Atjon Zhiti rivjen ndryshe
Atjon Zhiti rivjen ndryshe
Mbase një befasi për miqtë e Atjon Zhitit, për lexuesit e tij që janë shtuar, duke kaluar dhe të 16 000 vetët në rrjetin elektronik, duke zbulua kështu atë që dinte të jepte mirësi të sinqertë, ide rinore, shpresë si vetë brezi i tij i ri, që ëndërronte ashtu si për veten edhe për vendin. Shkrimi KULLA EME NUK ASHT E VETME, i gjetur në “dorëshkrimet” e pakta të Atjon Zhitit, pra në “një cep” të kompjuterit të tij, mes “letrave” të shumta që shkëmbente gjithandej. Është më i veçanti, i ngjan një legjende dhe një metafore bashkëkohore njëkohësisht, ese dhe tregim, monolog dhe përsiatje, çast dhe kohësí dhe ka trillin e gjuhës, është shkruar në gegërisht dhe zbulojmë se donte ta nxirrte në gazetën e elektronike që porsa kishte themeluar vetë “Mesi Radikal¨, ku gjithçka e kishte bëre gati me zellin e një të riu, kishte bërë apel, kërkonte shkrime të pabotuara dhe besonte në përgjigjet.Për parabolën e tij në gegërisht, që të ndjehej më e besueshme, autori kishte zgjedhur si emër letrar Dardan Shkreli, ku kishte shtuar se ai “është duke përfunduar doktoraturën në ‘Near East University’ në Qipro për semiotikën interpretative.” Një dëshirë sigurisht, një ndjellje për ndokënd që ndërmerrte këtë hap. Dardaninë Atjoni e donte, kishte vajtuar atje e kishte shok e miq, jo vetëm moshatarë studentë, por dhe poetin Ali Podrimja e gazetarin Smajl Smaka e shkrimtarin profesor Agim Vinca, etj, apo ish-Presidentin Fatmir Sejdiu, kështu i dukej. Atjonin e tërhiqte gegërishtja, por që ta përdorte si duhej, i duhej vepra e Martin Camaj, përvetësimi i saj, kështu i thoshte të atit, se “ai është fare fare prane letrarishtes”, duke e parë si pasuri, jo vetëm gjuhësore, etj, etj.
Por mbërriti 20 dhjetori, Atjoni kishte ardhur në Tiranë për pushimet e fundvitit nga Milanoja, ku studionte për filozofi, viti II. Pas një feste, që zgjati përtej mesnatës, teksa dolën nëpër Tiranë në grupe, djem e vajza bashkë dhe erdhi çasti të ndheshin, Atjonin së fundmi e merr në motorin e vet një bashkëmoshatar, S.M. 19 vjeç dhe ai. Ku do të shkonin? Thanë se u nisën për në Durrës për të parë agimin mbi det. Motori e tejkalon shqetësueshëm shpejtësinë e 150 km/në orë, saktësojnë ekspertët më pas dhe perplaset me njërin nga blloqet e mëdha të betonit, të nxjerrë skiç në mesin e autostradës që po riparohej dhe sinjalistika ishte pa ndiçimin e duhur a mungonte fare dhe fati zi, ai që e ngiste motorin humbet drejtpeshimin, (ishte rrëzuar dhe herë të tjera, thonë ata që e njohin) dhe ndodhi rënia tragjike. Atjoni bie në terrin e gjithmonte. Na vrasin shokët, do të kishte në titull të nesërmen njëra nga gazetat e shumta, që e dhanë lajmin e kobshëm…
E tani shpirti i Atjonit në qiell, mbase na sheh, ç’bëjmë e ç’themi e sa të drejtë jemi e sa të përgjegjshëm për fajet, qofshin dhe pa dashje… e mbase mirëpret dhe botimin e parabolës “Kulla ime nuk asht e vetme”, ku mbart dhe nga ëndrra e tij dhe e kolektivitetit, pavarësisht se është shkruar në Milano, aty nga korriku 2014. Dashuria moderne e Atjonit për vendin shkon dhe më në thellësi të kohërave, ku nisin rrënjët e traditave, atje ku doli dhe Kanuni madhështor dhe egërshan, origjinal dhe zotërues. Ndërkaq autori kërkon që vendi ynë të jetë sa më europian, por po aq dhe vetvete, në identitet me virtytet e rralla e të lashta.
Kjo ese e veçantë, letraro-historike i shpalos këto dëshira, sado pak, por nuk dimë nëse autori do të donte ta rimerrte ndër duar për të shtuar a hequr siç ndodh me këdo që shkruan. Janë duart tona që e marrin tani dhe në nderim të tij e të ëndrrës dhe dashurisë së tij, si një vazhdim i bisedës me të, me gjithë të rinjtë e brezit të tij, që duan dhe meritojnë një jetë më të bukur, në një vend me rrugë normale pa terr dhe pengesa, pa absurdin tragjik, që të rendin drejt agimit, atje ku Atjoni po i pret…
Kulla eme nuk asht e vetme
Nga Atjon V. Zhiti Tash u bane shum net e dit që jam largue prej asaj shpie e atij vendi në gjueti të diçkaje ma t’madhe, që dhe me ma shujtë mninë që kisha kundrejt kullanëve të mi andej nga Bjeshkët e Epërme t’Kombit tem. Shka m’bante inatçor me vedin e me t’tjerët ishte arsyja se t’tanë ne knaqeshim me lirinë tonë vetore, lirinë e t’dashtunve ton e të gjanave që kishim mbledh ndër mote, knaqeshim nga çka shisnim n‘pazar e çka blenim e ma vonë, n’saj t’ksaj gjaje, nxuna se na kena qindra mijra të drejta mbi kët dhé shekullnor, por sa ma shumë terre t‘dillit shkonin, siç thoshte gjyshi em për eklipset, aq ma shumë bindesha se ne nuk e meritojmë këtë tokë njikshtu. Ndërkohe, kur kam mujt me rafigurue kombin tem, mendoj për kët popullnajë, e cila respekton veç nj’ata që dijnë me i fut veç frigën atyne me kamzhig dhe gjaja ma e dhimbshme që arrij me kqyr edhe sot, asht fakti se te ne mbizotnon një farë anarkijet, pasi ne i privojmë vedit konceptin e nji bashkësije të nalt interesash e idealesh t’përbashkta, pasi n’shpirtin tonë mbizotnojnë ndjenja rivaliteti t’theksueme nga krenarija e pamvarsisë vetanake e jo t‘përbashkët. Krijimi i një vetëdije e të tanve na mungon dhe sot e ksaj dite. Ky dhé mujt me ba ma shumë, po kurrë s’kena dit me e frymzue e me shfrytzue.
