Baleti si një shfaqje humoristike
Nga Entela Bineri
Kur bëhet fjalë për baletin, është e pamundur të mos paramendosh figura të hajthme balerinësh, përkulshmëri dhe zhdërvjelltësi fizike, flatrim në ajër dhe më pas ëndërrim. Gjithsesi, ka kohë që spektatori në sallën e TKOB-it në Tiranë nuk mund të ëndërrojë…
Shfaqja bashkëkohore “Impact and table” u dha për herë të katërt mbrëmjen e së martës nën koreografinë e Daniel Kardosos (Daniel Cardoso), i cili luante edhe rolin e drejtuesit artistik, si edhe të skenografit gjithashtu, në një shfaqje e cila vuri edhe një herë në pah nivelin e dobët artistik të trupës sonë të baletit në TKOB.
Në përgjithësi, tiparet trupore të balerinëve tanë s’janë as të përshtatshme për rolin që ata kryejnë, as afërsisht të njëjta mes atyre vetë (gjenden aty larmi peshash, formash dhe gjatësish trupore, e dukshme kjo në çdo shfaqje: klasike apo moderne). Rrjedhimisht, për këtë arsye, por edhe për arsye të mospërkushtimit të nevojshëm ndoshta, baleti në të dyja pjesët e tij pati mospërputhje njëkohësie (sinkronizim) gjatë lëvizjeve të balerinëve, për të mos harruar edhe vonesat në kohë të lëvizjeve të tyre në mospërshtatje të dukshme me ritmin e muzikës.
Elementi “fjalë” u përfshi si risi në këtë shfaqje baleti, duke mos sjellë me vete ndonjë farë rëndësie. Shprehjet brenda rolit: “Mjaft! Mos e ndiz më (muzikën)!” u përsëritën disa herë duke mos thënë asgjë.
Skenografia paraqiste një rrethim kuadratues prej kartonësh, i cili rrethonte balerinët dhe këta të fundit e shpërbënin atë duke formuar trajta të reja skenografike. Le ta quajmë deri diku interesante, edhe pse tejet e thatë. Ajo çka shkatërronte gjithçka ishte ngadalësia që karakterizonte ecjen e balerinëve, e cila s’dëshmonte kurrfarë lidhjeje me baletin e aq më pak me atë bashkëkohor.
Koreografia moderne e shfaqjes “Impact Table”, sidomos në pjesën e saj të parë, vinte pa kurrfarë fantazie. Linte përshtypjen e një pune studentore pa talent të veçantë ku ushtrimet gjimnastikore ndiqnin njëra-tjetrën. Në pjesën e saj të dytë shfaqja mori një kthesë më shpresëdhënëse. Të paktën, krijohej frymëmarrje nga të qeshurat e shkaktuara në pjesën e parë, gjatë së cilës shpesh ndihej stërmundimi fizik i balerinit teksa ngrinte në ajër partneren e vet, e cila dukej se rëndonte më shumë se pesha reale. Në numra të caktuar ishte kaq i dukshëm shtrembërimi i hireve femërore prej peshës së kohës dhe llojit të fizikut derisa natyrshëm kaloje nga admirimi në përqeshje (të paqëllimtë).
Nuk mungoi as zëri i një solisteje në prova e sipër në mjediset e TKOB-it gjatë një pauze të vogël brenda shfaqjes së baletit, gjendje kjo e cila të kujtonte ndërfutjet e koncerteve te filmi “Koncert në vitin ‘36”.
E megjithatë spektatori u tregua artdashës apo dashamirës… Vlerësoi me duartrokitje të forta kohë pas kohe, duke nisur me një reagim të tillë kur një balerin, thjesht, u ul mes spektatorëve ose kur “triumfalisht” balerinët përtej “murit” me kuti kartoni u shfaqën duke e shpërthyer këtë mur e kështu shpërthyen edhe duartrokitjet.
Dhe për ta mbyllur, lëvizja e fundit koreografike erdhi më vonë në kohë se çasti përkatës muzikor. Megjithatë, shpërthimi në skenë nuk vonoi edhe shpërthimin në duartrokitje të fuqishme e fishkëllima admirimi të publikut në sallë. Sigurisht, të kuptohemi, fishkëllimat në mjediset tona artistike përmbajnë një qëndrim krejt tjetër nga ai i mjediseve të mbarë botës artistike…
Brenda këtij “suksesi” shqetësimi kryesor lidhet me faktin se spektatori profesionist apo edhe ndjekësi i rregullt i shfaqjeve artistike duhet të jetë i rrallë, madje në “zhdukje”. Ndoshta ai s’është fare në sallë, i zhgënjyer radhë pas radhe nga çdo shfaqje. Ndoshta, edhe në është i pranishëm, rrudhet e mvrenjtet tingull pas tingulli e lëvizje pas lëvizjeje, duartrokitje pas duartrokitjeje.
Nga dëshpërimi, ndoshta, ka nisur edhe të qeshë…