BBC: Ku po shkojnë Izraeli, Irani dhe Hezbollahu?
Vrasja nga Izraeli e Hassan Nasrallah, liderit të Hezbollahut, është një përshkallëzim i madh në luftën e Tel Avivit me grupin militant libanez. Kjo e ka çuar rajonin një hap më afër një konflikti shumë më të gjerë dhe akoma më të dëmshëm, një konflikt që tërheq pas vetes si Iranin ashtu edhe SHBA-në. Por, ku ka gjasa të shkojë tashmë situata? Kjo varet kryesisht nga tre pyetje themelore.
Çfarë do të bëjë Hezbollahu?
Hezbollahu po lëkundet goditje pas goditjeje. Strukturës së saj komanduese i janë prerë kokat, me më shumë se një duzinë komandantë të lartë të vrarë. Komunikimet e saj janë sabotuar me shpërthimet tronditëse të pager-ave dhe radiove të saj dhe shumë nga armët e saj janë shkatërruar nga sulmet ajrore.
Analisti i sigurisë për Lindjen e Mesme me qendër në SHBA, Mohammed Al-Basha thotë se “vrasja e Hassan Nasrallah do të ketë implikime të rëndësishme, duke destabilizuar potencialisht grupin dhe duke ndryshuar strategjitë e tij politike dhe ushtarake në periudhën afatshkurtër.”
Por çdo pritshmëri se kjo organizatë e betuar anti-Izrael do të dorëzohet papritmas dhe do të kërkojë paqen sipas kushteve të Tel Avivit ka të ngjarë të jetë e gabuar. Hezbollahu është zotuar të vazhdojë luftën. Ajo ka ende mijëra luftëtarë, shumë prej tyre veteranë të luftimeve në Siri, dhe ata po kërkojnë hakmarrje.
Ajo ka ende një arsenal të konsiderueshëm raketash, shumë prej tyre armë me rreze të gjatë, të drejtuara me saktësi, të cilat mund të arrijnë deri në Tel Aviv dhe qytete të tjera. Do të ketë presion brenda radhëve të saj për t’i përdorur ato së shpejti, para se edhe ata të shkatërrohen.
Por nëse e bëjnë këtë, në një sulm masiv që kalon mbrojtjen ajrore të Izraelit dhe vret civilë, atëherë përgjigja e Izraelit ka të ngjarë të jetë shkatërruese, duke shkaktuar kërdi në infrastrukturën e Libanit, apo edhe duke u shtrirë në Iran.
Çfarë do të bëjë Irani?
Kjo vrasje është një goditje sa për Iranin, aq edhe për Hezbollahun. Tashmë Teherani ka shpallur 5 ditë zie. Janë marrë gjithashtu masa paraprake emergjente, duke fshehur liderin e tyre, Ayatollah Ali Khamanei, në rast se edhe ai vritet. Irani ende nuk është hakmarrë për vrasjen poshtëruese në korrik të liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në një hotel në Teheran. Ajo që po ndodhur tani, do të bëjë që linja e vijës së ashpër të regjimit të mendojnë për reagimin.
Irani ka një galaktikë të tërë milicish aleate të armatosur rëndë rreth Lindjes së Mesme, të ashtuquajturin “Boshti i Rezistencës”. Përveç Hezbollahut, ai ka Huthi-t në Jemen dhe grupe të shumta në Siri dhe Irak. Irani mund t’u kërkojë këtyre grupeve të shtojnë sulmet e tyre si ndaj Izraelit si dhe ndaj bazave amerikane në rajon. Por çfarëdo përgjigje që Irani të zgjedhë, ai ka të ngjarë ta kalibrojë atë për të mos shkaktuar një luftë që nuk mund të shpresojë ta fitojë.
Çfarë do të bëjë Izraeli?
Nëse dikush kishte ndonjë dyshim përpara këtij atentati, nuk do të ketë më tani. Izraeli qartazi nuk ka ndërmend të ndalojë fushatën e tij ushtarake për një armëpushimin 21-ditor të propozuar nga 12 vende, duke përfshirë edhe aleatin e tij më të afërt, Shtetet e Bashkuara.
Ushtria e tij mendon se ata e kanë Hezbollahun nën këmbë tani, kështu që do të dëshirojë të vazhdojë me ofensivën e tyre derisa të eliminohet kërcënimi i raketave. Me përjashtim të një kapitullimi nga Hezbollahu (gjë që nuk ka gjasa) është e vështirë të shihet se si Izraeli mund të arrijë qëllimin e tij në luftë për të hequr kërcënimin e sulmeve të Hezbollahut pa dërguar trupa në terren.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë publikuar pamjet e stërvitjes së këmbësorisë pranë kufirit pikërisht për këtë qëllim. Por Hezbollahu ka kaluar 18 vitet e fundit, që nga përfundimi i luftës së fundit, duke u trajnuar për të përballuar luftën e ardhshme. Në fjalimin e fundit publik para vdekjes së tij, Nasrallah u tha ndjekësve të tij se një inkursion izraelit në Libanin jugor do të ishte, sipas tij, “një mundësi historike”. Për IDF-në, hyrja në Liban do të ishte relativisht e lehtë. Por dalja (ashtu si në Gaza) mund të marrë muaj. ©Marrë nga BBC