekjet për përfshirjen në një bazë sa më të gjërë të aktorëve politik e shoqëror në proces, po i anashkalojne dhe madje po i fajësojnë ato për dështimet e dialogut.
Dialogu Greqi-Maqedoni arriti të formalizohet me Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, duke zgjidhur një kontest shumëvjecar midis dy vëndeve. Mirëpo arritja pozitive e këtij formalizimi po ndeshet në rezistence kundërshtuese të opozitave dhe të faktorëve të tjerë në të dy vëndet. Në Maqedoni opozita dhe Presidenti i vëndit po bëjnë cdo përpjekje për të penguar ndryshimet kushtetuese që do funksionalizonin Marrëveshjen e Prespës. Dialogu politik mazhorancë-opozitë sikundër edhe parlament-president po sforcon së tepërmi implementimin e Marrëveshjes së Prespës në Maqedoni. Ndërkohë, edhe në Greqi opozita greke dhe faktorë të tjerë grekë po ngulin këmbë që Marrëveshja e Prespës të anullohet. Mungesa e dialogut të brëndshëm si në Maqedoni ashtu edhe në Greqi duket se po pengon zbatimin e marrëveshjes.
Dialogu Shqipëri-Greqi për një paketë marrëveshjesh midis dy vëndeve, mëgjithë ulje-ngritjet e paqartësitë e tij u duk se po ecte në një farë mënyre. Në këtë paketë përshihen delimitimi i kufirit detar, përcaktimi i kufirit tokësor, zgjidhje të disa problematikave historike sic është heqja e ligjit të luftës me Shqipërinë nga Greqia, problemi i varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri gjatë betejave Italo-Greke të Luftës së Dytë Botërore si dhe një sërë problemesh të tjera aktuale.
Ky dialog, ende i paqartë dhe jo mjaftueshëm transparent po ndeshet në kundërshtime serioze të brëndshme si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri. Opozita dhe faktorë të tjerë grekë po kundërshtojnë heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë, kanë fshirë nga agjenda diplomatike qështjen Came, po përplasen në qasjet ndaj delimitimit të kufirit detar, po shpalosin pretendime anakronike lidhur me pakicat dhe pronat e tyre në jug të Shqipërisë dhe po demonstrojnë dukuri vorio-epirote dhe tendenca shqiptaro-fobe. Në Shqipëri, opozita dhe faktorë të tjerë po ashpërsojnë tonet lidhur me mënyrën sesi po bëhen bisedimet, për versionet e përfolura të kufirit detar, për qështjen Came dhe ligjin e luftës, për varrezat e ushtarëve grekë dhe aspekte të pakicave greke në jug të Shqipërisë. Pra ecuria e dialogut diplomatik ndërshtetëror po ndesh në kundërshtime serioze nga mungesa e dialogut të brëndshëm politik dhe institucional në të dy vëndet.
3. Dy standartet ndaj dialogut, pjesë e farsës Ballkanike
Në Ballkanin Perëndimorë demokracia po aplikohet me shumë standarte. Edhe në qasjen ndaj dialogut vërehen dy standarte. Ka mungesë të thellë dhe serioze të dialogut të brëndshëm, ka frymë perjashtuese, mungesë kompromisesh dhe konsesusi, mungesë koabitacioni ndërinstitucional dhe uniteti edhe për qështje me rëndësi publike dhe kombëtare.
Nga ana tjetër, vëndet e Ballkanit Perëndimorë hiqen sikur performojnë në frymë demokratike e Perëndimore lidhur me dialogun me fqinjët. Pak për arsye të presionit të BE, NATO dhe ShBA dhe pak për shkak të nevojave pragmatike për mbështetje ekonomike kombëtare dhe investime rajonale, pothuajse të gjithë vëndet e Ballkanit Perëndimorë shprehen në favor të dialogut ndër-fqinjësor, pra për zgjidhje politiko-diplomatike të të gjithë problemeve ndërmjet tyre.
Është paradoksi Ballkanik i radhës: mungesë dialogu të brëndshëm, nxitje të dialogut fqinjësor. Padyshim dy standarte perjashtuese. Dy standarte hipokrite. Dy standarte anti-demokratike. Dy standarte pragmatiste vulgare. Dy standarte mohuese të njëra-tjetrës. Në fund të fundit dy standarte bllokuese, që pengojnë si zhvillimet demokratike të brëndshme të secilit vënd ashtu edhe zhvillimet rajonale të të gjithëve së bashku.
Mirëpo kësaj politike me dy standarte tanimë po i del boja. Demokracia, herët a vonë e zhvesh hipokrizinë. Nevoja për dialog po ngrihet mbi konjukturat ditore si një vlerë afatgjate. Dialogu është tipar i demokracisë, vlerë e shoqërive demokratike, karakteristikë e politikave publike, të shtrira në mënyrë koherente brënda dhe jashtë vëndi. Pa paqe demokratike të brëndshme nuk mund të ketë paqe demokratike fqinjësore. Për rrjedhojë pa dialog demokratik, konstruktiv dhe permanent të brëndshën nuk ka dhe nuk mund të ketë dialog demokratik, konstruktiv dhe të sukseshëm fqinjësor.