Askush nuk po distancohet nga deliret e Grillos

 

Nga Roberto Saviano

Një prej personave që dua më shumë është operuar kohët e fundit nga kanceri në gji. Në rastin e saj qe e mundur të ndërhyhej në kohë, sepse e ka ndjekur gjithnjë këshillën për t’u kontrolluar, që nga vetëprekja e deri te mamografia. Një shembull i mbrojtjes së jetës. Disa muaj më parë lexova një intervistë të Umberto Veronesi: më goditën fjalët e tij.

Veronesi, pas një jete të tërë të shpenzuar duke bërë kërkime për kancerin, duke informuar dhe duke i edukuar italianët që të mos e lënë veten pas dore dhe që të kenë respekt për jetën e tyre, një jetë që ai, si ateist, e çmon shumë më tepër se shumë katolikë, tha se ndjen se ka dështuar, sepse nuk arriti ta mposhtë kancerin dhe ta kurojë në të gjitha format e tij. E megjithatë unë mendoj se nuk është kështu. Nuk ka dështuar, sepse gjatë karrierës së tij të gjatë si mjek, kërkues dhe mësues, ka shpjeguar diçka thelbësore: që parandalimi është e vetmja armë që kemi për t’i mposhtur disa patologji. Jo se duke i parandaluar nuk mund të sëmuremi, por sepse një diagnozë e parakohshme mundëson të ndërhyhet dhe të shpëtohet jeta.

Kohë më parë lexova një libër të shkruar nga një mjek indian, Atul Gauande, “Me përjashtim të komplikacioneve”, një libër që m’u duk jashtëzakonisht interesant për tezën bazë: mjekësia nuk është një shkencë ekzakte, përbëhet nga studimi, vëzhgimi, përvoja dhe dështimet. Nga këto të fundit shpesh mësohet më shumë sesa nga sukseset. Mund të zbulosh një patologji të rrallë vetëm nëse të ndodh, si mjek, të jesh ndeshur më parë me të, ndoshta edhe duke e humbur betejën. Citova “me përjashtim të komplikacioneve”, sepse besoj se disa sikurse duhen qasur gjithnjë në mënyrë shkencore dhe të rreptë. Sepse shumë shpesh nuk ekziston besimi te mjekët. Shumë shpesh shkohet te mjeku me prekoncepte dhe informacione të marra rrëmujshëm në rrjet, shkojmë të alarmuar sepse procedurat e aplikuara në rastin tonë janë ndryshe nga ato që kemi lexuar për pacientë që ndoshta mund të jenë shëruar.

Në këtë kontekst, që është një përzierje e rrezikshme frike (të justifikuar), mosbesimi te mjekësia publike dhe te mjekësia në përgjithësi, dëshirës për t’u vetëinformuar, i ndërthuret polemika e Beppe Grillo-s lidhur me kotësinë e prezumuar të mamografive.

Udhëheqësi i Lëvizjes ‘5 Yjet’ gjatë marshimit për të ardhurat e qytetarisë lëshoi disa sulme absurde nga Umberto Veronesi-t dhe ndaj fushatës së informacionit që ai ka dekada që e zhvillon lidhur me domosdoshmërinë e mamografive për të parandaluar kancerin në gji, mbi të gjitha në rastet e familjaritetit pozitiv, edhe pse është e këshillueshme të bëhen mamografi dhe në rastin e familjariteteve negative. Çfarë vezullimi i sugjeroi Grillo-s të bëjë një deklaratë kaq të marrë? Kush i ka thënë se mamografia nuk duhet?

Skaneri mamografik mund t’u shpëtojë jetën 28% të personave që i nënshtrohen testit në mënyrë konstante. Ky është rezultati i një studimi të kryer në Norvegji nga 1986 deri më 2009, në një kampion grash nga 50 deri në 79 vjeç.

Natyrisht, duke e kuptuar rëndësinë e deklaratës, Grillo më pas e korrigjoi shënjestrën duke thënë se donte të paralajmëronte ata që besojnë se duke bërë mamografi nuk mund të sëmuresh me tumor, por unë besoj se, edhe në rastin kur mendohet kështu, pra që duke bërë mamografi shmang rrezikun për t’u sëmurë, më mirë ta bësh sesa të mos e bësh kontrollin.

Edhe komunikuesi më i keq – dhe Grillo nuk është mes tyre – duhet ta dijë. Rezultati është se pas vitesh të tëra informimi mjaftojnë pak fjalë të hedhura në ajër për ta rikthyer diskursin rreth parandalimit njëzetë vjet prapa.

Qëndrimet antishkencore të Grillo-s, të pastigmatizuara nga 5 yjet, më bindin për faktin se në politikë injoranca e të ndershmëve është diçka shumë e rrezikshme. Nuk mjafton të jesh i padënuar, i pahetuar. Duhet të jesh mbi të gjitha i përgjegjshëm./ La Repubblica

SHKARKO APP