BE ofron një milion euro fonde për kufirin Shqipëri-Mal i Zi
BE-ja ka ofruar një milion euro për ndërtimin e një pike kufitare të përbashkët mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Nga Dusica Tomovic, BIRN
Deri në fund të këtij vitit, Mali i Zi dhe Shqipëria do të kenë një kalim të ri kufitar që synon të zgjidhë një problem afatgjatë të bllokimit të trafikut në këtë zonë.
Delegacioni i BE-së në Malin e Zi të martën tha se do t’i ofronte secilit vend nga 500,000 euro për ndërtimin e pikës së re kufitare që kalon në Grabon – Zatrijebacka Cijevna, pranë kryeqytetit, Podgoricë.
Puna në anën shqiptare do të përfshijë gjithashtu ndërtimin e lidhjeve rrugore me kalimin e përbashkët të kufirit.
Përveç lehtësimit të trafikut midis dy vendeve fqinje, kalimi i ri kufitar dhe rrugët lidhëse në Shqipëri pritet të përshpejtojnë trafikun edhe brenda Malit të Zi.
Kjo sepse malazezëve do t’i jepet mundësia të udhëtojnë nga jugu në veri përmes Shqipërisë, gjë që është potencialisht më e shpejtë.
“Koha e udhëtimit nga Podgorica në Plavë dhe në zonën Andrijevicë në veri të Malit të Zi do të pakësohet ndjeshëm” tha delegacioni i BE-së në një deklaratë.
Në vitin 2012, kryeministri i Shqipërisë dhe homologu malazez nënshkruan një marrëveshje për kalimin e përbashkët të kufirit në Zatrijebacka Cijevna-Grabon që do t’i lejojë qytetarët e të dyja shteteve të kalojnë kufirin duke përdorur vetëm kartat kombëtare të identitetit.
Shqipëria dhe Mali i Zi tashmë kanë një pikë kufitare me një ndalesë në Sukobin-Muriçan në bregdet.
Policia kufitare e të dyja shteteve do të operojë brenda një ndërtese. Hapja e kufirit në 2009 u quajt një hap ‘revolucionar’, pasi ishte shembulli i parë i llojit të vet në rajon.