Ballkani, peng i mbetjeve nacionaliste
Nga Marjana Doda –
Nacionalizmi në Ballkan është si një fosile shekullore që gjithnjë shfaqet si një atavizëm dhe gjeneron plagë në trupin e tij. Do doja ta kisha harruar këtë fenomen që na kthen pas në kohë dhe në mendesi ,por ngjarja me vrasjen e ekstremistit të ndjerë grek Kostandinos Kacifas, më 28 Tetor në Bularat brenda territorit shqiptarë tregon qarte se sëmundja shekullore e ballkanit nuk është shëruar . Ajo u rikthye duke sjell shqetësim, pasiguri dhe shumë pikëpyetje për cfarë mund të vije më pas .
Fatkeqësisht jo vetëm në mendjet por dhe në veprimet e ballkanasve, kryesisht grekë, e serbë , ende shfaqen sëmundje nacionaliste të pashërueshme . Po të kthehemi pas ,shohim se gjithçka lidhet me dy projektet më famëkeqe të lindura më 1844, Naçertania serbe dhe Megali Idea greke, me pasoja ndaj shqiptarëve që në atë periudhë shtriheshin në katër vilajete, të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe të Janinës.
Naçertanija serbe, njohur si “ Naçertanje ” e Ilija Grashaninit, ish funksionar i Strukturave të Brendëshme të Serbisë, m ë 1844 ai e paraqiti si një dokument sekret “Naçertania”( Projekt) dhe që e mendonte Serbinë e re si vazhduese të perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit(1308-1355), ku sipas këtij dokumenti pjesë e shtetit të madh serb do të ishte dhe Shqipëria e Veriut, ndërsa Maqedoninë e konsideronte Serbi Jugore. Politika e Naçertanias vazhdoi me shkombëtarizimin e shqiptarëve me memorandumin “Iseljavanje Arnauta” (Dëbimi shqiptarëve) më 1888, ndërsa me ndërhyrjet dhe influencat e saj në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër(1912-1913), Serbia aneksoi Kosovën dhe vise tjera lindore, politikë shkombëtarizuese që arriti kulmin me masakrat kundër shqiptarëve me ardhjen në pushtet të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç në vitet ’90-t ë. Dhe megjithatë, Veriu i Kosovës ende mbetet plagë që ngacmohet nga nacionalistë ,ku rasti me i fundit që u provokua ishte me vrasjen e liderit te Partisë “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanovic më 15 janar 2018, apo provokime të vazhdueshme të Listës Serbe në ekzekutivin dhe politikën kosovare.
Dhe Megali Idea(Ideja e Madhe), lindi si platformë politike e qarqeve shoviniste greke për krijimin e një shteti në kufijtë e Perandorisë Bizantine dhe që u miratua në Asamblenë Kombëtare më 1844, por që pas luftërave ballkanike do të merrte formë agresive me Protokollin famëkeq të Korfuzit që përcakton kufijtë e Vorio Epirit në krahinat e Korçës, Gjirokastrës, Sarandës dhe Himarës, me synimin të shtrihej deri në Durrës. Dhe pse Greqia u pushtua nga Italia, që më 1940, ajo ende mbanë pezull ligjin e luftës me Shqipërinë, duke justifikuar kështu dhe masakrat e kolaboracionistit Napolan Zervës në gjenocidin ndaj popullsisë çame më 1944. Por nuk do të mjaftoheshin me kaq. Pas ndërhyrjes në Konferencën e Paqes më 1946 për të kërkuar Jugun e Shqipërisë, në pamundësi për të kënaqur orekset shoviniste të saj, më 2 gusht 1949 territori shqiptar në jug-lindje nga Korça, Konispoli e Sarandë u bë objekt sulmi ushtarak grek. Ndonëse politikës shoviniste greke iu bë bllok për rreth 45 vjet nga regjimi komunist, pas vitit ’90-të pretendimet shoviniste dhe aktiviteti i ekstremistëve u shtua deri në agresivitet. Më 10 Prill 1994 një komando greke me pjestarë të Frontit për “Çlirimin e Epirit të Veriut” sulmon një postë kufitare ushtarake në Peshkëpi të Gjirokastrës dhe vriten 2 ushtarakë shqiptarë.
