Berat Buzhala: Kujdes nga Presidenti i Trojës

Shumica prej jush e dini rrëfimin për dhuratën që grekët e kishin përgatitur për Trojën. Një kalë të drurit, i njohur si Kali i Trojës, e cila në fund rezultoi të ishte fatale për atë qytet. Limaj dhe Haradinaj gjatë kësaj jave duhet të ruhen nga dhuratat e tilla

Në procese të komplikuara gjyqësore, kur krimi I kryer është në nivele të përsosshmërisë, pa gjurmë gishtash, pa dëshmitarë, pa video incizime, me fjalë të tjera pa shumë fakte, atëherë kur rrugët për të shkuar të vërteta ngushtohen, gjyqtarëve dhe prokurorët fokusohen tek stili i kryerjes së krimit. Arma e përdorur. Mënyra e përdorimit së saj. Në bazë të saj, ata shpresojnë që pastaj shkohet deri tek e vërteta.

Të gjithëve na kujtohet mënyra se si Thaçi ishte zgjedhur President i vendit. Duke e pasur Qeverinë në duart e tij, në ditët e fundit para se të votohej, ai filloi të shpërndante resurse shtetërore për deputetët, në mënyrë që të arrinte te vota e tyre. Dikujt një terminal, dikujt një punësim në ambasada ose gjetkë, e dikë tjetër me ndonjë grusht lek, a ndonjë kërcënim direkt.

Thaçi është më i përgatituri që të mos bëjë gabime të mëdha në përcaktimin e çmimit të secilit zyrtar shtetëror, bie fjala deputet, ministër apo kryeministër. Ai, dikë që mund ta blejë me një punësim të thjeshtë, nuk bën gabim ta blejë me një terminal. Pastaj, ndoshta ka edhe databazë për këtë, e ka shumë të qartë se kush blihet me pare, e kush me pushtet politik. Me fjalë të tjera është mirë i përgatitur me informata, me analiza për gjithkënd. Ata që nuk i hyjnë në punë, thjesht i hedh nga treni pa ndonjë pishman a nostalgji. Kuptohet shitjet dhe blerjet i bën me resurse shtetërore.

Pra, për t’i identifikuar bëmat e Thaçit nuk duhet të humbim kohë që të përcjellim lëvizjet e tij ditore. Një gjë e tillë mund të jetë shpërqendruese. Në vend që të përcjellim personin Thaçi, duhet të përcjellim lëvizjet në treg. Kush u pasurua, kush u vesh me pushtet dhe kur kanë ndodhur këto lëvizje.

Të tilla lëvizje kanë ndodhur kur ai dëshironte më patjetër që të bëhej president i vendit dhe të tilla lëvizje pritet që të ndodhin tash, kur ai po lufton për jetë a vdekje që ta përçajë opozitën, e çfarë është edhe më e rëndësishme për të, është që ta përçajë opozitën me AAK’në dhe Nisma’në. Për Thaçin, një aleancë e opozitës me këto dy parti politike është e patolerueshme. Ky është momenti kur ai futet në lojë me të gjitha mjetet e mundshme. Kur po them me të gjitha mjetet e mundshme, po mendoj saktësisht me të gjithë mjetet e mundshme. Me ato që nuk i lejon ligji dhe ato që i lejon ligji. Pastaj, në momentin kur kalon stuhia, ai qetësohet, e përtypë avash – avash prenë e tij, shtrihet diku, shkon në intervistë në Klan ose RTK, flet për unitet dhe rend e ligj.

Ngjarje të këtilla janë ciklike. Ai aktivizohet me gjithë potencialin e tij, me gjithë njerëzit e tij, me gjithë destruktivitetin e tij, as shumë herët, por as shumë vonë. Goditjet e mëdha i bën në kohën e duhur, duke mos i lënë shumë hapësirë viktimave – viktima në këtë rast janë ata që blihen dhe shiten me pushtet dhe para – që të konsolidohen, ose të bëjnë analiza të duhura, ose të konsultohen me njerëzit e duhur. Të gjithë xhokerët Thaçi i nxjerr në kohën e pasigurisë, kur mungojnë informatat e duhura, kur çdo kush shikon të përfitojë prej lëvizjeve në treg.

