Astrit Patozi: Çfarë përgjigje po pret SHBA nga PS-PD-LSI?
Nga Astrit Patozi:
AMERIKA PO PRET PËRGJIGJE. AJO MUND TË VONOHET, POR NUK MUND TË MOS JEPET
Sado të bëjnë sikur janë të zënë me punë të tjera më të rëndësishme, udhëheqësit tanë të mëdhenj politikë nuk e shmangin dot detyrimin për t’i kthyer një përgjigje email-it të ambasadores Kim. Sado të lehtë apo të sikletshme që ta kenë, janë të shtrënguar ta bëjnë.
Ajo sugjeron që të shikohet sistemi danez, si një mundësi për të arritur një kompromis për reformën zgjedhore, kur po i afrohemi me shpejtësi zgjedhjeve të rregullta të vitit të ardhshëm. Sa për të parakohshmet, ato ekzistojnë vetëm në kujtimet e ëndërrimtarëve patetikë dhe në premtimet e korifejve të revolucioneve, që nuk shkrepën asnjëherë.
Natyrisht, që ky detyrim nuk ka lidhje fare me letrën e përmalluar që Damiani i ka dërguar sot Oerdit, ku duket sikur po përpiqet ta kujtojë se po soset uji i gamiles së reformës. E di edhe bufi që nuk është, as faji dhe as problemi i tyre, sa herë që ngec në llucë qerrja e negociatave mes qeverisë dhe opozitës. Por është tamam koha, në mos ka kaluar, që të flasin ata që i luajnë realisht gurët në Shqipëri.
Pa dyshim që ne duhet të jemi mirëkuptues. Nuk ka pse të përjashtohet që dikush prej tyre mund të thotë se tani që u prish Teatri, nuk ia vlen më as të jetosh fare, e jo më të mendosh për reformë zgjedhore. Por edhe pse në një kohë vërshimesh emocionale, që kanë shoqëruar shembjen brutale të godinës, ky justifikim nuk është aq i thjeshtë për t’u mbrojtur. Sepse bash në kontratën me Aleancën për Teatrin rreth një vit më parë vetë Lulzim Basha e ka nënshkruar me dorën e tij që, mes të tjerave, do të luftojë fort për ndryshimin e sistemit. Dhe për një njeri, që është shquar se e mban gjithmonë fjalën, nuk është mirë t’i presë në besë njerëzit, aq më tepër tani, kur ata kanë qëlluar të jenë heronjtë e ditës.
Ndërsa lideri suprem mund edhe të fshihet pas refuzimit stoik të palës tjetër dhe të justifikohet se nuk e bën dot në mënyrë të njëanshme, a thua se nuk ka bërë kurrë ndonjë punë, që nuk e ka dashur kundërshtari.
Po të jetë më i sinqertë, mund të tregojë edhe se nuk shkel dot mbi nostalgjinë e 12 vjetëve më parë, që i mundësoi një pushtet absolut, të cilin po e shijon me të gjitha kapacitetet prej 7 vjetësh dhe ka frikë se mund t’ia ndërpresë në mes ëndrrën për të vijuar më tej. Tek e fundit, është e vetmja gjë mbi tokë për të cilën ai edhe Sali Berisha bien dakord ende, dhe kjo arritje nuk është pak për t’u humbur.
Mund të thotë edhe që nuk e lë Gjiknuri apo që e bediz nganjëherë Ditmiri, ndaj edhe nuk e bën dot, por nuk e lë dot pa përgjigje, duke bërë sikur nuk e ka vënë re tekstin e shkurtër dhe të qartë të zonjës Kim mbi tavolinën e vet.
Ata më të vegjlit mund edhe të thonë, fjala vjen, që nuk kanë pse të bëjnë dy herë luftë për të njëjtën çështje. Tek e fundit, në vitin 2008 ata ishin në grevë urie kundër sistemit aktual zgjedhor dhe po ta lidhim me zhvillimet e fundit para se të shembej Teatri, i bie që ata e kanë kaluar radhën e dëzhurnit të tyre. Tani u takon të tjerëve të hedhin ndonjë pushkë, gjithmonë nëse duan apo kanë këllqe.
Por dikush mund t’i bjerë edhe shkurt fare dhe mund të thotë që nuk na plas fare se çfarë thotë dhe çfarë sugjeron Amerika, sepse ne jemi një vend sovran dhe jo një republikë ambasadorësh. Edhe ajo një përgjigje është, mjafton që të thuhet dhe populli ta dëgjojë. Këndej nga ne trimëria dhe guximi janë vlerësuar dhe shpërblyer gjithmonë në kohë reale.
Por është e pamundur që ky debat të shmanget, jo thjesht nga pesha e aleatit më të fuqishëm strategjik të Shqipërisë, që e ka hedhur në diskutim, por mbi të gjitha se është çështja më e rëndësishme që duhet të zgjidhë shoqëria jonë për të arritur ndryshimin e gjendjes së nderë të demokracisë dhe e shtetit të së drejtës në këtë vend.
Ne për vete jemi me të dy duart lart pro, që jo vetëm të diskutohet, por mundësisht të miratohet qysh nesër në parlament sugjerimi i zonjës Kim. Dhe kjo, jo vetëm për shkak se ai vjen nga ambasadorja amerikane, por më shumë ngaqë besojmë se është gjëja e duhur në drejtimin e duhur për të nisur trazimin e kenetës së qelbur politike në Shqipëri nga mosqarkullimi i gjatë i elitave dhe ideve.