BE, në kërkim të influencës në Ballkan
Laurence Norman
Gjatë 18 muajve të fundit, Brukseli është ngërthyer në një betejë me Rusinë, që lidhet me përpjekjet e Bashkimit Europian për të thelluar marrëdhëniet ekonomike dhe politike me Ukrainën dhe ish republika të tjera sovjetike – i ashtuquajturi Projekti Lindor i partneritetit.
Rezultati i kësaj përplasjeje mbetet i pasigurtë – jo vetëm në Ukrainë, por edhe në shtete si Gjeorgjia dhe MOldavia, ku presioni dhe ndikimi i Rusisë mbeten të fortë.
NDërkohë që nxjerr mësime nga ajo krizë, BE po i rikalibron objektivat e veta. Një ekip i ri i Komisionit Europian po përpiqet të ushtrojë ndikim në zona ku kanë hapësirë reale manovrimi – në krye të listës së tyre, Ballkani.
Shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini dhe komisioneri i ngarkuar me bisedimet për zgjerimin, Johannes Hahn kanë premtuar që t’i japin prioritet rajonit. Të dy kryen një udhëtim të hershëm në Bosnjë të premten që kaloi, me qëllim që të zbusnin një krizë politike e cila ka bllokuar prej vitesh rrugën e këtij vendi drejt BE-së.
Sfidat që has BE në rajon mbeten të mëdha: stanjacion ekonomik, korrupsion i rrënjosur si dhe aftësia e Rusisë për të ndërlikuar rrugën europiane të rajonit, janë disa prej rreziqeve.
Ndërkohë, shumë shtete anëtarë të BE-së janë skeptikë në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të bllokut – diçka që Brukseli e ka thënë se nuk do të ndodhë në pesë vitet e ardhshëm.
Megjithatë, të shumtë janë ata që mendojnë se BE ka hapësirën e manovrimit për të nxitur atë lloj ndryshimi në Ballkan, që në Ukrainë e pati të pamundur. Aftësia e znj. Mogherini dhe z. Hahn për të shfrytëzuar këtë influencë do të formësojë trashëgiminë që ata do të lënë pas në vitin 2019.
Pas një viti kur “e gjithë vëmendja u rrëmbye prej Ukrainës dhe Partneritetit Lindor si dhe Gjeorgjisë”, tha një diplomat i lartë i BE-së, fokusi po zhvendoset. Kjo është një zonë ku “ka një trashëgimi, ku ka një proces dhe ku ka një perspektivë të qartë” për ndryshim.
Situata në rajon varion shumë. Kroacia dhe Sllovenia janë në BE. Serbia dhe Mali i Zi kanë nisur bisedimet për hapojen e bisedimeve dhe Shqipëria e Maqedonia kanë fituar statusin e vendit kandidat, ku përgatiten për bisedimet e anëtarësimit. Bosnja ka ngecur në vend ndërkohë që KOsova ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së.
Të gjithë vendet e rajonit kanë të paktën perspektivën e anëtarësimit në BE, diçka që nuk ishte asnjëherë e vërtetë për Ukrainën apo për Gjeorgjinë, dhe ndërkohë mbetet një bazë e fortë mbështetjeje për ta ndjekur këtë rrugë. Në disa drejtime, shumëllojshmëria e problemeve që has rajoni – papunësi e lartë, gjyqësor i dobët dhe korrupsion i lartë – e bëjnë BE një faktor tërheqës edhe më të fuqishëm. Blloku është gjithashtu partneri tregtar numër një i rajonit, duke hasur shumë më pak konkurrencë nga Rusia.
“Perspektiva e BE gëzon një mbështetje shumë të madhe popullore këtu”, thotë një diplomat i BE-së në rajon. “Politikanët e këtu e dinë fare mirë se nuk ka zgjedhje tjetër”.
