Basha garanton legjitimitet demokratik
Nga Kosta Barka –
Marrja e vendimeve të pjekura nga zyrtarë të përgjegjshëm është element i rëndësishëm në një demokraci liberale. Përgjegjshmëria është një element i rëndësishëm në sferën politike të qeverisjes. Në vitet e fundit, gjatë qeverisjes së zotit Rama, iu bë shumë publicitet PPP-ve dhe koncensioneve. Por, në shërbim të tyre, Kuvendi ka miratuar ligje “të bëra me porosi”, në munges të transparencës dhe të konsultimit me publikun. Ky është një nga përfundimet e rëndësishme të gjetura nga raporti i Transparency International dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ‘Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri”, botuar në 30 mars, 2021.
Raporti ka analizuar 9 ligje për të treguar se si qeveria ka propozuar dhe Kuvendi ka miratuar ligje të bëra me porosi. Ligjet e analizuara janë: Teatri Kombëtar, Ligji i Medias Audiovizive, Ligji për Lojërat e Fatit (e paqartë), Lotaria Kombëtare, koncesioni i rrugës Milot–Balldre, ligji për pragun e TVSH-së, ligji për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, ligji për krijimin e Kompanisë ‘Air Albania’. “Një numër propozimesh shumë të dyshimta legjislative të qeverisë janë shfaqur si befasi e plotë dhe janë shpallur vetëm në një etapë shumë të vonshme të procesit, specifikisht gjatë miratimit të projektligjit nga qeveria ose gjatë paraqitjes së tij në Kuvend”, evidenton Raporti.
Këto janë devijime shumë të rënda, që tregojnë papërgjegjshmëri ndaj rregullave më elementare të praktikës administrative qeverisëse. Në demokraci interesi i përgjithshëm ka rëndësi të dorës së parë. Në këtë kontekst duhet të kërkojmë shumë më shumë se sa vetëm të sigurojmë që zgjedhjet të jenë demokratike. Demokracitë e përgjegjshme liberale kërkojnë administrim të mirë dhe efektiv, duke ruajtur vlerat përkatëse kushtetuese e ligjore, si dhe parimet e jetës publike. Qeveritë e “Rilindjes” shmangën tërësisht elementin human të qeverisjes dhe e bënë vendimmarrjen pronë të tyre, në shërbim të oligarkëve dhe grupeve të caktuara të interesit. Në raportin e TI dhe IDN gati 57 për qind e shqiptarëve në vitin 2019 thanë se janë të interesuar të marrin pjesë në proceset e vendimmarrjes së institucioneve publike. Por Shqipëria në këto vite as nuk ka aspiruar për demokraci, për të ushtruar parime dhe praktika të tilla. Ndaj realiteti aktual ofron sfida të reja. Zgjedhjet e 25 prillit janë një shans i mrë për të ndryshuar mjedisin politik dhe qeverisjen kleptokratike, në përputhje me kërkesat e jetës moderne demokratike, për të ndryshuar elementët fillestarë të vendimmarrjes publike, duke vendosur një ekuilibër të përshtatshëm midis qeverisë, parlamentit e publikut, me kërkesën për të qenë të përgjegjshme dhe për të lejuar funksionimin normal të sistemit. Kjo kërkon përgjegjësi, objektivitet, ndershmëri e lidership. Të gjitha këto cilësi janë të mishëruara më së miri te zoti Basha, i cili e ka të qartë vizionin e tij qeverisës për t’i qeverisur demokratikisht çështjet e mirëfillta, duke çliruar institucionet nga ndikimi politik dhe duke respektuar asnjanësinë e shtetit, duke rritur cilësinë e institucioneve zyrtare, duke përsosur marrëdhëniet e politikës me biznesin, duke barazuar e harmonizuar kushtet e prodhimit e legjislacionet, duke garantuar një qeverisje efektive që siguron jo vetëm vendimmarrje nga qytetarët, por edhe vlera për paratë e taksapaguesve, për të përmbushur pritshmëritë dhe për të mbushur me vlera të shoqërisë të gjitha shërbimet e sotme, që u mohojnë qytetarëve barazinë dhe drejtësinë. Qeverisja e re demokratike pas 25 prillit garanton që përgjegjshmëria të funksionojë në shkallë hierakike deri te përfaqësuesit e zgjedhur, me qëllim që të garantohet jo vetëm legjitimiteti demokratik, por edhe përfitimi i publikut.