Bën përpara kush i lëpin prapanicën shefit
Forum E Premte, 16 Prill 2021 16:15
Ka akoma njerez me integritet. Ish zëvendësministri i Mbrojtjes në qeverinë Rama, Dritan Hila, i cili tashmë duket se ka kaluar në profesionin e analistit, ka goditur fort mënyrën me të cilën disa individë po bëjnë karrierë në PS dhe në administratën publike. Në shënjestër të Hilës është Koço Kokëdhima dhe zona e jugut, ku sipas tij të gjitha emërimet politike dhe administrative janë zgjedhje personale e super deputetit. Madje Hila, në një koment të tij botuar në "Gazeta Shqiptare", nuk e quan fare pjesë të Rilindjes deputetin e jugut. "… ai nuk është rilindës, pasi rilindja shqiptare ka qenë një lëvizje modeste nga ca burra të përkushtuar dhe jo nga biznesmenë", shkruan Hila, sipas të cilit Koço Kokëdhima nuk është as antiberishist, pasi ka flirtuar me ish kryeministrin kur Edi Rama humbi bashkinë në vitin 2011.
Por komenti i ish zv/ministrit përqëndrohet në Sarandë, ku sipas tij Kokëdhima po dëmton të majtën duke promovuar njerëz të lidhur me interesat e tij. Hila u referohet shifrave të zgjedhjeve të fundit, ku kandidatja e propozuar nga Kokëdhima, tashmë kryetare bashkie, Floriana Koka, siguroi vetëm 400 vota diferencë në qytet, ndërsa në 2011, Stefan Çipa, ndonëse nuk kishte as LSI, PDIU, etj në koalicion, arriti një diferencë prej 2300 votash.
Sipas Hilës personat e kandiduar nga Koço promovimin e tyre ia dedikojnë vetëm atij dhe kështu biznesmeni- deputet do të ketë mundësi që me ndarjen e re territoriale të ketë influencë në projektet e mëdha publike në zonën e bregdetit. Landfilli, porti i jahteve, aeroporti, ujësjellësi, etj janë një lumë parash që askush nuk mund ta ndalojë të të drejtohet për nga kompanitë e Kokëdhimës.
"Fenomeni Kokëdhima dhe derivati i saj "Koka" është vdekja e meritokracisë, e vlerave të konkurrencës së tyre si themeli bazë i demokracisë. Pas kësaj askush nuk ka interes të zhvillojë personalitetin e tij, të shënojë rekorde apo të japë kontribut politik, të ketë kurajën të kundërshtojë fenomenet negative si aset i tij në sytë e opinionit publik. Do të mjaftojë të bëjë garë kush të lëpijë prapanicën e shefit", përfundon komentin e tij Dritan Hila.