Betejë kundër pandëshkueshmërisë, jo rindëshkueshmërisë
Nga Mero Baze
Për aq sa u bë publike, nga detajet e platformës së Partisë Demokratike për dekriminalizimin, duket se platforma ka më shumë parasysh disa persona në parlament, të cilët kërkon t’i kthejë në viktima të saj, sesa parimin e dekriminalizimit.
Platforma nuk shtrihet në çdo vepër penale, por vetëm në veprat penale që ngrihen për krime të rënda, nuk shtrihet në kohë për të prekur fenomenin e pandëshkueshmërisë që ka ndodhur në Shqipëri, ku gjyqet ndaj politikanëve janë mbyllur pa përfunduar dhe disa krime të rënda të politikës siç është 21 Janari nuk janë gjykuar fare.
Platforma e Partisë Demokratike mjaftohet vetëm me çështje të mbyllura dhe të gjykuara, për të cilat personat kanë konsumuar dënimin dhe nuk merret me çështjet e pagjykuara dhe të ngelura hapur, pikërisht duke përdorur pushtetin politik. Më keq akoma, platforma nuk parasheh në ndikimin e saj, raportin që duhet të ketë politikani shqiptar me pasurinë, gjatë kohës që është në pushtet dhe justifikimin e saj.
Objektivi kryesor i platformës është të ndëshkohen politikanë që janë ndëshkuar një herë. Këtu duket qartazi, që e kanë fjalën për një sërë denoncimesh që kanë bërë për administratën e mesme dhe të lartë, ku janë përfshirë njerëz që mund të jenë dënuar më parë për ndonjë vepër penale. Kjo nuk është problem të bëhet, por është problem është të mos bëhet një platformë, që parashesh ndëshkimin e gjithë politikanëve që i janë shmangur drejtësisë. Procesi i dekriminalizimit duhet të ketë pikë të parë të tij pandëshkueshmërinë dhe jo rindëshkueshmërinë.
Rindëshkueshmëria mund të aplikohet për nivele të larta politike, për ta higjenizuar më shumë mjedisin politik, por pandëshkueshmëria është fenonem tipik shqiptar dhe arsyeja e vetme përse po na lënë jashtë dyerve të Europës. Kështu që socialistët duhet të pranojnë ofertën e nivelit të ulët të PD-së dhe duhet ta ngrejnë stekën tek pandëshkueshmëria, duke e shtuar atë si pikë kryesore. Kështu gjithë politiknaët që këto 24 vjet u janë shmangur me procedura të ndryshme proceseve gjyqësore, duhet t’i rihapin ato dhe të shkojnë në gjykatë dhe pastaj në varësi të vendimit të Gjykatës duhet të penalizohen sipas variantit të PD-së. Një akuzë korruptive penale mër 220 milionë dollarë nuk mund të tolerohet dhe të ndëshkohet njëri që ka shtyrë Gent Strazimirin në Kuvend.
Aq më tepër, një zyrtar që mund të merrte 6 vjet burg për një vrasje masive si ajo e Gërdecit nuk mund të rrijë në politik pa u gjykuar, vetëm se avokati i tij sëmurej sa herë kishte gjyq. Përveç këtyre ka dhe raste të tjera të forta të mos gjykimit të politikanëve, të cilat duhet të jenë objekt kryesor i dekriminalizimit. Në këtë pikë duhet të shtrihet dhe hapja e gjyqeve për çështje që nuk janë hapur në rastet kur ka pasur presion mbi prokurorinë. Ne të gjithë jemi dëshmitarë se si prokuroria u shantazhua më 21 Janar dhe kryeprokuroja u quajt nga kryeministri lavire bulevardi. Mjafton aq që ajo çështje të rihapet, e parashikuar në platformën e dekriminalizimit si çështje e pagjykuar për shkak të presionit politik të provuar, me fakte e grup fakte, siç thothte Berisha.
Nëse flasim për një politik të pastër dhe politikanë të pakorruptuar, ata po ashtu duhet t’i nënshtrohen një hetimi për çdo pasuri të tyre të pajustifikuar. Kjo do ta bëjë më të besueshme betejën me korrupsionin dhe efeketet e tij. Edhe pse duket një mision i vështirë, gjurmimi i parave të çon më shpejt tek veprimtaria kriminale sesa gjurmët e thashethemeve në Kuvend.
Së fundmi, platforma e dekriminalizimit duhet të jetë e qartë, në përputhje me parimet kushtetuese dhe të drejtat e njeriut, me qëllim që të mos bëhet një lojë politike siç bënte Berisha me dosjet. Sa herë i duhej një ligj për dosjet, ai bënte një ligj antikushtetues, me qëllim që të dukej sikur po e bënte për të mos e bërë kurrë. Ky rrezik ekziston dhe në këtë rast. Që të mos tallen përsëri me opinionin publik, ndërhyrjet ligjore duhet të jenë preçize, të pranueshme dhe të interpretueshme drejtë, me qëllim që të kemi vërtet një platformë dekriminalizimi dhe jo një fletërrufe për të përbaltur dy a tre persona pa asnjë rëndësi, që mund të dalin nga Kuvendi dhe pa këtë teatër.
Gazeta "Tema"