Batutat pa mikrofon mes Ramës e Berishës

Gjatë diskutimeve në Kuvend për ligjin e Arsimit të Lartë, mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha pati dhe një debat larg mikrofonit të foltores.

Rama ndërhyri disa herë gjatë fjalës së Berishës duke i kërkuar atij të flasë për ligjin dhe për çështje të tjera.

Debati

Edi Rama: Duke dëgjuar gjithë këto debate, m’u kujtua një shprehje: “Të jesh budalla, të jesh i vetëkënaqur dhe te kesh shëndet të mirë janë tri kërkesat bazë që të jesh i lumtur”.

Sali Berisha: Do të preferoja që të citoje gjyshen, që s’besoj te ketë thënë se ka qenë grua fisnike, e cila sipas teje ka thënë që “burri gënjen”. Ju garantoj që s’e ka thënë, ka shërbyer në Pallatin Mbretëror pra…

(Rama largohet nga salla)

Berisha: Iku! Mirë bëri që iku, po s’rri dot ai, s’e mbajnë nervat. E lëshojnë nervat. Para tri ditësh Gjergji, ai i statistikës, u tha shqiptarëve…

(Rama rikthehet në sallë)

Edi Rama: Kush është ky, Gjergj Fishta?

Sali Berisha: Ai ka inteligjencë o zotëri, sa ai të kesh ti. Po lëre Gjergj Fishtën… S’ke punën me Fishtën, as për personazh nuk hyn dot te Fishta ti, jo më për të tjerat.

Edi Rama: Po fol për arsimin, fol…

Sali Berisha: Ta kam thënë me qindra herë, zotëri, që po e çon vendin drejt rrokullisjes ekonomike të këtij vendi.

Edi Rama: Fol pak për “Shevroletin” e përdorur…

Sali Berisha: Lëri ato ti, ato janë kontrolli punëtor. Kontrolli punëtor kishte alergjitë e veta… (Jozefina Topalli në këmbë flet me Pandeli Majkon dhe përkulet drejt tavolinës së tij).

Edi Rama: Shih me sy e plas me zemër, o Pandi…(Qesh)

Sali Berisha: Ju krenaristë, me që flisni për ekonominë, a e dini sa kanë rënë eksportet, të naftës, të kromit?

Edi Rama: Fol për rakinë e rrushit, fol…

Sali Berisha: Ti s’ke faj se s’i kupton këto, s’i merr vesh… Çfarë po ndodh në këtë vend?! S’ka asnjë investim në Shqipëri, përveç atyre që lamë ne, edhe ata po ikin. Sot kisha në zyrë përfaqësuesit e HEC-­it të Devollit.

Edi Rama: Po Kalivaçi? Kalivaçi…

Sali Berisha: Sa ka investuar thoni ju, 350 milionë euro. Dy mijë punëtorë janë punësuar në HEC-­in e Devollit.

Erjon Braçe: Po te betoni e ke mendjen…

Sali Berisha: Është kollaj të rrahësh gjoksin me punët e të tjerëve, por duhet të mburresh me punët e tua. Ti mburresh me ato zhgarravinat në tablo që s’t’i blen njeri. (Rama qesh). Më fal, përdor pushtetin për t’u bërë piktor. Do të hapësh ekspozitë, hape, ky mendjen te bojërat e ka, s’e ka te puna…

Edi Rama: Fol për arsimin, fol…

Sali Berisha: Dëgjova një ministre që tha se nuk e prek fasadën ajo mballoma klasike. Po nuk është shtëpi e jotja ajo. Po s’i bëhet kurrë ajo veshja me neone. Shko çoji në ndonjë banjë publike, as aty s’t’i pranojnë. Apo gënjen ndonjë gazetar se ndërtesa e Geraldo Bozios qenka vepër e komunizmit? Po ti ke mashtruar botën, si mos të mashtrosh një gazetar të “Financial Times”.

Erjon Braçe: Dhe si e besojnë një herë, si?!

Sali Berisha: Ajo është një nga ndërtesat qeveritare më të mira që mund të bëhet. Dinjitoze për çdo Kryeministër që është futur aty dhe ka shprehë vlerësimet. Dhe ky, për të justifikuar ballomën që i vë në hyrje, i thotë është zymtësi e komunizmit dhe unë po e rinovoj. Ti mashtron botën, jo më mos të mashtrosh një gazetar.

 Edi Rama: Letër higjienike janë gazetarët për ty…

Sali Berisha: Ai gazetari është viktimë i një mashtruesi të specializuar.

SHKARKO APP