Ata ishin dy…
Nga Dritan Kaba
Janë tre, se edhe vota e pavlefshme ishte nisur për Ruçin por ktheu mendje në fund, duke i vënë vizë gjithë fletës, pasi i kishte vënë njëherë kryqin tek kutia.
Sipas disa informacioneve ishin edhe dy deputetë të socialistëve, që votuan kundër.
Nuk qëndron problemi tek numri, por tek dëshira e lidershipit të PD për të justifikuar cço shitje në tregun e gjësë së gjallë, të ndërtuar nga oligarkia.
Opozita nuk është çështje numrash, por morali.
Kur i shiti kryetari i tyre zgjedhjet dhe vazhdon t’i shesë interesat e shqiptarëve, çfarë problemi do e kenë përfaqësuesit e listës personale?!
Asnjë fjalë për drogën, për krijimin e Jugosllavisë së Re, për koncensionet.
Marrëveshja e 17-18 majit po funksionon.
Atë natë, ata ishin dy…
Merren me të shkuarën si primare, për të harruar të tashmen.
Një ndihmesë e madhe, që i jepet ideatorëve dhe zbatuesve, të blerjes dhe tjetërsimit të votës. Të asaj vote që u deformua jo vetëm nga terri i marrëveshjes së natës së 17-18 majit, por edhe prej parave të krimit të organizuar, trafikut të drogës,koncensioneve korruptive dhe dhuneës, kërcënimit, frikësimit dhe presionit të elementëve kriminale me mbështetjen e drejtëpërdrejtë të shefave të policisë.
Gjatë gjithë fushatës nuk pati një denoncim. Çdo gjë po shkonte për mrekulli sipas marrëveshjes së natës së 17-18 majit.
Atë natë, ata ishin dy …
Mbrëmë sërish, ata ishin dy, si në mbrëmjen e 17-18 majit. Në një shfaqje me shtrëngime duarsh, lojëra ndjenjash dhe teatri recitimesh me ish të persekutuarit politikë.
Nesër do të jetë akti i votbesimit të qeverisë. Sërish do të jenë ata të dy.
Do e uroje, Ramën, ashtu si Ruçin, mbrëmë pas votimit?!
Jemi në pritje të aktit të nesërm.
Shfaqja duhet të vazhdojë… sipas marrëveshjes së natës së 17-18 majit.