Dhe së fundmi ndodhi ngjarja në Bularat. Ndjesë për të ndjerin, por dhe zemërim për atë çfarë ndodhi atje. Si mundet që një njeri të qëlloi hapur me armë luftarake automatike në mes të fshatit, e për më shumë të qëlloi policinë që mund të kishte rënë viktimë e breshërisë armës së tij. Ndër grekët më realist lidhur më këtë ngjarje do të ishte ish ministri Jashtëm Theodoros Pangalos i cili në një intervistë për “Sky”-në grek do shprehej:”Nuk bëhet politikë e jashtme me kush është më i fortë…nuk e kuptoj se çfarë donte ai( Kacifas) të shkonte nga Greqia të vendoste flamuj aty…Mos harroni se ai kishte armë. Unë besoj se kushdo që ka armë në dorë duhet të qëllohet. Jam kundër këtij faqeziu. Ashtu sic ndodh dhe në SHBA, këta qëllohen në raste të tilla”.
Por turpi që lënë ekstremistët nuk do mjaftonte me kaq. Mbetjet nacionaliste greke u shfaqën në varrimin e të ndjerit. Dhjetra qytetarë grekë që erdhën në cermoninë mortore në tokë shqiptare të mbushur me flamuj grek, do të shprehnin flakë urrejte nën himnin grek me parulla: “Kacifa jeton, ti na drejton”, “Vorio Epiri është grek”, ” Shqiptarë largohuni, kjo është Greqi”, “Gjaku na thërret të djegim shqiptar ë”, “Maqedonia është Greqi”, etj. Kujtojmë se këto thënie janë në vazhdimesi pasi vetëm para pak vitesh në internet u shfaqën video me vargje fyese të ushtarëve grekë kur stërviteshin. “I shikoni ata, i quajnë shqiptarë. Lidhëse këpucësh do bëjmë me zorrët e tyre. Këpucët tona do ti bëjmë me lëkurën e tyre”- këndonin në kor ushtarët grekë.
Lidhur me çfarë ndodhi në Bularat autoritetet shqiptare deklaruan shpalljen non grada të 52 shtetasve grekë, midis të cilëve dhe të eurodeputetes Eleni Theocharous, politikane Qipriote në Parlamentin Europian. Ndaj së cilës duhet të reagonte vete Parlemanti Europian për faktin që kjo zonjë po kërkon të ndeze konflikte nacionaliste .
Pas këtij vendimi dhe thënjeve të k.min Edi Rama se “Hijenat përdhosën flamurin e tyre” eurodeputetja do deklaronte se:” Është një titull nderi për mua të vihem sërish në targetin e një regjimi të korruptuar si ai i Edi Ramës në Shqipëri. Ata nuk mund të zbehin rezistencën time, apo pasionin tim për të drejtat e njeriut dhe ruajtjen e “Vorio Epirit”. Ajo çfarë e bën portretin e saj të padëshiruar është fakti se për ndjenja dhe veprime të tilla nacionaliste, në vitin 2017 Azerbajxhani e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi kishte vizituar Nagorni- Karabakhut ilegalisht. Atëherë, me të drejtë çdo kush tjetër dhe shqiptarët do të pyesnin: A të tillë deputetë dhe me të tillë urrejte përbëhet Parlamenti Evropian? A mban përgjegjesi ky parlament për anëtaret e saj?
Fatkeqësisht në Greqi nacionalizmi dhe ekstremizmi po kërkon të kthehet në sistem. Pas ngjarjeve në Bularat partia me qëndrime naziste e Agimit të Artë po nxit e organizon elementë e qarqe ekstremise, si dhe po sensibilizon grekët deri në shkolla për Vorio Epirin duke perdorur vrasjen e ekstremistit Kacifas. Sipas gazetës Protohema thuhet se:” Ai ishte udhëheqësi i një grupi të madh të Epirit të Veriut në mitingjet e fundit madhështore për Maqedoninë në Selanik dhe Athinë duke mbajtur flamurin e madh grek që ishte bërë viral në mediat sociale” ( ndërsa thuhet se mund të ketë patur dhe precedentë penalë).
Por nacionalizmi preku dhe “njeriun e Zotit”, priftin e Konicës , Kostandinos Andreas që bëri apel për ti shpallur luftë Shqipërisë. Pas ngjarjes në Bularat bëri thirrje duke ju drejtuar të gjithë grekëve se ” Zgjidhja e vetme për të shpëtuar grekët nga vendi barbar fqinj është vetëm një: Bashkimi i Epirit të Veriut me Greqinë”.( si duket nuk denjoi të dëgjonte as thirrjen e Kryepeshkopit Anastas Janullatos i cili kërkoi: “Të gjithë shpirtrat le të gjejnë paqen. Zhurma e papërgjegjshme le të ndalet dhe ngjarjet të shqyrtohen në vazhdim me objektivitet dhe respekt të ndërsjellë”) .Për fat të keq në sintoni me priftin e Konices ishte dhe deklarata e kryetarit të partisë nacionaliste greke ” E Djathta e Re” , Phaselos Kranidiotis që shkruajti se ” Edi Rama të mos guxojë të ngrejë dorë ndaj grekëve”.
