Astrit Patozi: Shqipëria nuk duhet të punojë vetëm në dhënie
Nga Astrit Patozi –
Lajm shumë i mirë që Greqia do të marrë punëtorë sezonalë nga Shqipëria. E para, se do të ketë zgjidhje për ato mijëra familje, të cilat e kanë lidhur jetën prej vitesh me atë punë. Por më e rëndësishmja, sepse është nje shenjë e qartë që bota dhe rajoni po i kthehen ngadalë normalitetit të ekonomisë dhe biznesit.
Por kjo nuk ka aq shumë lidhje me ne, se sa me nevojat dhe politikat e hapjes së shtetit helen.
Problemi është se ne nuk duhet të punojmë vetëm në dhënie në këto ditë të vështira, por edhe në marrje. Ajo që shqiptarët duan të dëgjojne është se kur do të jemi gati të presim pushues, të paktën nga vendet fqinje, por këtë askush nuk e thotë.
Qeveria është e zënë me bilancet dhe po kërkon dëshpërimisht një vend nderi në tabelën e emulacionit botëror, kur të mbarojemë pandemia. Por kjo nuk do të kishte asnjë vlerë, nëse nuk do te dimë se kur dhe si të hapemi për verën, që është në prag.
Deti nuk mund të konsiderohet në asnjë rast luks, por si një aset i çmuar që mund ta lehtesojë sadopak dhimbjen e shkaktuar nga izolimi i gjatë.
Së pari, për industrinë e turizmit, më e goditura nga të gjitha prej pandemisë. Por edhe një si nje çlirim psikologjik për gjithë shoqerine, që prej disa muajsh është në përgjim të lajmeve të mira, të cilat, ose vijnë me pikatore, ose nuk mbërrijnë fare, ngaqë e mbyll rubinetin udhëheqësi i vetëm i partisë dhe i popullit.