Baba Amerikë e nana Europë
NEXHMEDIN SPAHIU
Disa vite më parë, në zyrën time në Mitrovicë më vizitoi një delegacion prej 4 vetash nga Foreign Office (Ministria e Jashtme Britanike). Për të shkurtuar bisedën dhe për të treguar se e dinë kush jam unë, më shtruan pyetjen e parë tepër direkte: Ne britanikët bashkë me gjermanët kemi krijuar kombin shqiptar, e përse atëherë ju shqiptarët në të dyja luftërat botërore ishit jo me ne, po me gjermanët?
E mora me mend se po t’ia kenë bërë po këtë pyetje ndonjë tjetri, do t’ia ketë bezdisur me përrallat se partizanët tanë i luftuan gjermanët dhe se Shqipëria kishte 28.000 dëshmorë si dhe budallallëqe tjera, duke u përpjekur t’iu tregojë diplomatëve britanikë historinë e falsifikuar, me të cilën ata do të nënqeshnin.
Unë i rashë shkurt: u thashë po, e vërtetë që ju dhe gjermanët krijuat kombin shqiptar, por kishte një dallim. Ju ishit në rolin e babait, ndërsa gjermanët në rolin e nënës. Kur divorcohen prindërit, fëmijët mbajnë anën e nënës dhe prandaj në të dyja luftërat botërore ku ju u ndeshët me gjermanët, shqiptarëve iu kajt nana.
T’i kthehemi tani Kosovës. Kosovës i shndriti fati në fund të shekullit XX, si epilog i luftës së ftohtë. Aleatët tradicionalë të shqiptarëve (anglezët, gjermanët, amerikanët, turqit, italianët e madje edhe francezët) ishin në një kamp. Pra, nuk ndesheshin me njëri-tjetrin, por luftonin Rusinë. Në anën tjetër, Serbia e Millosheviçit u tregua më “katolike se Papa” dhe ndërhyri në puçin ushtarak kundër Jelcinit në Rusi. Kësisoji, Kosova doli në jetë si një komb i ri e i vogël, por me përkrahje të madhe, ku rolin e babës e pati Amerika (ia hoqi qafe hasmin) e rolin e nanës Bashkimi Europian (u mor me përkundjen dhe ushqimin e këtij kombi të ri).
Tri sfidat e Kosovës
Në këto 20 vite të jetës si një komb, Kosova nuk u përball me sfidën prindërore. Baba Amerikë dhe nana Europë shkonin mirë njëra me tjetrën. Sfida e parë doli Turqia.
Pasojë e grusht-shtetit të dështuar më 15.07.2016 në Turqi, qe afrimi i Turqisë me Rusinë dhe ftohja me Perëndimin. Vladimir Putin shfrytëzoi rastin ideal për të fituar terren në betejën e tij për penetrim drejt Perëndimit dhe arriti të lëkundë gurin më të madh në këtë drejtim, duke shpëtuar kokën e Erdoganit përmes informatave vendimtare.
Nga një skifter i NATO-s kundër Rusisë, Turqia u shndërrua në një komb në përpjekje të rolit që luajti Jugosllavia e Titos dikur: mes Perëndimit e Rusisë – edhe me Perëndimin, edhe me Rusinë.
Për Kosovën, kjo është një sfidë: Nga t’ia mbajë? Turqia apo Perëndimi?
Derisa marrëdhëniet Turqi – Perëndim nuk janë të ftohura krejtësisht, Kosova nuk e ka problem të mbahet edhe me Turqinë, edhe me Perëndimin, por problemi shtrohet, çka nëse Kosova duhet të zgjedhë anë? Shyqyr që deri te kjo situatë nuk kemi ardhur akoma.
Njëkohësisht, çdo sfidë është edhe një mundësi. Afrimi i Turqisë me Rusinë është edhe një mundësi më shumë për të zbutur kundërshtimin rus në axhendat e Kosovës.
Natyrisht, forcimi i rolit rus në drejtim të Perëndimit, nuk filloi me Turqinë.
5 kombet e Bashkimit Europian, që nuk e kanë njohur Kosovën, në fakt nuk e kanë bërë atë jo pse e kanë inati Kosovën, por sepse kanë një antiamerikanizëm të fshehur brenda tyre. Ndikimi rus në Europë fitoi terren edhe në Maqedoni e Hungari. Dhe derisa në Maqedoni, amerikanët e larguan, atë duke ia mbledhë vetë Ali Ahmetit për të bërë koalicion me Zaevin e jo me Gruevskin, në Hungari ky problem paraqitet më i vështirë, pasi afrimi i Viktor Orbanit me Putinin nuk është vetëm hir i një pushtetari të fuqishëm, por orientim politik i një kombi, i cili lakmon pozicionin politik të Jugosllavisë së Titos gjatë Luftës së Ftohtë.
Sfida tjetër është Britania e Madhe. Largimi i saj nga Bashkimi Europian sjell ndryshime në gjeostrategjik, ndryshime të cilat mund të vijnë në shprehje më vonë. Çka nëse raportet Britani e Madhe – Bashkim Europian (Gjermani) shkojnë duke u acaruar? A do të mbajë Kosova anën e njërës apo të tjetrës?
Në fakt, babë i kombit kosovar është me plot kuptimin e fjalës, Amerika. Dhe nëse një acarim i raporteve SHBA-BE nuk është në horizont për arsye të tyre të ndërsjella, për fëmijën e tyre, Kosovën, veç po dalin sheshit mospajtimet.
Derisa nana Europë, si të gjitha nanat e kësaj bote, fëmijën e vet Kosovën po përpiqet ta pajtojë me vagabondin Serbi, duke i lëshuar rrugë vagabondit, pra, duke mos e shtyrë në konflikt me vagabondin, baba Amerikë problemin e sheh duke e udhëzuar fëmijën Kosovë të tregojë muskujt.
Shumëkush vendimin për taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe vendimin për formimin e Ushtrisë Kombëtare të Kosovës e sheh si guxim dhe vendosmëri të Ramush Haradinajt, por në fakt vendimi është i babës Amerikë e nderi iu la Ramushit e jo dikujt tjetër, ashtu siç nderi apo faji për kompromisin që Amerika do të bëjë (apo veç e ka bërë) me Serbinë do t’i lihet Hashim Thaçit.
Hashim Thaçi do të nënshkruaj në Uashington atë që baba Amerikë veç është marrë vesh me Serbinë.
Duke qenë se këtë marrëveshje për Kosovën e bën baba e jo nana, është e pritshme që marrëveshja të jetë më dinjitoze për Kosovën se ajo potenciale në Bruksel.
Kosova nuk duhet të harrojë se ajo jeton në gjirin e nanës Europë dhe sado të entuziazmohet pas muskujve të babit Amerikë nuk duhet ta hidhërojë nanën Europë.