Projektet dhe ndihma e BE-së mund të bëjnë një dallim të dukshëm në vendet e vegjël të Ballkanit, në një mënyrë që miliarda Eurot që Brukseli po hedh në arkat e zbrazëta të qeverisë së Kievit, nuk munden. Komisioni ka akorduar 4 miliardë Euro programe të rregullt, hua dhe grante për Shqipërinë, Bosnje, Kosovën, Maqedoninë dhe Serbinë deri në vitin 2020.
Cilatdo qofshin shqetësimet në lidhje me zgjerimin, ka një konsensus të gjerë në brendësi të Europës se me kalimin e kohës, Ballkani ka një të ardhme në bllok. Siç e ka nxjerrë mirë në pah përplasja e BE me Rusinë për Ukrainën, Berlini ka luajtur një rol gjithnjë e më të dukshëm për integrimin rajonal, thonë diplomatët. Në një samit të rëndësishëm në BErlin në gusht u parashtruan shumë ide për investime dhe reforma.
Megjithatë, ka tensione që BE duhet t’u japë zgjidhje me qëllim që të ketë sukses. Më i madhi është se si të ekuilibrojë fleksibilitetin që nevojitet për të lajkatuar këta vende drejt rajonit, me një qasje të paanshme ndaj vetë shteteve, si dhe një demonstrimin e qartë ndaj publikut në shtetet anëtarë se po realizohen reforma të vështira.
Nisma e fundit e BE në Bosnje është një shembull. Një përpjekje anglo-gjermane e mbështetur nga Mogherini për të shtyrë Bosnjen në rrugën drejt kërkesës për hapjen e bisedimeve, pa ndryshuar më parë dispozitën kushtetuese që për ndarjen e presidencës boshnjake mes tre grupeve të mëdhenj etnikë, mund të funksionojë.
Megjithatë, diplomatët e BE thonë se vende të tjerë të rajonit thonë se përse atyre nuk iu ofrua një fleksibilitet i tillë. Ndërkohë, nisma do të dështojë nëse, ashtu si ka ndodhur më parë, udhëheqësit boshnjakë nuk mbajnë premtimet e tyre pasi të kenë marrë paratë që mund të fitojnë teksa i afrohen gjithnjë e më shumë bisedimeve të anëtarësimit.
Eshtë edhe çështja e Rusisë. Disa shohin një rrezik se lidhjet kulturore dhe politike të Moskës në Ballkan si dhe interesat e saj energjetikë dhe financiarë mund të bëjnë që në këto kohë jo miqësore, Rusia mund të largojë shtetet nga rruga drejt BE-së. Eshtë një frikë që kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel e shprehu javën që kaloi – dhe që u theksua shumë kur presidenti rus, Vladimir Putin bëri një vizitë të shumëreklamuar në Beograd në tetor.
Të tjerë thonë se shohin më shumë një faktor bezdisës, se sa një strategji të re agresive në Ballkan, prapa qasjes së Moskës.
Të tjerë shohin për shenja ndryshimi, por për momentin thonë se Rusia është më shumë një pengesë rastësore, se sa një ndikim madhor. Ata tregojnë dështimin e gazsjellësit South Stream, të mbështetur nga Moska, si një shembull të ndikimit të kufizuar të Rusisë. Putini deklaroi javën që kaloi se projekti mund të konsideruat i parealizueshëm.
“Ballkani është vendi ku Bashkimi Europian ka potencialin të arrijë suksese dhe askush tjetër nuk mund ta marrë këtë rol”, thotë një zyrtar i lartë i BE-së.
Sfida më e madhe, thotë Slobodan Soja, një ish ambasador i Bosnjes në Francë, mund të jetë një ndryshim mentaliteti sa i përket bashkëpunimit rajonal dhe atyre që Hahn i quan vlera europiane. “Vendet e Ballkanit dhe Bosnja duan të jetojnë në paqe, kjo është e sigurtë”, thotë Soja. “Respekti për të tjerët, si fjalë goje, po. Por nuk është shumë e sinqertë. Sa i përket respektimit të vlerave europiane… kjo është gjëja më e vështirë”./The Wall Street Journal/
SHQIPERUAR NGA http://www.bota.al