Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkët
Besimtarët katolikë kremtojnë të dielën Festën e Pashkës, Ditën e Ringjalljes së Krishtit. Ndërsa përgatitjet për kremtimin e kësaj feste nisin që në mes të javës, më e rëndësishmja është e Diela e Shenjtë e Pashkës. Pak përpara mesnate nis Vigjilja e Pashkës, që në shume raste quhet Shërbesa e Mesnatës.
Kreu i kishës katolike shqiptare, Imzot Rrok Mirdita, përcjell urimet e tij për të gjithë besimtarët katolikë në veçanti, por dhe për gjithë popullin shqiptar, duke u kujtuar se ringjallja e Krishtit është momenti kur Zoti na kujton se në vështirësitë më të mëdha të jetës na vjen në ndihmë për t'i zgjidhur.
Thelbi i zgjidhjes së të gjitha vështirësive dhe problemeve të njeriut, Imzot Rrok Mirdita kujton se është pushteti i dashurisë.
“Drita e Krishtit të vdekur e të ringjallur për shpëtimin tonë, e shndriti natën e vuajtjes së çdo njeriu dhe e mbush me shpresë jetën e të gjithëve. Për shumë vjet Pashkët!”, përfundon urimin e tij Imzot Rrok Mirdita.