Bankat, shkaktare të zgjatjes së krizës ekonomike
Nga Zef Shtjefni
Ka shifra të frikshme në aktivitetin bankar në Shqipëri. Të frikshme i bën kontradiksioni i tyre. Nga njëra ana statistikat thonë se afro 25% të kredive që bankat tona të nivelit të dytë kanë dhënë, janë të këqija. D.m.th., janë kredi që duhen llogaritur të humbura. Nga ana tjetër, raportohet se sistemi ynë bankar del me fitim, 150-200 mln euro në vit. Si është mundur të ndodhë kjo!? Po përpiqem t’ua sqaroj me dy fakte. Shkova në një bankë të Pragës, për një kredi shtëpie dhe më thanë se norma e interesit ishte 2, 01% në vit. Shkova në një bankë të Venecias për të njëjtën gjë dhe më ofruan 3. 2%. Ndërsa normat e interesit të kredisë afatshkurtër, ose siç i thonë tek ne, të overdraftit, e para i kishte 3. 5% dhe tjetra 4. 1%. Vij në Shqipëri dhe u drejtohem për të njëjtat shërbime tri bankave këtu. Interesat ishin nga 6-8%. Është vend më risk të lartë, nxitojnë të justifikohen punonjëset e bankave. Prandaj dhe aplikojmë këto norma. Pra, kuptohet krejt qartë se haraçin e klientëve të këqij, të mashtruesve dhe hajdutëve të bankave tona, e paguajnë njerëzit dhe sidomos bizneset që janë korrekt me bankat. Me shkoqur, bankat tona rrjepin klientët e mirë, për të kompensuar humbjet me klientët e këqij! Është pikërisht kështu. A është zgjidhje e drejtë dhe sa jdtë të gjatë do të ketë kjo politikë bankare në Shqipëri? Mua nuk më duket se është aspak e drejtë dhe as mund të ketë jetëgjatësi të madhe kjo kulturë pune dhe strategji kredidhënie. Kjo politikë e verbër ka bërë që ekonomia jonë kombëtare të tkurret vitet e fundit. Bankat tona duken si ai që është “djegur në qumësht dhe vijojnë t’i fryjë kosit”. Kështu po u marrin frymën edhe atyre pak klintëve dhe bizneseve të mira dhe gjithçka po e çojnë në tilt.
Nga ana tjetër thënia: “Shqipëria vend me risk të lartë”, më duket se është thjeshtë një fiksim dhe mashtrim i vetvetes nga vetë bankat. Më me risk se Amerika në këtë biznesin bankar, nuk doli shtet tjetër në botë. E dimë mirë se çfarë iu desh të bënte Qeverisë Amerikane për të shpëtuar sistemin e saj bankar pak vite më parë. Edhe këtu drejt atij kolapsi ishim nisur, pasi bankat gjatë qeverisjes së Berishës ishin bërë si piramidat, duke iu lutur bizneseve për kredidhënie pa hesap. Pas tërmetit të bankave amerikane dhe të ndonjë banke europiane, bankat tona u tkurrën dhe panë greminën ku ishin afruar dhe menjëherë kaluan të ekstremin tjetër, duke ndaluar kreditimin e ekonomisë. Bankat nuk mund të mbijetojnë dot nëse nuk japin para, ose siç thonë ato, nëse nuk shesin produktet e tyre, të cilat me pak fjalë janë kredidhënia apo shërbimet e tjera bankare që bëjnë. Atëherë, lind pyetja: si arritën të mbijetojnë deri më sot dhe më e çuditshmja si arrijnë të dalin me fitime kaq të majme bankat tona në këto kohë krize që po kalojmë!? E thjeshtë, është ajo që kam thamë më sipër. Bankat tona po rrjepin klientët e mirë, për të kompensuar mashtrimet e vjedhjet që u bëjnë atyre klientët e këqij. Kështu kanë gjetur karar e rehati, duke u dhënë kredi vetëm atyre pak klientëve që i kanë të sigurtë dhe duke zhvatur prej tyre norma fitimi shumë të larta. Kështu dalë nga dalë po ia marrin shpirtin edhe asaj pak ekonomie që po mbërrin t’i mbijetojë krizës në këtë vend. Ndërkohë që “Banka e Fullanit” nuk trazonte bankat e nivelit të dytë në këtë rrjepje të shqiptarëve. Por edhe sot Banka e Shqipwrisw vijon gjumin letargjik të rehatisë së njerëzve të paaftë, që familja e politikës sonë ka katapultuar e strehuar aty.
Le të ndalemi edhe pak tek fiksimi dhe justifikimi i bankave se Shqipëria është vend risku, ndaj për këtë arsye kredimarrësit e mirë duhen ndëshkuar me norma të larta interesi. Le të shohim se pse kemi afro 25% kredi të këqija, të cilat bankat nuk i rikuperojnë dot. Për këtë nuk po bëj komente, por po u jap dy shembuj domethënës. Një fabrikë e huaj këtu në jug, pasi mori me thasë para nga ky vend, në fund i futi edhe një kredi mbi 10 mln euro dhe i ngeci në derë një fabrikë gërmadhë bankës që i kreditoi një rikostruksion. Sigurisht nuk e ka bërë këtë pa korruptuar drejtuesit kryesor të saj, pasi ndryshe del se banka është e mbushur me injorantë që nuk kuptojnë se çfarë janë fabrikat dhe i kreditojnë verbërisht. Në një fabrikë tjetër këtu në Tiranë, banka u dha kredi njerëzve, që përveç lidhjes me ish-Guvernatorin , nuk kishin asnjë përvojë industriale dhe asnjë garanci se investimi do t’u dilet me sukses. E kredituan nga miku dhe nuk morën asnjë kacidhe interesa dhe lanë brenda më shumë se 3 mln euro kredi. Tani kush e ka fajin për këtë copë Shqipëri risku, shqiptarët apo vetë bankat? Unë mendoj se për kreditë e këqija e kanë fajin, në pjesën më të madhe rasteve, stafi i vetë bankave. Ato ose nuk kanë specialistë dhe bankierë të aftë e të ndershëm brenda tyre, ose me interesat kaq të larta që marrin, i shtyjnë njerëzit dhe bizneset pashmangshmërisht drejtë greminës. Kulmi është, kur dëgjon se edhe bankat, që mbahen si më të mirat në vend, jo vetëm nuk u japin më asnjë kacidhe qytetarëve të këtij vendi edhe për depozitat, por mbajnë komisione edhe për derdhjet në llogari. Nuk ka ku shkon më tej zhvatja e shqiptarëve, që lejohet kaq marrëzisht nga Qeveria dhe Banka jonë Kombëtare!