Berisha përballë “precedentit Hajdari” në çështjen ÇEZ

 

Nga Mero Baze

Kryeministri i vendit Edi Rama ka më në fund një qëndrim të tij ndaj çështjes së ÇEZ. Duke e konsideruar zhurmën e ngritur nga opozita një betejë politike të saj për të çoroditur opinionin, ai heziton të pranojë kërkesën e Berishës, mbështetur më pas dhe nga Meta për një hetim ndërkombëtar të çështjes, duke theksuar se Shqipëria ka ligjet e veta dhe mund të hetojë vet gjithçka.

Swiss Digital Desktop Reklama

Qëndrimi i kryeministrit Rama është në një gjatësi vale me qëndrimin e qeverisë së SHBA-së, e cila u shpreh përmes ambasadës në Tiranë kundër një angazhimi amerikan në këtë çështje, ndërsa Bashkimi Evropian sot, përmes zëdhënëses së tij mbështeti qëndrimin e qeverisë Rama për mbylljen e konfliktit me ÇEZ dhe theksoi se kjo i shërbeu marrjes së statusit të Shqipërisë si vend kandidat për anëtar i Bashkimit Evropian.

Swiss Digital Mobile Reklama

Këto qëndrime krijojnë kornizën e qëndrimit zyrtar të qeverisë shqiptare për këtë çështje. Qëndrimi i Partisë Demokratike për hetim ndërkombëtar ndërkohë është i ndarë në dy ngjyra. Një qëndrim është ai i linjës zyrtare të Bashës, i cili ka kërkuar hetim vetëm për veprimtarinë e një kompanie,  DIA-s dhe hetim qeverisë Rama përse mbylli marrëveshjen me ÇEZ me negociata ndërkombëtare.

Kjo e dyta me qëndrimet e sotme të Bruskelit dhe të Uashingtonit më parë, bie, pasi dhe Bashkimi Evropian është dakord që ajo çështje të mbyllej ashtu. Si e tillë, për ta nuk përbën as objekt hetimi dhe as ndonjë gabim. E vetmja çështje që i mbetet për hetim ndërkombëtar PD-së është çështja e DIA-s. Për ta ka një hetim ndërkombëtar në Çeki dhe një hetim në Shqipëri. Kështu që kauza e hetimit ndërkombëtar të paraqitur zyrtarisht nga PD-ja aktualisht ka rënë.

E vetmja gjë që mbahet në këmbë, është vendosmëria e Berishës për të mos u hetuar ÇEZ dhe duke shpikur nevojën e hetimit ndërkombëtar. Meta, i cili është pro Berishës në këtë çështje është më shumë si sfidant i tij, sesa si kërkues i domosdoshëm i hetimit ndërkombëtar. Ai e pranoi kërkesën e Berishës, pasi Berisha e bëri atë si sfidë kundër tij, me qëllim që të diferenconte qëndrimet e tij nga qeveria dhe Meta e bëri këtë me lehtësi. Por kur Meta kërkoi hetim të thelluar ndërkombëtar për çdo aspekt të privatizimit të ÇEZ deri tek largimi i tij nga Shqipëria, Berisha nxorri në skenë, variantin e projektligjit Basha-Berisha, i cili kufizonte hetimin vetëm tek Meta dhe Rama, me qëllim dështimin e tij.

Me qëndrimin e ri të qeverisë shqiptare shanset e hetimit ndërkombëtar, janë zvogëluar dhe shanset e hetimit kombëtar janë rritur. Berisha e nisi këtë si lojë për t’i hapur varrin qeverisë, por duket se po shkon vet me këmbët e tij drejtë varrit që ka tentuar të hapë. Tani beteja nuk është më për hetimin ndërkombëtar, por si të bëjmë të besueshëm dhe efiçent hetimin kombëtar.

E gjitha çfarë mund të bëhet, nëse Berisha e ka seriozisht hetimin e ÇEZ është t’i kërkohet SHBA-së dhe BE-së të dërgojnë disa ekspert ose prokurorë të mbikqyrin nga afër procesin me qëllim që ai të mos kompromentohet dhe të mos degradojë. Berisha mund të përballet në këtë rast me precedentin e krijuar për hetimin e vrasjes së Azem Hajdarit. Njëlloj si në rastin e hetimit të Azem Hadjarit, mund të thirret një ose disa prokurorë të huaj të mbikqyrin çështjen nga afër dhe të japin ekspertizën e tyre. Kjo do t’ia rritë besueshmërinë procesit dhe do të provojë sa seriozisht e dëshiron Berisha hetimin ndërkombëtar. Ai s’mund të kërkoj për vete, më shumë sesa pranoi për vrasjen e Azem Hajdarit, ku ra dakord me prokuroren norvegjeze që hartoi raportin e saj për vrasjen.

Shansi, që afera e ÇEZ të hetohet nga prokuria shqiptare dhe me mbikqyrje të ekspertëve ndërkombëtar, është jo vetëm një rast i mirë për të testuar sa seriozisht e kishte Berisha këtë betejë, por dhe rasti i parë, kur drejtësia do të fillojë të merret me të seriozisht. Në mos i shërbeftë për të shkuar në burg, mund t’i shërbejë për tu mësuar sesi të shkojë para prokurorëve për çështje të tjera që mund të hapen më pas.

TEMA

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?