Ata nuk ishin pesë
Nga Juli Ndriko –
Javën e kaluar, shqiptarët u ngritën një mëngjes dhe u bombarduan nga media me një lajm. Ishte tronditës për këdo, pavarësisht moshës, profesionit, ngjyrave partiake, bindjeve fetare a gjinisë. Ishte një lajm që provokoi menjëherë një ekuilibër perfekt të peshores së ndërgjegjies shoqërore dhe krijoi, nga njëra anë një solidaritet me viktimën dhe nga ana tjetër një urrejtje dhe kërkesë për dënim maksimal për abuzuesit.
Ngjarja që tronditi lidhej me përdhunimin e një 15 vjeçareje nga 5 meshkuj të moshës nga 17 deri 44 vjeç. Përdhunuesit kanë emra dhe fytyra dhe si u mësua, ashtu si e mitura, janë të gjithë banorë të një fshati në Mirditë. Sipas dëshmive, personi i parë që ka abuzuar me 15-vjeçaren ka qenë 32-vjeçari A. Kaçorri, i cili kishte patur lidhje me vajzën dhe madje i kishte blerë asaj edhe një telefon, me qëllim që të komunikonte me të. 32-vjeçari, që rezultoi i martuar kishte arritur që të mashtronte të miturën, ta merrte në makinë e më të abuzonte seksualisht me të, duke i bërë dhe video e foto intime, të cilat jua ka shpërndarë dhe 4 personave, njëri prej të cilëve17 vjeç.
Nuk kishte asnjë mundësi të kapërdihej lehtë kjo ngjarje, e cila provokoi reagimin e gjithëkujt. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënoi me ashpërsi aktin çnjerëzor të dhunimit seksual të së miturës dhe nxiti vënien para drejtësisë së autorëve. Shoqëria u bë bashkë në dënimin e aktit brutal dhe kërkoi që politikat shtetërore të rishikohen në funksion të rritjes së ndërgjegjies shoqërore kundrejt marrëdhënieve seksuale. Policia u vu në kërkim të abuzuesve, dhe tani ata janë në pranga.
Por asgjë nga këto nuk mund të zhbëjë gjithë çka ndodhur dhe as faktin se ngjarja ishte e hallka e rradhës e një serie ngjarjesh të tilla. Kështu, një ngjarje e ngjashme ka ndodhur në më pak se një vit më parë në Tiranë, ku një 65 vjeçar dhe shokët e tij përdhunonin dhe përndiqnin sistematikisht një 12 vjeçare. Pastaj është rasti i Kavajës, Beratit, Durrësit, Gjirokastrës, Elbasanit, Lushnjes, Këlcyrës, Fierit…e sa e sa të tjerëve. Eshtë e gjerë harta e përdhunimeve. Dhe tek numëron rastet brenda një harku kohor prej dy vitesh, kupton papritur se të miturat janë statistika dhe përdhunuesit numra shtesë në qelitë e burgjeve.
Kësisoj e ke të qartë se përdhunuesit nuk janë pesë, as gjashtë, as 10 a më shumë. Ata janë një shoqëri e tërë, reaguese e indinjuar në çastin e ndodhjes dhe krimit seksual dhe më pas, një shoqëri e zhytur në një amnezi kolektive që nxitet nga fakti se kjo që i ka ndodhur asaj është larg shtëpisë sime, oborrit tim, lagjes sime, larg jetës time. Sa për shtetin…lereni se është ende në ndjekje të ca drejtimeve të ndryshme nga problematikat e kohës.
