Ben Blushi: Mbetëm popull i vogël se nuk ishim agresivë në histori

Sipas Ben Blushit shqiptarët mbetën një popull i vogël sepse nuk kanë qenë asnjëherë agresivë në histori, gjithmonë kanë qenë të pushtuar dhe asnjëherë pushtues.

Pos Simon Shuterit, që ka qenë te “Kandidati”, duket se libri juaj i vitit të kaluar, me portrete, ka shërbyer si një terren për të qëmtuar, natyra, karaktere, histori, shtresa kulturore për “Komplotin”.

– Mundet. Në një kuptim unë e kam zbuluar komunitetin afgan mbi të cilin ndërtohet ky komplot, duke shkuar shpesh në Shëngjin ku bëja fotografi vitin e kaluar. Shkoja në Shëngjin dhe fotografoja vajza afgane të mbuluara, apo burra afganë për të parë mënyrën e tyre të jetesës. Kam shkuar në shkollën e tyre, “AT ZEF PLLUMI” ku studionin fëmijë nga klasa e tretë a katërt deri në gjimnaz. Një shkollë me emrin e një prifti katolik ku studiojnë 200-300 fëmijë afganë. Kjo ishte interesante për mua. Aty e kam marrë motivin e librit në fakt. Më pas Simon Shuteri është një personazh që mund ta rimarr prapë, ai është një shqiptar tipik me origjinë hebreje, sigurisht një intelektual, një njeri i çudistshëm, aventurier, i cili ka shumë pakënaqësi për Shqipërinë. Ai mendon se shqiptarët nuk kanë qenë të realizuar në histori, duhet të kishin bërë më shumë, të ishin përpjekut dhe ndoshta duhet të kishin pushtuar ndonjë vend. Në libër një nga motivet është dilema e shumë njerëzve përfshirë edhe Shuterit, përfshirë edhe mua ndoshta, që ne, kemi mbetur një popull i vogël se nuk kemi qenë agresivë në histori, gjithnjë na kanë pushtuar, asnjëherë nuk kemi pushtuar. Na kanë marrë territore e nuk kemi bërë asgjë, ndërkohë kjo është e vërtetë, sepse rasti i Kosvës është kështu, i Çamërisë, Janinës, Malit të zi kanë qenë territore që na i kanë marë. Shuteri i ka këto dilema dhe i zgjidh në mënyrat e tij dhe në një kuptim ai është truri i komplotit.

-A është Simon Shuteri altergoja letrare e Ben Blushit?

S’më takon mua ta them. Unë nuk flas pafra pasqyrës.

-Ka një luftë dhe një ministër mbrojtjeje që fluturon mbi territoret e Shqipërisë e Kosovës, dhe këtu është një element i komplotit. Në anën tjetër, mbase ardhja e emigrantëve, mund të përbëjë një lloj përplasjeje kulturore. Në vepër, ju keni një personazh, një katolike nga Shëngjini që për hir të bashkëshortit afgan vendos të mbulohet me shami. Sa e rrezikshme mund të jetë kjo përplasje kulturore? Ne shohim edhe debatet që bëhen tani pas marrëveshjes Meloni-Rama, por sa e rrezikshme mund të jetë për shoqërinë tonë, dhe për mënyrën se si shqiptarët e thjeshtë, të provincës mund ta presin a menaxhojnë një situatë të tillë?

Mendoj se nuk duhet të kemi frikë nga e ardhmja. Do jemi dhe nuk mund të mos jemi viktima të evropianizimit tonë. Nëse një shqiptar nga Mallakastra a Kukësi, ka emigruar në Evropë dhe janë 1 mlinionë prej tyre dhe në punë kanë arabë, në pallat kanë afrikanë, ata mund të kenë raporte intime me aziatikë, dhe nuk ndodh asgjë. Pse kjo nuk mund të ndodhë në Shqipëri? Kjo mendoj se nuk mund të shmanget. Shpresoj jo në masën që të huajt bëhen më shumë se ne, por pse jo. Shko pyesni bizneset e Shqipërisë sa nevojë kanë për fuqi punëtore, dhe ka dy rrugë, ose ekonomia do bjerë, ose do hapim vendet për të huajt. Këtë po bëjnë vende si Gjermania me 90 mln banorë, që merr mjekë e infermierë, nga gjitha vendet e botës përfshirë ne. Por ne jemi aq pak sa po na morën edhe pak bëhemi shumë pak. Do ketë një përplasje kulturore? Nuk e besoj. Ne jemi vend i hapur. Bota është e hapur, dhe kultura konsumohet në instagram. Besoj se është një proces që do kalohet në mënyrë natyrale, jo të dhunshme.

