Betejë me periferinë për të na bindur se peshku qelbet nga bishti

 

Po bëhen pak kohë që në debatin kombëtar po zë vend një përpjekje e reme për të pastruar periferinë. Kjo nisëm për pastrim po vërehet në dy forma. Nga njëra anë duket se PS-ja, në prag të zgjedhjeve të qershorit i ka shpallur luftë “bajraktarëve të vet lokalë”. Ata po detyrohen të largohen ose me kulaç, si në rastin Shkëmbi, ose me kërbaç, si në rastin e Gjikës apo atë të kryebashkiakut të Gjirokastrës Bime. Rikandidimi i atyre të cilëve nuk u është treguar asnjëra nga këto rrugë, po mundohet të pengohet me rregulla administrative partiake. Dikush nxiton të thotë se karrigia e tij i takon partisë, dikush tjetër se duhet kthyer në normë statusore mosrikandidimi i tretë, e dikush më pragmatik pranon se disa figura lokale duhen sakrifikuar në emër të grykësisë të LSI-së.

 

Mund të ketë në fakt disa arsye se përse Rama ka nisur luftën ndaj bajraktarëve lokalë. Në thelb ajo është e ngjashme me atë që bëri para zgjedhjeve të 2013 me krerët e qarqeve. Shumë prej figurave qendrore të PS-së i shmangu nga rrethet e tyre tradicionalë, për ti lënë pa një bazë të fortë elektorale. Edhe kjo lëvizje e fundit mund të ketë të njëjtin qëllim, pra që tani që Shqipëria ka vetëm 61 qarqe të rëndësishme, të rafshojë çdo figurë me peshë politike edhe lokalisht.

 

Një qëllim i dytë natyrisht mund të jetë edhe nevoja për të hapur vende për koalicionin. Nëse Rama ka vërtet një objektiv në këtë mandat  katërvjeçar, përpara rritjes ekonomike dhe zhdukjes së papunësisë, përpara zbutjes së varfërisë dhe dizenjimit të një shoqërie më të drejtë, ai synon kryesisht ta mbajë mirë më Ilir Metën, sepse vetëm kështu të dy i realizojnë qëllimet që kanë karshi pushtetit. Lufta ndaj kryebashkiakëve mund të jetë edhe për këtë. Pra Rama po rrezikon, të krijojë shizma, të prodhojë kandidatë të pavarur, për të kënaqur orekset e “vëllait të tij armik”. Madje ai po e bën këtë edhe me riskun tashmë të vërtetuar, se LSI-në nuk e votojnë në qytetet e mëdha, se ajo nuk mbledh dot rreth vetes një shumicë (këtë e vërtetuan edhe zgjedhjet e kaluara lokale ku Meta me përjashtim të Lezhës i humbi të gjitha qytetet).

 

Por, pamvarësisht se cilat janë qëllimet reale, e keqja e kësaj furtune të ngritur befas në gotën e pragzgjedhjeve lokale, është se ajo po shitet si një betejë për pastrim. Si një përpjekje nga lart për ta shtrirë virtytshmërinë edhe në skajet e vendit.

 

Personalisht unë nuk kam asnjë dyshim për krimet që kryebashkiakët kanë bërë ndaj qyteteve të tyre. Vlora e tre mandateve të Gjikës është një masakër betoni. Pallati për të cilin akuzohet Bime, është një turp që do bënte të skuqej edhe një hajdut me çizme. Jam i sigurtë që i njëjti model është përhapur ngado. Por e keqja është se ky model nuk e ka fillesën në periferi. Ai është gjithashtu shembulli skandaloz i Durrësit, ku janë dhënë leje ndërtimi mbi zonën e rrënojave arkeologjike. Ai është mbi të gjitha modeli i Tiranës së Ramës, ku shumëkatshat shpërndaheshin si mburojë ndaj presionit mediatik.  Ku janë ngritur monstra në qendër të qytetit, të cilat sot pengojnë komshijtë të nxjerrin arkivolet nga shtëpitë e tyre, ose kanë lënë nxënësit pa obore shkollash.

 

Në vitet e fundit, dy forcat e mëdha politike e kanë akuzuar shpesh njëra- tjetrën për abuzmi me Tiranën. Bëmat e Ramës dhe lejet e fundit Bashës do ta shndërronin në ziliqar edhe abuzuesin më të madh lokal. Ndaj nëse vërtet do të kishte lindur një dëshirë për pastrim, ajo duhej zbatuar këtu në qendër. Sepse nuk mund tu hedhësh turmave të pashpresa si ushqim, Flamur Bimen, dhe të vazhdosh të mbrosh modelin Rama në Tiranë. Nuk mund të mendosh të bësh ekuilibër duke akuzuar Gazideden e Peshkopisë dhe të lësh të rriten pallatet e klientëve të përbashkët, për të cilët këtë radhë ka firmosur Lulzim Basha. Kjo thjeshtë është një farsë.  Një ironi më shumë me publikun që çmendurisht po tentohet ti mbushet mendja, se peshku qelbet nga bishti.  Ndërkohë që qëllimet janë krejtësisht të tjera.  

Andi Bushati

SHKARKO APP