Kjo është një javë e tillë. Tash ne do ta shohim Thaçin në aksion. Çdokush që është lehtë i tundueshëm prej të mirave materiale, a prej të mirave politike, duhet të qëndrojë larg nga Presidenca. Ky është momenti kur, siç thotë ajo sentenca e vjetër, duhet që “të ruhemi prej grekëve kur të sjellin dhurata”. Kjo më së shumti, posaçërisht, për Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn. Thaçi, sikur në rastin e zgjedhjes së tij President, e edhe tash, të parët që i sulmon me joshje janë ata që në një far forme janë pjesë e formacioneve të përbashkëta politike. Kur ishte zgjedhur President të parët që i kishte tronditur me dhurata kishin qenë deputetët e LDK’së, por edhe ndonjë deputet rebel nga PDK, që ishte zgjedhur deputet/e për të përfituar një terminal doganor. Ai e di, ai e dinte, që këta thyhen më lehtë, sepse përveç të tjerash ishin bashkërisht pjesë e koalicionit, prandaj gjykohen moralisht më pak. Për Thaçin është jetësisht e rëndësishme që të jetë simbol i unitetit, minimumi në qeverinë e Kosovës. Pastaj, në momentin kur legjitimohet nga qeveria si i tillë, ai fillon ta zgjerojë rrethin në territore të reja dhe të pashkelura. Sigurisht që në bazën e të tij të dhënave, edhe më tutje ekzistojnë emrat e politikanëve të tjerë, në parti të tjera, që së paku njëherë janë shitur tek ai. Ata ai i ka si agjent të fjetur, që nuk i komprometon pa nevojë.

Mirëpo, siç e thamë, ai e di që kjo javë është shumë e shkurtër që t’i bëjë zapt të gjithë. Ai do të koncentrohet te Haradinaj dhe Limaj. Do të bëjë çmos, që fillimisht, ta sabotojë rezolutën e opozitës që ia ndalon atij të dialogojë për lëvizjen e kufijve të Kosovës. Thaçin nuk e pengon kjo rezolutë, sepse ai nuk e respekton as Kushtetutën, e lërë më një rezolutë, atë e pengon lajmi që do të jepet gjithandej nëpër botë. Synimi i tij afatshkurtër është që me shtatë shtator, kur të takohet me homologun serb, Aleksandrin e tij, të mos ketë ndodhur diçka në Kosovë, që do ta bënte të dukej në këtë takim, jo më si tigër, por si pulë. Kurse synimi i tij afatmesëm është që t’i fusë në luftë politike Haradinajn dhe Limajn – sidomos këtë të fundit – Vetëvendosjen dhe LDK’në – sidomos me këtë të fundit.

Dhe, mjeshtri i intrigave, pak a shumë e di se si duhet të komunikojë me Haradinajn dhe Limajn. Si pikë e parë në takimet që i ka pasur dhe që d t’i ketë, do t’ua rikonfirmojë atyre këmbëngulësinë e tij që asnjë pëllëmbë e territorit të Kosovës të mos jepet, por që nuk mund t’u garantojë assesi rrezikun që i kanoset Kosovës që t’i bashkohet Lugina e Preshevës. Gjatë kohës kur thuhen këto gjëra, këto fjalë boshe, kjo kotësi absolute, Thaçi do të arrijë ta bindë Haradinajn se do t’i nënshtrohet çfarëdo vendimi të institucioneve. Mos ta harrojmë atë që e thashë më lart: Thaçi objektiv e ka 7 shtatorin, të shkojë atje i pacenuar. Gjatë këtyre takimeve Thaçi do të arrijë ta bindë Haradinajn për punën e shkëlqyeshme që po e bën dhe nuk do të harrojë që t’ia nënvizojë atij sulmet që po ia bëjnë opozita kriminale. Jo në mënyrë direkte, por në formën e një nënteksti, Thaçi do të aludojë se si nëse kjo dështon atëherë koalicioni do të marrë fund. Nëse do të kërcënohej në mënyrë direkte, një gjë e tillë do të jepte kundërefekt te Haradinaj, mirëpo nëse në kërcënim e sipër – kërcënim i butë – Haradinajt i jepen opsione të tjera, atëherë ky i fundit, si aleat besnik, në mes të opozitës dhe koalicionit e zgjedh këtë të fundit.

