Basha, dita e parë në opozitë
Nga Qamil Xhani/
Pas 10 vitesh në politikë, Lulzim Basha është zyrtarisht në opozitë. E nisi karrierën si një nga prurjet e reja të Komitetit të Orientimit të Politikave në vitin 2005. Ylli i tij politik shkëlqeu më fortë se gjithë rioshët e tjerë, duke provuar postin e Ministrit të Jashtëm në vitin 2005, atë të ministrit të Jashtëm në vitin 2009. Përvoja në dy ministritë bëri që të ishte figura e vetme së cilës Berisha mund t’i besonte një përballje “kokë më kokë” me Ramën për në Bashkinë e Tiranës. Një përballje që pavarësisht debatit për votat në kutinë e gabuar, e nxori fitues. Të gjitha këto pozicione në hierarkinë e PD-së bënë që në vitin 2013, pas humbjes së zgjedhjeve, marrja e drejtimit të partisë të shihej si një proces gati i natyrshëm. Kuptohet, i natyrshëm për standardet e PD-së.
Pas humbjes në 2013-ën të PD-së, Basha drejtonte bashkinë me të madhe në vend, me një buxhet vjetor 60 milionë dollarë dhe me mijëra të punësuar. Praktikisht, nuk ishte në opozitë. Me opozitë këtu nuk kuptohen vetëm numrat në Kuvend apo kush iku nga selia e Kryeministrisë. Të jesh në opozitë në Shqipëri do të thotë të mos kesh më asnjë pushtet, vendor apo qendror. Më troç, të mos kesh asnjë lidhje me administratën dhe buxhetin e shtetit. Pushteti vendor apo qendror është vende pune për militantë, financime dhe mbajte në këmbë e strukturave të partisë. Pushteti është joshje dhe zbutje e mediave e ndonjëherë shkëmbim nderesh me kundërshtarët politikë. Mbi të gjitha, ky lloj pushteti është një mënyrë për të mbushur sheshet me protestues dhe një derë ku zgjidhen hallet e militantëve. Këtë bëri Rama sa ishte në krye të Bashkisë së Tiranës dhe në krye të PS-së, këtë ka bërë dhe Basha deri dje, pas daljes në opozitë. Me betimin e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës, Basha nuk ka më asnjë këmbë në pushtet. Gjithë pesha e opozitës përmblidhet në 15 bashki në Kuvend dhe në një grusht deputetësh në Kuvend, që jo të gjithë e kanë hallin tek suksesi i Bashës.
Me largimin nga Bashkia e kreu i PD-së do të kuptojë se e vetmja shpresë për ardhjen në pushtet është fryma e opozitës që do të ndërtojë tani e tutje. Biznesmenët që i rrinin vërdallë për ndonjë tender të Bashkisë, tashmë i kanë dhënë sinjalet se e kanë lënë në baltë. Kanë muaj që shohin nga kryebashkiaku i ri. Mediat, edhe ato për të cilat qeverisja e PD-së investoi gjatë tetë viteve, me humbjen e mandatit në Tiranë kanë filluar të mos u përgjigjen edhe thirrjeve për pasqyrimin e aktiviteteve dhe jo më për t’u dhënë mbështetje kauzave të selisë blu. Militantët kanë rralluar radhët, pasi me rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit, pushteti po u duket më larg se kurrë. Edhe piruetat e Fatmir Mediut dhe Genc Pollos për një koalicion me PS-PD në të ardhmën, nuk joshin as rojen e selisë së PD-së.
Pas gjithë pushtetit që Berisha i dha Bashës në PD, kritikuesit e tij kanë pasur një argument të fortë. Basha nuk ka qenë asnjë ditë në opozitë. Nuk njeh PD-në e pas ‘97-ës dhe nuk ka vuajtur në kurriz fushatat problematike të vitit 2001 dhe 2003. Nga sot, Basha do të ketë mundësinë të ndërtojë opozitën e tij. Opozitën që nuk është pjesë e pazareve, jo se nuk do, por sepse asgjë s’ka në dorë. Opozitën që nuk është ajo e teoricienëve që hartonin strategji në zyrat me kondicionerë të bashkisë, por opozitën e atyre që janë më afër njerëzve dhe problemeve që ka vendi.