Ata që do të qeverisin me Edi Ramën
Në vend të paraqesë prioritetet, fton qytetarët t’i bëjnë programin e qeverisë, në vend të qetësojë 2 milion e 400 mijë shqiptarët e regjistruar në votime që nuk ia dhanë votën, e rrit shqetësimin, duke premtuar se do të qeverisë me propozime nga Facebook, në vend të tentojë të bëhet Kryeministër i të gjithëve…
Nga Enton Abilekaj
Me fundin e zgjedhjeve, populizmi nuk është më i domosdoshëm për Edi Ramën, por mesa duket ai nuk ishte mjeti për të arritur qëllimin, nuk ishte një shmangie e përkohshme nga përgjegjësia e Kryeministrit, nuk ishte një koalicion paraelektoral pasi mbeti vetëm.
Në 18 maj, ndërsa fillonte fushatën pas marrëveshjes me Lulzim Bashën, Edi Rama ishte pa aleatë. Meta dhe Idrizi e kishin lënë në gjysmën e rrugës pa krye, të zgjedhjeve pa opozitën. Ish miku dhe bashkëpunëtori i tij i afërt, Ben Blushi, i larguar, denonconte qeverisjen e keqe. Shoqëria civile, intelektualët, mediat e huaja dhe “kazani” shqiptar shikonin tek ai njeriun që, jo vetëm nuk mbajti asnjë premtim, por ishte nisur të zhbënte çfarë kishte mbetur. E vetmja mundësi për Ramën, ishte populizmi, një strategji e menduar mirë kohë më parë.
I largoi mediat nga komunikimi me publikun. Komunikimin javor me qytetarët vendosi ta bëjë direkt, duke përdorur rrjetet sociale. Facebook ishte zgjedhja e parë e tij për t’iu përgjigjur kundërshtarëve, për të shpjeguar vendimet e qeverisë, për të komunikuar me qytetarët. Gazetarët me kamera dhe mikrofonë, vërtet dështonin në tentativat për të pyetur Kryeministrin, por frekuentuesit e rregullt të Facebook-ut nuk dështonin kurrë.
Ndonjë koment mund të fshihej, por kishte edhe debate të zjarrta nga ato që nuk bëheshin dot në studiot televizive. Atyre iu shmang Kryeministri për 4 vjet dhe e enjtja e 22 qershorit në Opinion i dha të drejtë. Aty përballë gazetarëve, nuk mundi të bindte askënd përballë shifrave dhe fakteve të shkruara.
Gjithçka ishte ndryshe në Facebook, ku siguronte komunikimin direkt me njerëzit e zakonshëm dhe të painformuar. Aty mund të nxirrte fakte nga xhepi, mund të shkruante shifrën që i duhej për të bindur të painformuarit. ERTV ishte një tjetër shpikje në funksion të strategjisë së komunikimit direkt. Demokratizimi i mjeteve të komunikimit, vërtetë nuk funksionoi nga poshtë lart, por shkëlqeu në efektin që dha nga lart poshtë. Ky demokratizim nuk po kërcënonte vetëm mediat, por edhe të vërtetën, edhe institucionet demokratike, pushtetet që kontrollojnë dhe balancojnë njëri-tjetrin.
Më levën e populizmit ai mundi akuzat për kanabizimin e vendit, për korrupsionin e pakontrolluar të prokurimeve pa tender, për koncesionet e diskretituara, për mungesën totale të investimeve të huaja, për shpenzimin e parave për tekat dhe shijet personale, për favorizimin e një grupi biznesmenësh të preferuar në dëm të të varfërve.
Mundi frikën për blerjen masive të votave për të fituar një pushtet të pakontrolluar, frikën nga importi i plehrave që fshihet në sirtarët e projekteve të dyshimta, frikën nga projekti 1 miliard që mund ta zhysë vendin në një borxh të papërballueshëm për të ndërtuar vepra pa vlerë, pa projekt dhe pa vizion qeverisës. Të gjitha këto kauza dhe akuza, humbën përballë zgjedhjes së thjeshtë të Edi Ramës.
Me himnin kombëtar dhe flamujt kuqezi, një imitim i përpiktë i mikut Erdogan, me përdorimin mjeshtëror të nacionalizmit dhe folklorizmit dhe me lumin e parave që u derdh fshatrave natën shtëpi më shtëpi, ai nuk mundi vetëm Lulzim Bashën, ai mundi një përpjekje të madhe të shoqërisë së lirë për t’i dhënë fund një qeverisjeje të keqe. Megjithëse ishte vendimtare, dhurata e Bashës nuk ishte e vetmja arsye që Rama i mundi të gjithë.
Populizmi fitoi gjithashtu. 25 qershori mund të ishte dita më e madhe, por e fundit për populizmin, por nuk është e thënë. Kryeministri që bëri fushatë pa program dhe pa premtime, ka vendosur të qeverisë me po ato mjete. Në vend të paraqesë prioritetet, fton qytetarët t’i bëjnë programin e qeverisë, në vend të qetësojë 2 milion e 400 mijë shqiptarët e regjistruar në votime që nuk ia dhanë votën, e rrit shqetësimin, duke premtuar se do të qeverisë me propozime nga Facebook, në vend të tentojë të bëhet Kryeministër i të gjithëve, duke adresuar kauzat dhe akuzat e kundërshtarëve politikë e civilë, konfirmon që do të jetë kryeministër i injorantëve dhe do të qeverisë nëpër dritare rrjetesh sociale.
Fitoi me ata dhe do të qeverisë me ata që i shkruajnë më shqipen e rreckosur në Facebook dhe e bëjnë të ndihet mirë. Ndërsa kanë filluar të qarkullojnë emra ministrash, chatistët e Facebook-ut janë të emëruarit e parë në Kabinetin e ri.