Për Thaçin problem më i komplikuar është Limaj. Të dytë e njohin njëri tjetrin, të dytë ia dinë dobësitë njëri-tjetrit. Limaj i lodhur me problem të ndryshme gjyqësore, qoftë për korrupsion ose për krime të luftës, ndien nevojë sikur për ajër për njohje ndërkombëtare. Thaçi e di këtë, e edhe Limaj e di që Thaçi e di këtë dobësi të tij. Edhe anasjelltas, Limaj e di që kjo javë është kritike për Thaçin, ia di edhe taktikat e tij, e edhe Thaçi e di që Limaj i di të gjithë këta. Prandaj, të dytë e dinë, se çfarëdo pazari që bëhet, ai duhet të bëhet në mënyrë të prekshme dhe të shpejtë. Meqë Haradinaj është vetëdorequr nga mundësia për të qenë pjesë e dialogur me Serbinë, mundësia që Limaj të jetë aty është evidente. Se në çfarë kapacitete kjo mund të bëhet, kjo mbetet të zhvillohet më tutje “gjatë kësaj jave, ose gjatë këtyre javëve”. Pra, zhvillimi I idesë për një vend të punës për Limajn në Ekipin e Unitetit për Thaçin është një dezert. Kurse nëse Limaj do të arrijë ta bindë edhe opozitën që ta mbështesë atë në këtë rol, kjo është e mirëseardhur për Thaçin.

“Veç a mudesh me e bindë LDK’në. Nëse ata dëshirojnë le ta udhëheqin ata dialogun, por unë kisha me thanë që është mirë ti me e udhëheq”, kjo ka mundësi të jetë ajo çfarë Thaçi i thotë Limajt. Muzikë fantastike. Mirëpo derisa kjo bisedë të zhvillohet, Thaçi do të ketë qenë duke u menduar vetëm për një gjë “kjo javë duhet të kalojë pa asnjë marrëveshje në Kosovë, kurse unë duhet të takohem me Vuçiqin i pacenuar”. Gjatë kësaj kohë, kur Limaj lëshohet në negociata me opozitën, Thaçi do të vazhdojë ekskursionin e tij nëpër botë. Limajt do t’i premtojë “fullë mbështetje prej meje”, duke i thënë vazhdimisht që “a të thojsha që opozita i kanë fajet, ama ti nuk më besojshe”. Për Thaçin është tepër më rëndësi që Limaj të armiqësohet me LDK’në. Nën një e stabilizon qeverinë, nën dy i dobëson aleancat e heshtura Limaj – Mustafa.

As unë, e askush tjetër në këtë tokë, nuk do të duhej t’i thoshte Limajt që të këtë kujdes nga Thaçi. Këtë e ka thënë Limaj me gojën e vet dhjetëra herë. Mirëpo si duket Limaj nuk e di që “djalli për të arritur qëllime të këqija rrugës e kryen edhe ndonjë punë të mirë”. Ose që duket e tillë.

Për të shpëtuar prej kthetrave të Thaçit, prej tundimeve të tij, Limaj thjesht duhet ta bëjë një hap prapa. Për ta testuar sinqeritetin e ofertuesit, ai duhet ta kërkojë një javë kohë dhe duhet t’i thotë atij hapur, që për inatin e askujt, por për të mirën e vendit, deputetët e tij nesër do ta votojnë rezolutën në Kuvend, me të cilën i ndalohet Thaçit dhe kujtdo tjetër që të negociojnë për kufijtë e Kosovës, madje të negociojnë për çfarëdo gjëje, pa e marrë paraprakisht pëlqimin në Kuvend. Në të kundërtën, nëse Limaj pranon që të rreshtohet krah Thaçit, kundër opozitës, ky do të jetë fundi i tij politik. Skena politike do ta këtë një Pacoll të ri, një AKR të re.

Limaj, Haradinaj, dhe çdo kush që e ka një zë, që e ka një votë, në qeveri a në Kuvend, duhet që Thaçin ta tredhin politikisht përpara takimit të radhës me Aleksandër Vuçiqin.

SHKARKO APP