Basha po çon në luftë, një PD të plagosur prej tij
Nga Mero Baze
Besnik Aliaj i ka bërë një thirrje të pamëshirshme Lulzim Bashës, që në minutat e fundit, të mbështeste si parti Gjergj Bojaxhiun dhe të kandidonte vetëm një listë këshilltarësh dinjitozë për Tiranën. Nuk kishte asnjë defekt logjik në atë që thoshte. Nuk kishte as edhe një gabim në paralajmërimin që rezultati mund të jetë tronditës kundër PD-së, edhe pse nuk e meriton me një qeverisje kaq shumë të konsumuar.
Por kërkesa ishte shumë radikale dhe e dhimbshme për kryetarin e një partie, i cili në fakt nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për vendimet e tij në krye të Partisë Demokratike.
Duke analizuar arsyet përse PD-ja do të humbasë thellë, Aliaj e justifikon me ndarjen administrative, e cila sipas tij ka tendenca elektorale dhe fajëson PD-në që nuk mori pjesë në të.
Pikërisht këtu fillon problemi i Lulzim Bashës.
Aksioni i parë politik që ndërmori Lulzim Basha si kryetar i PD-së, ishte refuzimi për të marrë pjesë në tryezën e qeverisë për ndarjen administrative. Edhe pse shumë faktorë ndërkombëtarë e nxitën të përfshihej, ai jo vetëm që nuk u përfshi, por deklaroi se nuk do ta njoh kurrë këtë ndarje.
Edhe pse qeveria i dha shans opozitës të propozonte çfarë të donte dhe të kishte dhe të drejtë vetoje, përsëri Basha refuzoi. Kurrë nuk e kam kuptuar pse refuzoi, kur kishte gjithë të drejtat të bënte ç’të donte me ndarjen administrative, përveç frikës për të marrë përsipër koston e bashkëpunimit me qeverinë. Në shkëmbim të saj, ai ka sot një ndarje territoriale që është bërë tamam- tamam siç ka dashur në fund Shpëtim Idrizi, meqë ishte opozitar. Pra shumica, kur bëri ndarjen administrative ishte aq jo serioze në përcaktimin e Bashkive, sa nga 47 shkoi në 61 për etikë ndaj një partie opozitare. Po të kishte llogari elektorale të holla, s’do ishte kaq e lehtë që Idrizi ta përmbyste hartën ashtu. I vetmi interes madhor ishte që ta pranonte dhe opozita.
Basha nuk e pranoi as pas propozimit të Idrizit, që u miratua dhe humbi kështu dhe një aleat opozitar.
Edhe pas kësaj tha se nuk do ta njohim kurrë. Madje Paloka paralajmëroi dhe protesta dhe bllokim të zgjedhjeve lokale.
Pastaj u fol për referendume lokale, që do të hidhnin poshtë ndarjen dhe më pas për bllokim zyrtar të zgjedhjeve.
Nuk ndodhi asgjë!
Lulzim Basha thjesht pa u ndjerë fare, madje as pa u kërkuar falje demokratëve, hyri në zgjedhje. Ai nuk mori guximin as tu kërkonte ndjesë demokratëve, që nuk mori pjesë së paku në ndarjen administrative që të kishte futur opsionet e tyre. Atë që ai e quajti betejë të tij të parë të lavdishme refuzuese kundër shumicës, jo vetëm që e gëlltiti tashmë, por as ka kërkuar ndjesë për dështimin para të tijve. Tek qeveria s’ka nevojë të kërkojë se ka hyrë me bisht në shalë në zgjedhje.
Është diçka që ia pata shkruar muaj më parë kur bënte si i fortë, që do të ishte më mirë për të përfshihej dhe të përfitonte, sesa të bënte si i fortë dhe ta pësonte nga arroganca e panevojshme për bashkëpunim.
Vetëm një lider i dobët ka frikë të bashkëpunojë me kundërshtarin dhe të mbrojë qëndrimet e veta. Berisha ka bërë luftë dhe paqe me të gjithë dhe në fakt të gjithëve ua ka hedhur. Basha, në shansin e parë për të bashkëpunuar për një reformë me interes kombëtar, u struk si miu pas pantallonave të Berishës dhe tani merr zvarrë PD-në ta fusë në një proces që po t’i shtosh dhe shkatërrimin e koalicionit, zoti e di si do të dalë.
Për tu kthyer dhe një herë tek thirrja e orës së fundit nga zoti Aliaj, dua të theksojë se Bojaxhiu është produkt i spastrimeve politike në PD dhe nga Basha është personalisht një armik, që ka mbështetur ish-kundërshtarin e tij Sokol Olldashi. Ai e përjashtoi nga PD-ja për këtë shkak. Si ai, ka përjashtuar dhe mënjanuar një fluks të tërë demokratësh, personalitete që kanë qeverisur dhe administruar vendin, pasi nuk i shikon si vlera të PD-së, por si kundërshtarë të tij. Mes humbjes së pushtetit dhe rrezikut të karriges së tij në PD, ai është më i kënaqur me humbjen e pushtetit, ndaj nuk mund ta bëjë kurrë atë që i kërkon Besnik Aliaj, që të thërrasë një njeri që e ka zbuar për shkak të karriges së tij.
Problemi i lidershipit të Bashës ka pikërisht këtë tipar, mosmarrjen e përgjegjësisë për gjithçka që ka bërë dhe mospasjen e vullnetit për tu tërhequr para çdo gabimi. Kështu që nuk ka për t’ia pasur fajin ndarja administrative, por kufijtë dhe gjerdhet që ai ka vënë brenda PD-së për ata që i quan miq të tij dhe armiq të tij, por që janë të gjithë të PD-së. Nga kjo ka për të humbur.
Gazeta Tema