Por nuk duhet të ndodh kështu! Ne duhet të ngrihemi në një revoltë me institucionet për të mundësuar një kontroll dhe kujdes të shtuar për fëmijët tanë. Mbi këto institucione bie në rradhë të parë gishti i akuzës. Si dhe është deklaruar nga një deklaratë e organizatës Qëndresa Qytetare “Këto raste ndodhin për disa shkaqe, të cilat lidhen me neglizhencën dhe mungesën e kontrollit nga ana e institucioneve arsimore në qendër dhe ato lokale si shkollat apo universitetet, mosfunksionimin e strukturave komunitare në shkolla… Organet e Qeverisjes Vendore gjithashtu janë përgjegjëse në krijimin e kushteve infrastrukturore dhe të sigurisë në shkolla duke filluar nga pajisja me kamera sigurie deri tek personeli jomësimor që emëron, i cili patjetër duhet të kalojë në një filtër moral”.
Por nuk është vetëm shteti. Familja dhe arsimi janë hallka të nevojshëm për të parandaluar që këto krime të ndodhin dhe për të shkëputur zinxhirin rrënqethës të ngjarjeve të ndodhura.
Si dhe konstatohet, në Shqipëri ka një hallakatje të habitshme të shoqërisë dhe duket se shoqëria ka humbur pikat e saj të referimit. Një mungesë angazhimi të qytetarëve në jetën komunitare ka sjellë si pasojë shkëputjen e mekanizmave të presionit pozitiv që shoqëria duhet të ushtrojë te anëtarët e vet. Varfëria dhe diversiteti kulturor duket se po i kontribuojnë gjithashtu klimës me natyrë abuzuese.
Arsimi gjendet gjithashtu i zhytur në një utopi mbytëse dhe temat mësimore që ndërgjegjësojnë shoqërinë me problematikat e mundshme janë larg vëmendjes. Ka ardhur koha që kjo situatë të ndryshojë dhe programet shkollore të shkunden duke mundësuar që mësimdhënësit të flasin me fëmijët për seksin, për marrëdhëniet mes gjinive dhe për respektin reciprok që duhet të ketë mes tyre. Shkolla dhe familja duhet tu mësojnë fëmijët se jeta e tyre seksuale është sovrane dhe se ata duhet të guxojnë gjithëherë të flasin me prindërit, mësuesit dhe kujdestarët e tyre për problemet me të cilat ndeshen.
Ndonëse në Shqipëri, legjislacioni penal që lidhet me krimet seksuale ka ndryshuar, duke rënduar pozitat e autorëve të krimeve seksuale, duke hequr rrethanat lehtësuese për veprat penale që lidhen me fëmijët, duke shtuar dënimin nga 15 në 25 vjet burg për krimet seksuale, ka ende për tu bërë. Shteti duhet të vendosë në qendër fëmijët jo vetëm si panorama e disa neneve mbi veprat penale me natyrë seksuale të fiksuara në Kodin Penal, por si një fokus që duhet të synojë ndërgjegjësimin e shoqërisë për të parandaluar vepra të tilla penale.
Ngjarja e Mirditës ishte e rradhës, por jo e fundit. Si u pa përdhunuesit nuk ishin pesë, por shumë më tepër. Eshtë vonë për të reaguar, por asnjëherë aq vonë sa të lëshojmë armët. Duhet të gjejmë kurajon që heqim dorë nga komoditeti personal se ngjarja ndodhi përtej gardhit të shtëpisë sime. Duhet të heqim dorë nga reagimi momental për ngjarjen e rradhës.
Sa kohë ligësia dhe papërgjegjshmëria bërtet kaq shumë, shoqëria dhe shteti duhet të bëhen bashkë për të mos lejuar përdhunimin e fëmijëve, për të mos lejuar abuzimin me fëmijërinë, dhe për të mos lejuar përdhunimin e të ardhmes, e cila na përket të gjithëve. Sepse një fëmijëri e përdhunuar nuk mundet kurrë të sjellë një të ardhme të ndryshme. Një e ardhme në të cilën do të jetoj jo vetëm e mitura e abuzuar dhe e shënjuar psikologjikisht në Mirditë e gjetkë, por dhe fëmija im, yti, i çdokujt tjetër.