Astrit Patozi ka një mesazh: Secili do të korrë atë që ka mbjellë vetë
I përjashtuari nga Partia Demokartike Astrit Patozi i është drejtuar sot kutive të votimit.
Në një deklaratë të shkurtër për median Patozi tha se sot në fakt është dita që flet vetëm sovrani dhe politikanëve u takon më shumë se të tjerëve të heshtin.
Më tej ai thotë se “….Retorika nuk ka shumë vlerë tani, sepse tek e fundit secili do të korrë atë që ka mbjellë vetë. Nesër në këtë kohë me siguri që do të kemi një rezultat paraprak dhe, sigurisht, jo të gjithë mund të thonë sërish që janë fitues apo forcë e pare”.
Fjala e tij
Sot në fakt është dita që flet vetëm sovrani dhe politikanëve u takon më shumë se të tjerëve të heshtin. Është dita e gjykimit të tyre, për atë që kanë bërë dhe nuk kanë bërë në këto 4 vjet. Retorika nuk ka shumë vlerë tani, sepse tek e fundit secili do të korrë atë që ka mbjellë vetë. Nesër në këtë kohë me siguri që do të kemi një rezultat paraprak dhe, sigurisht, jo të gjithë mund të thonë sërish që janë fitues apo forcë e parë.
Do te doja shumë që shqiptarët të dilnin në shumicë dërrmuese për të votuar, më fort se herët e tjera, por druaj që kjo s’ka për të ndodhur, pasi ndjej që ka një zhgënjim jo të vogel prej ofertave kryesore. Uroj me gjithë shpirt që të jem i gabuar në ketë pikë.
Natyrisht, nuk mund ta fsheh që vemendja ime më e madhe është e fokusuar tek Partia Demokratike, si sfidante e pushtetit, por edhe si forca ime politike. Dhe jam i bindur që demokratët nuk do ta shpërdorojnë këtë shans, si një mundësi, jo vetëm për të ndryshuar Shqipërinë, por edhe fatin dhe të ardhmen e partisë së tyre. Nuk ka vend për pesimizëm. Vetëm kaq mund të them për sot.