-Keni pasur te Hëna e Shqipërisë, një trajtesë ku parashikonit një konkurencë, mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe drejtuesve e liderve të dy vendeve.

-Kjo po ndodh.

-Kjo po ndodh. Dhe në libër ju merreni edhe me Kosovën, e sakrifikoni Kosovën, për hir të komplotit. Si u prit libri në Kosovë dhe si e shihni të ardhmen nëse kemi parasysh që rivaliteti i liderve ka nisur, ku do shkojmë?

-E para, ky libër ndryshe nga gjithë botimet e mia të mëparshme, është botuar njëkohësisht edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Në Kosovë kam botues tjetër, Dukagjinin, në Shqipëri kam Botimet Pegi. Kjo ka ndodhur se Shqipëria e Kosova janë dy shtete të ndryshme. Shkova edhe në Kosovë edhe për një arsye që ju e thatë, se në qendër të komplotit është Kosova. Pra afganët e Shqipërisë, kur marrin pushtet dhe kanë Ministrinë e Mbrojtjes vendosin të pushtojnë Kosovën, në fakt ta çlirojnë nga Serbia. Për këtë fakt, sepse janë kundër afganëve, shqiptarët, nuk e duan këtë projekt. Dhe meqë pas afganëve janë amerikanët, shqiptarët nisin të bëhen me rusët. Por Kosova sot, është në prezente në politikën tonë të brendshme. Ka debate se ç’raport duhet të kemi ne me atë shtet, a duhet të jemi vëllai i madh, shtet binjak, duhet të jemi një lloj tutori që i themi çfarë të bëjë e çfarë jo? Mbase Kosova nuk e pranon. Ajo që kam parashikuar para 10 vitesh e ndjen edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Dy vendet po largohen pak. Ata mendojnë se mund të jetojnë vetë. Mendoj se tendenca do theksohet dhe vendet do të largohen në kuptimin kulturor e politik. Divergjencat që ka sot Shqipëria e Kosova janë reflektim i këtyre raporteve.

-Është për shkak të liderve apo për shkak të popullsive?

Është për shkak të kohës, jo për shkak të mënyrës se si qeveriset. Shqipëria e viteve të fundit është kthyer sipas meje në një republikë tregtare. Pra sheh vetëm interesat tregtare. Turizmi ka marrë shumë hov, ekonomia po strukturohet ndryshe, dhe Shqipëria është më e ftohtë në aspektin nacionalist se çka qenë para 10 a 20 vitesh. Po ashtu edhe shqiptarët e Kosovës, janë në një dilemë të madhe se si do ta organizojnë të ardhmen e tyre.

-“Komploti” do të jetë në panairin e librit dhe ju do të jeni aty për të takuar lexuesit. Çfarë duhet të bëjmë ndryshe për panairin, si mund të joshet publiku drejt leximit?

Unë flas vetëm për vete, nuk marr përsipër të ndryshoj tregun e librit i cili ka qenë shumë i mirë përpara dhe është dobësuar ndjeshëm. Por prapë mendoj se njerëzit janë të interesuar për librat e mirë. Dhe panairi është një mundësi e madhe dhe një dyqan i madh libri sepse nëse ka diçka që e dëmton librin është mënyra si shpërndahet. Në shumicën e qytetevë të Shqipërisë nuk ka librari. Është si në një qytet të mos ketë furrë buke dhe buka dhe libri janë ushqim për njeriun. Shpërndarja e librit shpesh përfundon në mnyër komike. E vetmja mënyrë për ta çuar librin aty ku duhet, është sot që flasim që mediat të jenë më aktive e më të interesuara dhe uroj që në të ardhmen, teknologjia të zëvendësojë shpërndarjen. Pra të blihet libri online e të lexohet në celular. Do ishte fantastike për ta çuar librin më shumë se sa shkon fizikisht. E ardhmja e librit besoj është teknologjia.

SHKARKO APP