Basha, Patozi dhe hendeku 300 mijësh!
Nga Eduard Zaloshnja
Teksa po analizoja korrelacionin statistikor mes elektoratit “blu” dhe atij “gri”, ndërtova një grafik, i cili e ilustron në mënyrë koncize këtë korrelacion (shihni grafikun shoqërues). Ky grafik tregon se, kur votat e djathta ishin të shumta, numri i atyre që nuk votonin ishte i vogël. Kurse kur votat e djathta ishin të pakta, numri i mosvotuesve ishte i madh.
Kështu, në zgjedhjet e vitit 2009, votuan për partitë e djathta 740 mijë zgjedhës. Ndërkohë, vetëm 400 mijë votues me banim në Shqipëri, nuk morën pjesë në zgjedhje. Në vitin 2013, numri i votuesve të partive të djathta zbriti në 680 mijë dhe numri i mosvotuesve, mbeti 400 mijë. Por në vitin 2017, numri i votuesve të djathë pësoi një rënie dramatike – zbriti në 460 mijë – ndërkohë që numri i mosvotuesve arriti në 550 mijë. Sipas një sondazhi që zhvillova në fillim të marsit (http://albanianfreepress.al/news/2018/03/zgjedhje-sot-150-mije-pjesemarres-me-pak-se-vjet-analize-nga-eduard-zaloshnja-79205/ ), rezulton se sot, votuesit e djathtë janë rreth 480 mijë dhe mosvotuesit janë rreth 700 mijë.
Përmbledhtas, mund të thuhet se, në krahasim me kohën kur koalicioni i djathtë udhëhiqej nga Berisha, elektorati “blu” është tkurrur me rreth 300 mijë, ndërkohë që elektorati “gri” është rritur me rreth 300 mijë.
Një zgjidhje e thjeshtë e këtij problemi, do të ishte që në krye të koalicionit të djathtë, të rikthehej përsëri Berisha. Por gjërat në jetë nuk janë aq të lehta sa mund të duken në një grafik.
Së pari, Berisha ka deklaruar vazhdimisht se, nuk do të rikthehet më kurrë në një post politik apo shtetëror, përveç atij të deputetit të thjeshtë. Dhe duke ditur se sa rëndësi i jep ai imazhit të tij si “burrë malësor”, duket e pamundur që ta shkelë këtë betim publik të përsëritur.
Së dyti, një rikthim i Berishës në krye të koalicionit të djathtë, vërtet mund të ndikojë tek rikthimi i shumë ish-votuesve në sinorin e së djathtës, por mund të sjellë edhe një reagim të të pakënaqurve të majtë, për t’u kthyer në sinorin e tyre. Në këtë mënyrë, do të kishim një rritje të elektoratit “blu”, por do të kishim edhe një rritje të elektoratit “rozë”. Dhe siç treguan zgjedhjet e 2013-ës (kur Berisha ishte kryeministër), elektorati “rozë” është më i madh se ai “blu”.
Në këto kushte, duket sikur e vetmja mundësi e koalicionit të djathtë, për t’u rikthyer në kuotat e 750 mijë votave, mbetet afrimi mes PD-së së Bashës dhe lëvizjes politike të udhëhequr nga Astrit Patozi. Po a është e madhe kjo mundësi?
Patozi dhe disa ish-politikanë të rëndësishëm të PD-së, kanë shpallur para disa muajsh një platformë për rithemelimin e PD-së, me kusht që Basha të rifutet nga e para në garën për kreun e partisë. Por Basha deklaroi së fundi, se kushdo që dëshiron të kontribuojë te PD-ja, mund të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar që ajo do të zhvillojë në prill. Me fjalë të tjera, Patozi me shokë mund të marrin pjesë në kuvendin e partisë, si anëtarë të thjeshtë…
Në qoftë se ky qëndrim refraktar i Bashës vazhdon, edhe përkundër thirrjeve të përsëritura të Berishës për bashkim të të gjithë politikanëve të djathtë, qysh nga 1990-ta e këtej, Patozi dhe bashkëpunëtorët e tij duket se do të krijojnë një parti të re të djathtë.
Në pamje të parë, të krijohet përshtypja se kjo parti do t’i prishë punë koalicionit të djathtë, duke i marrë vota atij. Po ky koalicion nuk ka ku të zbresë më poshtë – ka humbur 1/3 e votave të tij në vitet e fundit.
Në qoftë se partia e re e udhëhequr nga Patozi, do të arrijë të marrë një numër të konsiderueshëm votash në zgjedhjet e ardhshme, ato do të vijnë nga elektorati “gri”. Pra, do të vijnë nga ata 300 mijë votues të djathtë që i janë larguar koalicionit të PD-së, qysh nga viti 2009.
Dhe në qoftë se, kjo parti e re e djathtë do të jetë e aftë të marrë mjaftueshëm deputetë në zgjedhjet e ardhshme, Basha mund të ketë shansin ta bëjë koalicionin me Patozin, në vend që ta bëjë me Kryemadhin…