Bashkitë ku mund të fitojë opozita
Nga Eduard Zaloshnja
Bashkitë ku mund të fitojë opozita mund të ndahen për qëllime analize në dy grupe. Në grupin e parë, futen ato në të cilat partitë aktuale të opozitës kanë marrë parvjet mbi 40% të votave dhe në të dytin, ato ku kandidati i së majtës është propozuar nga LSI-ja.
Për të parat, gjasat janë thjesht statistikore. Ndërsa për të dytat janë politike, sepse mund të ekzistojnë kontradita e hatërmbetje të nënsipërfaqshme mes drejtuesve lokalë të PS-së dhe të LSI-së.
Le të analizojmë grupin e parë të bashkive, në të cilat partitë aktuale të opozitës kanë marrë parvjet mbi 40% të votave. Ky grup kryesohet me Tropojën (68%) e vazhdon me bashkitë e zgjeruara Has (56%), Kamëz (54%) Kukës (52%), Kurbin (52%), Klos (49%), Diber (48%), Vore (47%), Shkoder (45%), Vau Dejes (44%), Malesi e Madhe (44%), Shijak (44%), Devoll (44%), Kruje (43%), Mat (42%), Libohove (42%), Lezhe (41%), Fushe Arrez (41%) dhe Durres (41%).
Ndër këto 19 bashki të zgjeruara, partitë aktuale të opozitës kanë patur epërsi parvjet vetëm në 5 të parat. Ndërsa në Shkodër, sipas sondazhit të IPR-Marketing, kandidatja opozitare ka aktualisht epërsi 60%-40%, pavarësisht se nuk kishte epërsi parvjet. Pra, mund të thuhet se në 6 nga këto bashki, opozita e fillon fushatën zyrtare me një epërsi paraprake. Në Durrës, ku partitë aktuale opozitare mezi e kaluan parvjet 40-përqindëshin (41%), kandidatët e fillojnë fushatën zyrtare pothuaj barazim, sipas sondazhit të IPR-Marketing (51%-49% Dako vs. Duma). Ndërsa në bashkitë Klos, Dibër e Vorë, partitë aktuale opozitare kanë qenë parvjet afër 50-përindëshit.
Duke përmbledhur, nga 19 bashkitë e sipërpërmendura, opozita ka gjasa statistikore të fitojë në 10 prej tyre (numri total i bashkive është 61).
Po me bashkitë ku garojnë kandidatë të propozuar nga LSI-ja si qëndron puna? Tri prej tyre janë analizuar më sipër (Kukës, Lezhë e Vorë). Ndërsa tri të tjera janë të rëndësishme nga pikpamja simbolike (në qoftë se i fiton opozita), sepse janë bashki të mëdha që kanë qenë vazhdimisht bastione të majta.
Bëhet fjalë për Gjirokastrën, Pogradecin dhe Beratin. Në dy bashkitë e para kam zhvilluar sondazhe, të cilat tregojnë se pothuaj të gjithë votuesit e majtë (të PS-së, LSI-së, etj.) janë gati të votojnë kandidatet e propozuara nga LSI-ja. Gjë që tregon se hipoteza e fërkimeve lokale brenda të majtëve nuk është materializuar në nivelin e votuesve të thjeshtë. N.q.s votuesit e thjeshtë të majtë do ta ruajnë gadishmërinë e sotme për t’i votuar kandidatet e LSI-së pas një muaji, ato mund të fitojnë lehtësisht në këto bastione të majta.
Në Berat nuk kam zhvilluar sondazh, por fakti që partitë aktuale të mazhorancës morën 72% të votave parvjet dhe fakti që Berati është një bastion i LSI-së, është një tregues që, si në Gjirokastër e Pogradec, gjasat janë që kandidati i saj të fitojë.