Ben Blushi: Rilindja – Vëllazëria e veseve

Deputeti i Partisë Socialiste ka folur sot në Parlament për çështjen e ish-Kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, ky i fundit i dënuar në Itali për përdhunim.

Blushi u është drejtuar kolegëve të tij të mazhorancës, duke i pyetur nëse mbrojnë përdhunuesin si model. Sipas Blushit, atë që shoqëria dhe drejtësia italiane e dënoi si përdhunues, në Shqipëri zgjidhet kryetar bashkie, si Roshi në Kavajë.

Theksojmë se opozita ka bojkotuar Parlamentin pas pezullimit të ish-Kryeministrit Sali Berisha për 10 ditë nga jeta parlamentare.

Blushi e nisi fjalënm duke sjellë shembullin e Atlantik City në SHBA, të zhvilluar e pasuruar por prej liderëve të lidhur me krimin.

“Për ca kohë, qyteti lulëzoi, – tha Blushi, – se i hapi rrugë të madhe krimit, parasë së pistë dhe quhet Atlantik City. Ai që e drejtonte ishte dhe politikan dhe kriminel. A keni dëgjuar njeri t’i nderojë ata që e futën në rrugën e krimit? Jo, ata shkuan në burg.

Çështja është se megjithëse ndërtuan një qytet magjik si Atlantik City, a doli Amerika t’i nderonte apo ndonjë njeri që t’i nderonte?!

Nuk ndodhi, askush nuk i mori në mbrojtje. Pse ndodhi kjo në SHBA, që vërtet se ndërtuan një gjë realisht të bukur, ata morën ndëshkim. Sepse shoqëria ka nevojë primare të ndëshkojë të paligjshmen. Nuk iu nënshtrua industrisë krimit, por virtytit, moralit dhe nderit. E përmenda rastin për të treguar sesi shoqëritë kanë një vijë të qartë ndarjeje mes së dëmshmes.

Ky debat ka sot shumë kuptim në Shqipëri dhe besoj se për çfarë e kam fjalën. Ajo që ka ndodhur me kryetarin e bashkisë së Kavajës është shenjë e pastër e degradimit politik.

Ai bëri atë që mendonte se ishte e vlefshme në jetë dhe çau “dallgët”, por ne e morëm e bëmë atë ajkën e shoqërisë, se në këtë shoqëri nuk ka njerëz të ndershëm, profesorë, inxhinjerë, avokatë, juristë, por ka përdhunues. Ja pra kjo është diferenca. Në Itali, 40 milje nga Kavaja, ata e ndëshkuan, ne e bëmë kryetar bashkie!

Problemi nuk është ai, nuk mbaron me aq. Dikush këtu mendon se një djalë kapërceu dallgët e përdhunimit për të çarë jetën e vet. Dhe erdhi këtu gjeti një shok që ë bëri kryetar bashkie dy herë rresht. Çështja është jo ç’ka bëri ai duke kapërcyer rrugët e jetës, po se çfarë debati i ngrihet shoqërisë sonë, çfarë dallgësh i jep kësaj shoqërie?

Ju që e keni mbrojtur këtë model, jo këtë njeri, çna sugjeroni? Që duhet përdhunuar për karrierë? Që të jesh dënuar për të karrierë politike? E po nuk ka më plagë se kaq…

Çështja është që këta njerëz që ligji i kap, Rilindja po i strehon. Ata po kthehen në perandorë të qyteteve të tyre. Ky është dëmi më i madh që Rilindja i ka bërë Shqipërisë dhe Partisë Socialiste.

Nëse sot je socialist, do të thotë të mbrosh përdhunimin, të mbrosh dhunën. Unë sot nuk do të doja të isha socialist. Unë nuk jam më një socialist se këtë gjë nuk e bëj dot. Për fat të keq, kjo nuk është PS që unë njoh, po Rilindja e kthyer në Vëllazëria e Vesit.

Unë do të vazhdoj ta refuzoj këtë normë politike, sepse jam i bindur pse Shqipëria po zvogëlohet, pse nuk ka investime dhe ka kaq shumë krim.”

SHKARKO APP