Bac, po ikin!
Nga Arbana Xharra*
A ka zor më të madh se të marrësh fëmijën me djep dhe përmes Serbisë, duke paguar grupe kontrabandistësh për të të hedhur ilegalisht përtej kufijve të Schengenit? Çdo natë autobusët po mbushen me gra, fëmijë burra e të rinj, të cilët marrin rrugën plot rreziqe në kërkim të një jete më të mirë në vendet e Evropës.
Çfarë sikleti duhet të kenë këta kosovarë që po shesin krejt çfarë kanë për të ikur përfundimisht nga Kosova?! Këto pamje, po që ngjasojnë me periudhën e regjimit, por që sot të ikurit po shesin pronat për të mos u kthyer kurrë më në Kosovë.
Këtë rrugë ilegale drejt perëndimit me plot rreziqe këta njerëz po marrin të lodhur nga ky shtet i milionerëve të “nëntokës” me mbi 40 për qind të papunë. Kurse ata që i ka çmendur keqpërdorimi i fesë po shkojnë në Siri dhe Irak. Atyre u mjafton të shohin fotografinë e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, tek bën qejf me djalin e tij në jet ski në Brezovicë, madje nuk u mjaftua e nxori fotografinë për pak minuta në rrjetin e tij social “Facebook”, për ta ndarë “sefanë” me qytetarët e këtij vendi.
Pse, mos ai dhe të tjerë politikanë e kanë hallin e skamjes që ka kapluar këtë vend? Ata jetojnë rehat në luksin që e kanë ndërtuar dekadën e fundit. A i keni parë fotografitë e martesës së djalit të Limajt, luksin e djemve të Mustafës, apo shtëpinë dhe xhipat e Haradinajt? Nuk ka vend për ta zënë në këtë editorial lista e gjatë e politikanëve milionerë; edhe s’ka nevojë të ripërsëriten emrat, sepse më mirë se çdo kush tjetër e dinë qytetarët e këtij vendi se kush është në krye të tyre.
Politika në këtë situatë ka një hall tjetër, mos azilkërkuesit po ua vonojnë liberalizimin e vizave. Në fakt, Kosova është izoluar për shkak të politikës së përfshirë në krim dhe korrupsion, dhe faqes së zezë që ia kanë nxjerrë këtij vendi pikërisht këta politikanë.
Kurse ata që po e lënë Kosovën, të lodhur nga mosperspektiva, pa asnjë rrugëdalje apo ardhmëri për fëmijët e tyre, janë pajtuar që të bredhin kampeve në kushte të mjerueshme me më të voglën shpresë se do të zënë vend diku në Evropë. A ka mjerim më të madh se çdo natë të mbushen dhjetëra autobusët që shkojnë drejt Beogradit, të cilët më kujtojnë tragjedinë e tetorin e vitit 2009 kur humbën jetën disa familje, në mesin e tyre edhe fëmijë, teksa po kalonin kufirin hungarez me varkë nëpër ujë në lumin Tisa.
Ikja nga zori, po vazhdon pa ndalur, me dhjetëra mijëra kosovarë po e lënë Kosovën e kapur nga hajnia e krimi, të lodhur nga diplomatët analfabetë, shefat e shefave, dhe kapadainj të tjerë të pasuruar nga plaçkitja e shtetit.
Por dikush po përfiton nga kjo tragjedi e jona. Qysh nga vitit 1999 e deri tash, Serbia ka përfituar duke na shitur material ndërtimor për shtëpitë që kishte shkatërruar vetë në Kosovë. Madje materialin e sillnin biznesmenë të lidhur me komandantë të UÇK-së. Sot 15 vjet pas përfundimit të luftës dhe gjashtë vjet nga shpallja e pavarësisë, mafia serbe dhe shqiptare sërish po përfitojnë, duke kontrabanduar ilegalisht mijëra kosovarë të mjerë, që paguajnë me mijëra euro nga shtëpitë dhe pronat që po shesin. Ata po lënë pas një shtet me 21 ministra, 70 zëvendësministra dhe miliona euro që shpenzohen në luks!
*Zëri