Ati em asht kan i nxanun dhe n’voglin teme m’shoqërojshin librat n'veçanti, kur kullotja bagtine, edhe pse jo fort t’përhapun kto tekste, po prapë kishin vlerën e tyne e për ma tepër ishin ken libra t’gjyshit e para tij t‘babës s’madh. Kto libra për ma s‘shumti ishin tekste t‘vjetra t‘para lufte e kta autorë kishin gdhi jetën para ardhjes së Naltmadhnisë. Tue studiue, kuptova që kishin t’tana tiparet e analizës antropoligjike, etnologjike e politike. Falë ktyne lëçitjeve, dija eme për kombin tem u shtue tej mase, si fmij i vocër un nuk e kuptojsha shumë mirë çka ishte feja e Zoti, pasi dhe baba m’thoshte t‘mos flisja me shokët e mi, nëse nuk dishroja që ay t’përfundonte si mos ma keq, por ma vonë, kur i kisha mbush dy dekada jet, kur i famshmi Mur i Berlinit ra e ne ringritëm murin rrëxuem që rrethonte kullën tone, kisha mundësi me fol e me studjue gjana shumë e më shumë t‘bujtme edhe për kët arsye shkova kjamet larg.
Në kto tekste t’lartpërmenduna, kur flitej për kulturën e Shqypnisë në qerthulllin e realitetit të asokohshëm, nuk lihej pa u përmendun skamja, vorfnija, konfliktet, pasigurija e rendit publik, ama viheshin n’pah gjana shumë t’mdhaja siç kje dhe asht me ba lëshime në besim, sidomos në besimin e tjetrit, që sot e quejnë toleranca fetare, që ne sot gabimisht e me mllef e ngatrrojmë me mënjanësinë, me indiferencën: "duke udhtue nëpër Shqypni, u binda se me tri fetë e veta e me tri kleret që bashkjetojnë, asht vendi ma me harmoni që mund t’përfytyrohet", do shkruente prifti italian Gjakinto Amati në ditarin e tij.
Bashkëkombsit tanë janë luftëtarë krenarë prej natyre, por jo shumë puntuer, kena për zemër nderin tonë e t’armve tona dhe me krijue elegji mbi kto sende asht bukur mirë dhe joshse. Luftësia te na asht nji gjendje e vazhdimtë e shoqnisë, rrallherë asht edhe e rritun prej ndamjes fetare, ndërsa ndisa raste t’tjera nga shpirti, gjaku dhe ligji i malit.
Krijuesi, kur po endej mbi tokën që kishte ba me duert e veta, nuk arriti me njoftë asnji prej trojeve që kishte krijue, sepse kaq shumë kishte ndërhye dora e njeriut e kur mbërriti n’Shqypni ma n’ fund, mujti me thane: "Përnjimend e kremte, vendi i parë që rinjoh, ka ngel njashtu siç e kisha krijue", kjo lloj gjendje nuk m‘ban shumë krenar… At'here n’ket gjendje shtazore dishroj t‘kallzoj ma shum per kullanët e mi. Jeta e malcorit asht gati homerike, u shmanget punvet t‘randa me shum zell dhe dishron ma shumë nje jetë bariu, tue drejtue bagtinë n‘kullota, siç banin herojt antikë grekë. Ama ne si n‘Gegni e si n‘ Toskni kena nji identitet kombtar tonin, boll t’shperndamun mirë, anipse anejna ka nji fare t‘keqe helenike dhe s’mungon ndikimi si ajo e shkjaut, por Shqiptari, kjoft i krishten a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombsija e vet, ne ndër mote kemi dit t‘rrojmë dhe e shpëtueme trashgimnin tonë gjenetike nga përvetsimet e asgjasimet. Mendoj se edhe si shoqni jemi mjaftueshëm interesant, po t’përsiatësh që mbas prishjes s'administrates otomane, roli i fiseve/tribuve ka ken diçka shumë pozitive, "regjimi" patriarkal nuk duhet me u konsiderue nji stad inferior i qytetnimit, por për me kenë objektiv, bashkue degjenerimeve, shpalohen koncepte morale shum t’nalta, nji mënyre origjinale me pa jeten, nji organizim shoqnor dhe ekonomik, nji poezi me vlera te pakontestueshme, sado që mundet me u dukë antitez e progresit. Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale, ka dhe nji kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi shum ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj ia vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje t’virtutshme. Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…