Balla dhe letra e gabuar diplomatike

Nga Artan Fuga

Nga mediat mësoj se zoti Taulant Balla në funksionet e tij të përfaqësimit te Shqipërisë në instancat europiane u ka drejtuar një letër tre deputetëve europianë të Frontit Kombëtar të Francës, që janë shprehur kundër proceseve integruese të Shqipërisë në Europë.

Nuk mund të mos them se pavarësisht diferencave për shumë çështje me zotin Balla, përsëri nuk e fsheh simpatinë për energjinë e tij dhe aktivitetin si deputet përballë shumë deputetëve të tjerë që nuk i dallojmë si individualitete politike edhe aq shumë.

Nuk mund të mos them se më pëlqen që nga pala shqiptare shprehet vullneti për integrim europian që është e vetmja rrugë për të dalë nga katastrofa sociale dhe ekonomike ku kemi rënë.

Nuk mund të mos them gjithashtu se më pëlqen toni i drejtpërdrejt i zotit Balla, pa komplekse, çka është në sensin e propagandës dhe diplomacisë së sotme shqiptare, mirë a keq, nuk e di.

Por, me gjithë këta faktorë, marr kurajon qytetare për të thënë se ajo letër është e konceptuar dhe redaktuar politikisht gabim. Ka një mosnjohje rrënjësore të pozicioneve politike të deputetëve europianë që u drejtohet si faktorë që përfaqësojnë forcën politike në fjalë.

U drejtohet sikur ata janë gjithashtu europianistë në kuptimin e integrimeve europiane.

E vërteta është se shprehja "vëllazërisht europian", që përmbyll letrën, nëse përkthimi është i saktë, nuk shkon sepse Fronti Kombëtar, në të drejtën e vet për qendrim autonom e të pavarur, është shumë kritik, me qendrime kritike kundër politikave europianiste të ndjekura nga Brukseli, dhe shprehet shpesh edhe për dalje nga sistemet europianiste për të cilat Shqipëria shprehet pozitivisht.

Fronti Kombëtar nuk flet për mundësinë e dështimit të" Europës të së ardhmes", sikurse thuhet në letër, por sipas tij flet për "dështimin e Europës të tanishme".

Poashtu thirrja për ta kapur dorën e shtrirë të Shqipërisë për rigjallërimin dhe rinovimin e Europës nuk ka kuptim t'u drejtohet atyre zotërinjve deputetëve sepse ata nuk e shohin këtë proces në kuadrin e institucioneve të sotme europiane ku edhe adresohet kjo letër.

Kurse shprehja se "Shqipëria mban çelësat gjeopolitikë të Lindjes dhe Perëndimit" më duket e padëgjuar ndonjëherë në skemat gjeopolitike të shtetit shqiptar, e papretenduar nga asnjë instancë politike a shtetrore shqiptare, e pathënë në asnjë Kuvend ndërkombëtar, dhe nuk e di nëse na bën mirë se na jep rëndësi si qendra e politikës botërore, apo na ngarkon mbi kurriz të gjitha konfliktet e kësaj bote që artikulohen sot midis Lindjes dhe Perëndimit.

Do ta quaja hajde disi të justifikueshme në artikulimin gojor pasionant që ndonjëherë të rrëmben në tribuna kaq të rëndësishme, por në një letër do të isha që nëpunësit e ministrisë të jashtme që e kanë redaktuar të ishin shumë më tepër profesionalë dhe të kujdesshëm, formalë, sikurse e kërkojnë dokumentet historike e diplomatike. Shprehja në fjalë nuk e di sesa e bazuar është, por ajo përbën një kthesë ne qindra a mijra vjet të politikës shqiptare apo gjeopolitikës të institucioneve të ndryshme të shqiptarëve apo të paraardhësve të tyre.

Kërkoj ndjesë për ndërhyrjen në këtë fushë delikate por, me modesti dhe respekt u lejova të shprehem sepse ka të bëjë saktësinë e adresimit në politikën e jashtme të vendit tim dhe me ëndrrën integruese europiane të brezit tim që zoti Taulant Balla e përfaqëson megjithatë shumë sinqerisht.

SHKARKO APP