Babadimri ekziston
Nga Imer Mushkolaj
Babadimri ekziston vërtet. Jo për qytetarët e varfër kosovarë që jetojnë në mjerim, por për deputetë e qeveritarë që marrin paga e gëzojnë privilegje ndër më të lartat në rajon, ndonëse jetojnë në vendin më të mjerë të Europës. Ata shtetin e kanë kthyer në Babadimër që ua plotëson çdo dëshirë
Më rastisi të shoh në Shkup thasë përplot letra, që fëmijët ia kishin adresuar Babadimrit. Supozoj se në to ata mund t’i kenë renditur dëshirat që duan t’iu plotësohen, pavarësisht se kur të rriten pak do ta kuptojnë se në fakt Babadimri nuk ekziston.
Në Prishtinë nuk kam hasur në thasë me letra për Babadimrin të shkruara nga fëmijët, por kjo nuk don të thotë se ata nuk i besojnë plakut me mjekër të bardhë. Ndonëse ekzistencës së tij më shumë kanë arsye t’i besojnë të rriturit. Sidomos deputetë e qeveritarë, privilegjet e të cilëve veç ndonjë Babadimër mund t’i ofrojë.
* * *
Ata që përfaqësojnë dhe qeverisin qytetarët më të varfër në shtetin më të mjerëtë Europës, marrin paga më të larta se shumë kolegë të tyre në rajon. Për muaj me radhë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët paguhen majmë nga paratë tona, kanë marrë paga “belesh”, duke pritur që institucionet e reja të konstituohen dhe asnjëri, ama asnjëri nuk e ka ngritur zërin të thotë se po shpërblehen badihava. As ata që na çajnë veshët duke folur për një shtet social dhe të barabartë për të gjithë e as të tjerët, të cilët janë milionerë dhe parlamentin e shohin veç si një mundësi për të përfituar edhe më shumë.
Asnjëri nga deputetët nuk ka hequr dorë të paktën nga një pagë ose pjesë e saj, për të treguar një shembull vullneti të mirë dhe solidarizimi me të varfrit e këtij vendi, të cilët mezi ia dalin ta kalojnë muajin me një ndihmë sociale. Ashtu si asnjëri nga ministrat e shumtë të qeverisë nuk ka shprehur vullnetin që të tillët t’i ndihmojë me një shumë simbolike parash nga kontoja e tyre plot.
Nuk po them se ata nuk duhet të paguhen, por po them se është e turpshme që ata të paguhen shumëfish më tepër se paga mesatare e një qytetari, stërfish më shumë se të ardhurat e mjera të një pensionisti dhe të një përfituesi ndihme sociale. Është e turpshme që këta njerëz të gëzojnë kaq shumë privilegje me taksat e qytetarëve dhe të mos ndiejnë pikë përgjegjësie morale karshi mjerimit të tyre.
Sa e sa shpenzime bëjnë deputetë e qeveritarë për telefona, karburant, vizita jashtë vendit, mëditje, dreka e darka. Sa shtrenjë na kushtojnë këta njerëz që na përfaqësojnë e na qeverisin, me premtimin se edhe për ne do të bëhet mirë. Sa të pafytyrë e arrogantë tregohen kur bëhen bashkë për të votuar ligje për privilegjet e veta dhe asnjëri nuk merr iniciativë për t’i ulur pagat e privilegjet që iu takojnë. Paguhen si të ishin pjesë e BE’së, ndërkaq e qeverisin vendin me standard të Afrikës.
* * *
Unë nuk mund t’iu besoj këtyre njerëzve kur flasin për zhvillim e përparim, sepse ata nuk e dinë çfarë është varfëria e mjerimi.
Unë nuk mund t’iu besoj as kryeministrit, as ministrit të Jashtëm që iu tregojnë përralla të rinjve që po e braktisin masivisht Kosovën, në vend që t’iu sigurojnë vende pune, mirëqenie e dinjitet. Ata nuk e dinë se çfarë don të thotë të mos kesh.
Unë nuk mund t’iu besoj as deputetëve, të cilët premtojnë se do të merren me brengat tona, përderisa “brengë” e vetme e tyre është se si të mblidhen në parlament herë pas here, sa për t’i arsyetuar pagat e majme që marrin.
Do t’iu besoja jo vetëm unë, por edhe të tjerët atëherë kur ata do të jepnin prova se vërtet e kanë seriozisht dhe bashkëndiejnë me qytetarët e varfër – atëherë kur shembullin e mirë do ta nisnin nga vetja.
Do t’iu besoja atëherë kur nuk do të lejonin që udhëheqës ndërmarrjesh publike të shpërbleheshin çdo muaj me paga astronomike, ndërkohë që pacientët në spitale të vdesin në mungesë barnash esenciale.
Do t’iu besoja atëherë kur tipa si ata që menaxhojnë paratë tonë nuk do të merrnin paga 30 herë më të larta se e një qytetari të rëndomtë, respektivisht 60 herë më të larta se të ardhurat e një pensionisti.
Do t’iu besoja atëherë kur do të bënin një shëndetësi më të mirë – e mjekët të mos e shihnin pacientin veç si një tufë eurosh. Do t’iu besoja atëherë kur do të kishim arsim më të mirë, atëherë kur do të hapnin vende pune për ata që bredhin rrugëve të pashpresë, e jo vende pune për miqtë e tyre të partisë, që i shpërblejnë me poste kryeshefash, anëtarësh të bordeve, zëvendësministrash e çka jo tjetër.
* * *
Babadimri mund të jetë personazh fiktivë për fëmijët kudo, por ai ekziston për të gjithë ata që na përfaqësojnë e na qeverisin. Ata marrin paga të majme dhuratë çdo muaj e privilegje çdo ditë.
Ata nuk besojnë në ato që i thonë dhe në ato që i premtojnë. Por, po, ata besojnë në para. Besojnë në Babadimër. Besojnë në shtetin që e kanë kthyer në Babadimër që ua plotëson çdo dëshirë.