E megjithate në gjithë këtë tension mes dy vendeve, duket se ka dhe zyrtarë grek që kundërshtojnë “ glorifikimin “e Kacifas . Zv/ ministri i Jashtëm Jorgos Katrougalos do deklaronte se: ” Duhet të jetë e qartë që kur flasim për të dënuar nacionalizmin, kur themi që kufijtë janë të pacënueshëm, nuk flasim vetëm për të tjerët, por nacionalizmi duhet të dënohet nga të gjitha anët”. Por ajo çfarë e bën situatën jo optimiste dhe të rrezikshme është një deklaratë e ish-ministrit Jashtëm Niko Kotzias për “Radio 247″ i cili veç të tjerave thotë :” Çdo jetë e humbur është një humbje e madhe. Marrëdhëniet dypalëshe nuk duhet të zhvillohen në prespektivën e ngjarjeve negative. Nuk duhet të jemi të ç’orientuar për të zgjidhur problemet. Problemi ynë është në Veri ku ushtria greke nuk e njeh kufirin shtetëror me Shqipërinë”. Ndoshta kjo lidhet dhe me qëndrimet jo korrekte të ministrit Mbrojtjes Panos Kammenos i cili i veshur me rroba ushtarake ka inkurajuar para ca kohësh forca ushtarake në kufij me Shqipërinë.
Ndërkohë që pak jave më pare Kotzias shtrëngonte duart me Bushatin për një “epoke të re ” në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ngjarja e fundit ka përmbysur gjithçka.
Në këtë situate ,kur Greqia ka pretendime territoriale , ku marrëveshja e detit është jo transparente ( kujtojmë se ish-ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias akuzohet se ka nxjerrë sekretin shtetëror me deklaratën e tij se “Greqia do të zgjerohej me 12 milje në detare”, dhe si pasojë ka ekspozuar vendin (!) )
Këtu ndodhemi në piken zero, dhe në këtë situate Shqipëria duhet të ndërmarre disa hapa paraprake ;
Së pari Fjala “Vorio Epir” që i referohet Shqipërisë së Jugut duhet të ndalet në mënyre kategorike të citohet nga Athina zyrtare . Madje fillimisht nga vete BE , aty ky aderon Greqia , e më pas nga Shqipëria .
Së dyti duhet të bëhet censusi i popullsisë për të parë se sa realisht është pakica greke në Shqipëri (është gabim historik ligji për 8 minoritete , miratuar në parlamentin shqiptare kohë më parë). Eshtë abuzuar mjaft me numrin real të minoritetit grek në shqipëri dhe pretendimeve të tyre , aq sa po ben që shqiptaret të ndihen të huaj në token e tyre Ilire.
Së treti qeveria duhet të negocioje në bazë të reciprocitetit me fqinjet dhe çdo marrëveshje të bëhet transparente
Së katërti Qeveria të financoje historianet për të punuar profesionalisht për historine e këtij vendi . Për tu lënë trashëgim pasardhësve tane një të shkuar të qartë në mënyre që të gezojnë një të ardhme të ndritur.
Ndër te tjera kjo analizë tregon hapur se çfarë shembulli jep një vend si Greqia që është anëtare e NATO-s dhe e BE-së, nga e cila ndizen flakët e urrejtjes per të gjithë fqinjët e saj. Fatkeqësisht nacionalizmi po na kthen shekuj pas. Madje dhe në manifestimet e 100 vjetorit të armëpushimit të Luftës Parë Botërore u deklarua për rrezikun nga nacionalizmi. Presidenti francez Emmanuel Macron në mesazhin e tij për paqen,ku deklaronte: “Le të ndërtojmë shpresat tona në vend që të mbetemi pengje të frikës kundrejt njëri-tjetrit. Patriotizmi është krejt e kundërta e nacionalizmit”. Ndërsa Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi se nacionalizmi është duke ngritur rrënjë në Evropë e më gjërë.
Atëherë, nëse retë e zeza të nacionalizmit në Ballkan, dhe jo vetëm, do të errësojnë sadopak demokracinë në këtë rajon të brishtë, nuk do të jetë çudi që “fuçia e barutit” (siç etiketohet rendom ballkani) të marre permasat e nje “bombe atomike” , pasojat e së ciles nuk do të bien më vetëm mbi ekstremistët nacionalistë, por do të vuajnë popujt mbarë, ndaj nuk duhet lejuar që të ndizen zjarre nacionaliste, qofshin këto nga serbë, grekë, maqedonë apo edhe shqiptarë.